Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF), në partneritet me Terre des hommes në Kosovë, shpall konkursin për ndarjen e tri çmimeve vjetore për tregimet më të mira mediale në fushën e mbrojtjes dhe të drejtave të fëmijëve në Kosovë për vitin 2026.
Tri çmime, në vlerë prej 500 euro secila, do t’u ndahen gazetarëve për shkrimet, publikimet, dokumentarët apo reportazhet më të mira të realizuara dhe të publikuara në portale, radio dhe televizione të ndryshme në Kosovë.
Për të konkurruar për këto çmime, aplikantët duhet të kenë publikuar punime që trajtojnë çështje të fëmijëve dhe ndërlidhen me shërbimet dhe mbrojtjen e tyre në Kosovë. Punimet duhet të jenë publikuar në periudhën nga 6 nëntori 2025 deri më 18 nëntor 2026.
Aplikimi duhet të bëhet vetëm në formë elektronike, duke dërguar dokumentacionin në të dy adresat elektronike:
- info@komfkosova.org
- kos.application@tdh.org
Në emailin e aplikimit duhet të bashkëngjiten dy dokumente:
- Të dhënat e aplikantit, përfshirë emrin dhe mbiemrin, mediumin ku punon, adresën elektronike dhe numrin e telefonit, si dhe titullin e punimit, datën e saktë të publikimit dhe vegëzën për qasje në të.
- Punimi i plotë me të cilin aplikanti konkurron.
Gazetarët kanë të drejtë të aplikojnë me më shumë se një punim.
Konkursi do të jetë i hapur deri më 6 dhjetor 2026. Fituesit e tri çmimeve do të shpallen dhe shpërblehen gjatë një ceremonie që do të organizohet në dhjetor të këtij viti.
Përmes këtyre çmimeve, KOMF dhe Terre des hommes synojnë të vlerësojnë dhe promovojnë gazetarinë që trajton me profesionalizëm çështjet e fëmijëve, duke kontribuar në rritjen e vëmendjes publike ndaj të drejtave, mirëqenies dhe mbrojtjes së tyre në Kosovë.













