Të drejtat e viktimave të dhunës, mënyrat e raportimit dhe mekanizmat e mbrojtjes ligjore ishin në fokus të diskutimit në emisionin “Familja Jonë”, ku e ftuar ishte avokatja Bubulina Cakolli.
Gjatë bisedës u trajtuan një sërë çështjesh që lidhen me mënyrën se si viktimat mund të kërkojnë mbrojtje, ku duhet ta raportojnë dhunën dhe çfarë ndodh me rastin pas denoncimit.
Cakolli shpjegoi se dhuna mund të raportohet edhe kur nuk ka dëshmi fizike, pasi mungesa e shenjave të dukshme nuk nënkupton se dhuna nuk ka ndodhur. Në këtë kontekst, u diskutua edhe rëndësia e provave në proceset gjyqësore dhe mënyrat se si ato mund të ndihmojnë në vërtetimin e rasteve të dhunës.
Një tjetër çështje e ngritur ishte tërheqja e denoncimit nga viktima dhe nëse kjo nënkupton automatikisht mbylljen e rastit. Po ashtu, u trajtua mundësia e raportimit anonim të dhunës dhe hezitimi i fqinjëve për të raportuar rastet kur dëgjojnë apo dyshojnë se në një familje po ushtrohet dhunë.
Gjatë emisionit u diskutua edhe për dallimet ndërmjet dhunës fizike, psikologjike dhe ekonomike, si dhe mënyrën se si këto forma të dhunës trajtohen para ligjit. Cakolli foli gjithashtu për pasojat ligjore me të cilat mund të përballen personat e përfshirë në raste të dhunës.
Pjesë e diskutimit ishte edhe mbrojtja e viktimave që vazhdojnë të jetojnë në të njëjtën shtëpi me personin që ushtron dhunë. U ngrit pyetja nëse bashkëjetesa me dhunuesin mund të jetë pengesë për marrjen e urdhrit mbrojtës, si dhe arsyeja pse, në shumë raste, është viktima ajo që largohet nga shtëpia dhe jo personi që ushtron dhunë.
Në bisedë u trajtuan edhe procedurat e shkurorëzimit, nga ndërmjetësimi deri te procesi gjyqësor, detyrimi për pagesën e alimentacionit para përfundimit të shkurorëzimit dhe pasojat kur një prind nuk e respekton vendimin e gjykatës për pagesën e tij.
Në fund, vëmendje iu kushtua edhe qasjes në drejtësi për viktimat që nuk kanë mundësi financiare të angazhojnë avokat, si dhe mundësive për të përfituar ndihmë juridike.
Diskutimi synoi të ofrojë informacione mbi të drejtat dhe mekanizmat ligjorë në dispozicion të viktimave, duke theksuar rëndësinë e raportimit të dhunës dhe qasjes në mbrojtje ligjore.













