Zakonisht dëgjojmë njerëz të thonë se kanë ankth pa e ditur saktë se çfarë është ai. Ka të ngjarë që si të barazohet me ndjenjën e stresit ose të perceptohet si e njëjta gjë, mirëpo stresi dhe ankthi kanë dallime qenësore.
Ankthi si koncept është i vështirë për t’u kuptuar. Ai shpesh mund të përcaktohet si një ndjenjë e vagët dhe e pakëndshme frike, mërzie dhe shqetësimi në të ardhmen, po ashtu ankthi jo rrallë është reagim i përgjithshëm emocional ndaj stresit.
Mënyra e matjes së ankthit është përmes vetëraportimeve, vëzhgimit të sjelljes dhe aktivitetit fiziologjik. Vetëraportimet përfshijnë aspekte të tilla si keqësimi i të folurit, keqësimi i aktivitetit mendor dhe lëvizjeve, frikëra të paqarta dhe tensione. /familjajone
Sipas psikologëve, ndjenja e ankthit shfaqet në dy forma: ankthi si tipar dhe ankthi si diçka situative. I pari është shumë afatgjatë te njeriu dhe vështirë që mund të hiqet. Individi me ankthin si tipar përjeton ankth pothuajse gjatë gjithë jetës, ndonëse nuk e di arsyen e kësaj ndjenje. Ndërsa ankthi situativ është ankth i cili lidhet me një ngjarje ose situatë të veçantë. P.sh. të hedhurit me parashutë për herë të parë krijon jo pak një ndjenjë të tillë.