Logopedja Elona Ismajli ishte e ftuar këtë të diel në emisionin “Familja Jonë”, ku diskutoi për zhvillimin e të folurit te fëmijët, shenjat e hershme të vonesës në të folur dhe rëndësinë e ndërhyrjes në kohë.
Gjatë bisedës, Ismajli foli për shqetësimet që prindërit shpesh i kanë kur fëmijët nuk fillojnë të flasin në moshën e pritur, duke shpjeguar rëndësinë e njohjes së etapave të zhvillimit të gjuhës dhe të të folurit.
Një nga çështjet e trajtuara ishte mosha kur fëmija duhet të fillojë të flasë dhe situatat kur ai kupton atë që i thuhet, por nuk përgjigjet me fjalë. Në këtë kontekst, u diskutua se kur prindërit duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje zhvillimit të fëmijës dhe të kërkojnë vlerësim profesional.
Ismajli foli edhe për mënyrën se si prindërit duhet të reagojnë kur fëmijët i shqiptojnë fjalët gabim. Ajo trajtoi rëndësinë e përdorimit të fjalëve të sakta në komunikimin me fëmijët, si dhe tingujt që shpesh paraqesin vështirësi në shqiptim, përfshirë “th”, “dh”, “l”, “r” dhe “rr”.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua ndërhyrjes së hershme logopedike dhe mundësisë që fëmijët të mësojnë t’i shqiptojnë saktë tingujt me ndihmën e duhur. Po ashtu, u trajtua dallimi mes vonesës në të folur dhe autizmit, duke theksuar rëndësinë e vlerësimit të individualizuar të zhvillimit të secilit fëmijë.
Gjatë emisionit u diskutua edhe për ndikimin e dygjuhësisë në shqiptimin e fjalëve, si dhe për rolin e prindërve në stimulimin e të folurit përmes lojës, komunikimit dhe aktiviteteve të përditshme në shtëpi.
Përveç aspektit gjuhësor, logopedja foli për ndikimin që talljet dhe bullizimi për shkak të mënyrës së të folurit mund të kenë në vetëbesimin dhe zhvillimin emocional të fëmijëve. Ajo trajtoi gjithashtu belbëzimin, identifikimin e shenjave të para, mundësitë e trajtimit logopedik, teknikat e frymëmarrjes dhe ndikimin e stresit në rrjedhshmërinë e të folurit.
Në bisedë u përfshi edhe rëndësia e komunikimit me beben që gjatë shtatzënisë, përmes të folurit dhe ninullave, si dhe roli i faktorëve gjenetikë në vështirësitë e zhvillimit të të folurit.
Përmes kësaj bisede, emisioni “Familja Jonë” solli në vëmendje rëndësinë e informimit të prindërve për zhvillimin e të folurit, njohjen e shenjave që kërkojnë vëmendje profesionale dhe krijimin e një mjedisi familjar mbështetës, ku fëmijët mund të komunikojnë pa frikë nga gabimet apo talljet.













