Sht, Qer 27, 2026
Banner Top
Banner Top
Alergjitë te fëmijët: këshillat e alergologut Dukagjin Zogaj për sezonin e polenit

Me ardhjen e pranverës dhe rritjen e përqendrimit të polenit në ajër, shumë fëmijë përballen me simptoma të alergjive sezonale, si teshtitje, rrjedhje hundësh, kruarje të syve, kollë apo vështirësi në frymëmarrje. Këto shqetësime shpesh ndikojnë në përditshmërinë e tyre, në gjumin, përqendrimin dhe aktivitetet shkollore.

Për të kuptuar më mirë se si shfaqen alergjitë te fëmijët, cilat janë shenjat që prindërit nuk duhet t’i neglizhojnë dhe si mund të mbrohen fëmijët gjatë sezonit të polenit, kemi zhvilluar një intervistë me alergologun Zogaj. Ai ndan këshilla praktike për parandalimin, trajtimin dhe kujdesin e duhur ndaj fëmijëve që vuajnë nga alergjitë sezonale.

Lexoni intervistën e plotë më poshtë.

  1. Cilat janë simptomat më të shpeshta të alergjisë nga poleni te fëmijët?

Te fëmijët, simptomat e alergjisë ndaj polenit janë shumë të zakonshme, saqë ndonjëherë na mashtrojnë duke imituar simptomat e një ftohjeje. Ato zakonisht fillojnë me teshtima, rrjedhje të hundës, bllokim të hundëve, apo edhe enjtje të kapakëve të syve dhe simptoma të ngjashme.

  1. Në cilën moshë zakonisht fillojnë të shfaqen alergjitë sezonale te fëmijët dhe a mund të përkeqësohen me kalimin e viteve?

Sa i përket moshës se kur mund të shfaqet alergjia, nuk ka një moshë të caktuar se kur do të fillojë, pasi është gjenetike dhe e trashëgueshme. Ajo mund të fillojë që nga mosha e vogël, por edhe deri në moshën 35–40 vjeçare mund të shfaqet për herë të parë. Nëse nuk trajtohet, kjo sëmundje mund të përkeqësohet.

Në bazë të një punimi nga shoqata e alergologjisë ARIA, dihet se kjo sëmundje ka një ecuri që shkon nga simptomat e hundës dhe syve në drejtim të rrugëve të frymëmarrjes dhe astmës. Nëse një sëmundje e tillë nuk trajtohet, mund të përkeqësohet dhe të sjellë probleme me frymëmarrjen.

  1. Çfarë duhet të bëjnë prindërit në ditët kur niveli i polenit është i lartë për t’i mbrojtur fëmijët?

Prindërit duhet t’i testojnë fëmijët për këtë alergji, varësisht nga mosha që kanë. Nëse fëmijët janë më të vegjël se 3 vjeç, testimi preferohet të bëhet përmes gjakut, me analizën IgE, ndërsa për fëmijët mbi 3 vjeç bëhet testi lëkuror.

  1. Kur duhet ta dërgojnë prindërit fëmijën te alergologu dhe cilat teste rekomandohen për diagnostikim?

Fëmija duhet të dërgohet te alergologu nëse ka simptomat e sipërpërmendura, nëse ato përsëriten shpesh dhe nuk bëhet fjalë për ftohje. Testimi është shumë i lehtë dhe në shumicën e rasteve kryhet brenda 30 minutave. Ai përcakton me saktësi maksimale shkaktarin e alergjisë dhe mënyrën se si duhet të trajtohet më tutje.

  1. A ka trajtime afatgjata, si imunoterapia, që mund t’i ndihmojnë fëmijët të kenë më pak simptoma gjatë sezonit të polenit?

Po, ekziston një mjekim pak më kompleks. Fillimisht duhet edukuar pacienti për llojin e sëmundjes, duhet treguar për masat preventive dhe terapitë simptomatike që jepen gjatë sezonit. Në fund, kemi terapinë me vaksinën para-sezonale, e cila jepet në dimër dhe krijon një imunitet të mjaftueshëm që pacienti të ketë më pak simptoma dhe të ulet rreziku i astmës.

Youtube

Arkiva

Kategoritë