Mër, Sht 30, 2026
Banner Top
Banner Top
Vaksinat kundër gripit sezonal pritet të arrijnë në Kosovë më 21 tetor

Vaksinat kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të arrijnë në Kosovë më 21 tetor, rreth tri javë më vonë se afati i planifikuar.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se vonesa në furnizim lidhet me ndryshimet në përbërjen e shtameve të virusit të gripit të rekomanduara për vaksinën e sezonit të ri në hemisferën veriore.

Sipas IKShPK-së, këto ndryshime kanë ndikuar në procesin ndërkombëtar të prodhimit të vaksinave dhe kanë shkaktuar vonesa në furnizimin e vendeve në nivel global, përfshirë edhe vendet e rajonit.

Për Kosovën, vaksinat pritet të mbërrijnë më 21 tetor, me një vonesë prej 21 ditësh krahasuar me afatin e planifikuar.

IKShPK ka bërë të ditur se po e përcjell nga afër procesin e furnizimit dhe se, pas pranimit të vaksinave, do të njoftojë qytetarët dhe institucionet shëndetësore për fillimin e vaksinimit kundër gripit sezonal.

Informacioni për vendet ku do të ofrohet vaksinimi dhe oraret e vaksinimit do të bëhet publik pasi të përfundojnë procedurat e pranimit dhe shpërndarjes së vaksinave në institucionet shëndetësore.

Instituti u ka bërë thirrje qytetarëve për mirëkuptim lidhur me vonesën në furnizim.

Youtube

Arkiva

Kategoritë