Personat e moshuar dhe ata me imunitet të dobësuar janë ndër grupet që kanë rrezik më të lartë për të zhvilluar forma më të rënda të infeksionit me virusin e Nilit Perëndimor.
Për këtë temë foli Prof. Dr. Shemsedin Dreshaj, infektolog, i ftuar në emisionin “Familja Jonë”, ku shpjegoi se jo çdo person i pickuar nga një mushkonjë e infektuar do të zhvillojë sëmundje të rëndë.
Sipas tij, shumica e personave të infektuar mund të mos kenë simptoma ose mund të zhvillojnë një formë të lehtë të sëmundjes. Megjithatë, te disa persona virusi mund të prekë sistemin nervor dhe të shkaktojë komplikime më serioze.
Rreziku për forma të rënda është veçanërisht më i madh te të moshuarit, personat me imunitet të dobësuar dhe personat me disa probleme shëndetësore kronike.
Infektologu theksoi rëndësinë e kujdesit ndaj pickimeve të mushkonjave, veçanërisht gjatë periudhave kur ato janë më aktive.
Në rast të temperaturës, dhimbjes së fortë të kokës, konfuzionit, dobësisë së muskujve, ngurtësimit të qafës apo simptomave të tjera neurologjike pas ekspozimit ndaj mushkonjave, rekomandohet kërkimi i menjëhershëm i ndihmës mjekësore.












