Endometrioza ishte tema e diskutimit në emisionin Familja Jonë këtë të diel, ku i ftuar ishte gjinekologu Berat Krasniqi. Gjatë intervistës u diskutua për këtë sëmundje, simptomat që mund ta shoqërojnë, vështirësitë në diagnostikim, mundësitë e trajtimit dhe ndikimin e saj në jetën e grave.
Krasniqi shpjegoi se çfarë është endometrioza, si zhvillohet dhe pse qelizat e ngjashme me ato të endometrit rriten jashtë mitrës. Ai foli edhe për dhimbjet e forta menstruale, duke theksuar se dhimbjet që pengojnë gruan në aktivitetet e përditshme nuk duhet të konsiderohen normale dhe të neglizhohen.
Në intervistë u trajtua edhe dallimi mes dhimbjeve menstruale dhe atyre që mund të lidhen me endometriozën, si dhe mënyra se si karakterizohen dhimbjet te gratë që vuajnë nga kjo sëmundje. Një vëmendje e veçantë iu kushtua vështirësive në diagnostikim, pasi endometrioza mund të shfaqet edhe pa simptoma të theksuara.
Gjinekologu foli për cistat ovariane të lidhura me endometriozën, dallimin mes tyre, rastet kur rekomandohet ndërhyrja kirurgjikale dhe rrezikun e mundshëm të shndërrimit të cistave në tumore malinje. Po ashtu, u diskutua për ndikimin e endometriozës në fertilitet dhe mundësinë që gratë me këtë diagnozë të mbeten shtatzëna.
Ndër temat e tjera të trajtuara ishte edhe shfaqja e vatrave të endometriozës në zona të pazakonta të trupit, gjakderdhja nga hunda gjatë menstruacioneve dhe trajtimi i saj përmes terapisë hormonale. Krasniqi shpjegoi gjithashtu faktorët që mund të ndikojnë në zhvillimin e sëmundjes dhe nëse endometrioza mund të parandalohet.
Biseda përfshiu edhe dhimbjet gjatë menopauzës dhe shtatzënisë te gratë me endometriozë, si dhe rëndësinë e vlerësimit të sekrecioneve vaginale, veçanërisht kur ato shoqërohen me erë të pakëndshme apo ndryshim të ngjyrës, që mund të sinjalizojnë një problem shëndetësor.
Në fund, u theksua rëndësia e kërkimit të ndihmës mjekësore në rastet e dhimbjeve menstruale, sidomos kur ato janë të forta, përsëriten dhe ndikojnë në cilësinë e jetës. Dhimbjet menstruale nuk duhen injoruar, pasi vlerësimi në kohë mund të ndihmojë në identifikimin e shkakut dhe trajtimin e duhur.









