Hën, Sht 14, 2026
Banner Top
Banner Top
Kanceri i gjirit te burrat: Një kokërr pa dhimbje nuk duhet neglizhuar

Intervistë me onkologun Dr. Arben Bislimi

Kur flitet për kancerin e gjirit, zakonisht mendohet për gratë. Megjithatë, edhe burrat mund të preken nga kjo sëmundje, ndonëse rastet janë shumë më të rralla.

Kanceri i gjirit te burrat përbën më pak se 1 për qind të të gjitha rasteve të kancerit të gjirit. Në Kosovë, gjatë vitit të kaluar janë regjistruar rreth 600 raste të reja me kancer të gjirit, prej të cilave shtatë kanë qenë te burrat, ose rreth 1.2 për qind sipas onkologut Dr. Arben Bislimi.

Pavarësisht se është i rrallë, kanceri i gjirit te burrat nuk duhet të nënvlerësohet. Sipas onkologut, në shumë aspekte ai është i ngjashëm me kancerin e gjirit te gratë, ndërsa edhe mënyrat e diagnostikimit dhe parimet kryesore të trajtimit janë pothuajse të njëjta.

Megjithatë, ka edhe disa dallime. Kanceri i gjirit te burrat zakonisht shfaqet në moshë më të madhe dhe shumica e tumoreve janë hormonalisht pozitivë, që do të thotë se rritja e tyre lidhet me veprimin e hormoneve thekson onkologu.

Edhe burrat kanë ind të gjirit

Një nga keqkuptimet më të zakonshme është se burrat nuk kanë fare gji. Në fakt, edhe ata kanë një sasi të vogël të indit të gjirit, kryesisht pas thithkës. Burrat kanë kanale të gjirit, por nuk kanë zhvillimin e plotë të gjëndrave të gjirit që ndodh te gratë.

Ashtu si çdo ind tjetër i trupit, edhe indi i gjirit përbëhet nga qeliza. Nëse në këto qeliza ndodhin ndryshime që i bëjnë ato të shumohen në mënyrë të pakontrolluar, mund të zhvillohet një tumor.

Sipas onkologut Bislimi, sasia shumë më e vogël e indit të gjirit e bën kancerin shumë më të rrallë te burrat, por nuk e përjashton mundësinë që ai të shfaqet. Shumica e tumoreve të gjirit te burrat fillojnë në kanalet e gjirit dhe njihen si karcinoma duktale.

Për këtë arsye, një nga shenjat më të zakonshme është shfaqja e një kokrre të fortë afër ose menjëherë pas thithkës.

Pse mund të vonohet diagnoza?

Problemi kryesor është mungesa e informacionit. Shumë burra nuk e dinë se mund të preken nga kanceri i gjirit dhe, kur vërejnë një kokërr, mund të mendojnë se është diçka kalimtare që do të largohet vetvetiu.

Në disa raste, edhe turpi mund t’i bëjë të hezitojnë të kërkojnë ndihmë mjekësore. Kjo mund të çojë në vonesë të diagnozës.Megjithatë, nëse zbulohet në fazat e hershme, mundësitë për trajtim të suksesshëm dhe shërim janë të mira.

Mosha dhe faktorët e tjerë që rrisin rrezikun

Faktori më i rëndësishëm i rrezikut është mosha. Kanceri i gjirit mund të shfaqet në çdo moshë, por shumica e rasteve diagnostikohen pas moshës 60-vjeçare.

Me kalimin e viteve grumbullohen ndryshime në qeliza dhe rritet mundësia e zhvillimit të sëmundjeve malinje.

Rreziku mund të jetë më i lartë edhe te burrat që kanë histori familjare të kancerit të gjirit, veçanërisht nëse nëna, motra, vajza ose një tjetër i afërm është prekur nga kjo sëmundje në moshë të re.

Një rol të rëndësishëm kanë edhe mutacionet gjenetike të trashëguara, veçanërisht mutacioni në gjenin BRCA2. Rreziku mund të rritet gjithashtu në gjendje që çrregullojnë ekuilibrin ndërmjet hormoneve mashkullore dhe femërore, si mbipesha, disa sëmundje kronike të mëlçisë dhe sindroma Klinefelter.

Edhe ekspozimi i mëparshëm ndaj rrezatimit në zonën e kraharorit mund të rrisë rrezikun.

Megjithatë, prania e një ose disa faktorëve të rrezikut nuk do të thotë se një person do të zhvillojë patjetër kancer. Në të njëjtën kohë, kanceri i gjirit mund të shfaqet edhe te një burrë që nuk ka asnjë faktor të njohur rreziku.

Prandaj, vëmendja ndaj ndryshimeve të reja në trup mbetet e rëndësishme për çdo burrë potencon onkologu.

BRCA2 dhe rëndësia e historisë familjare

Faktorët gjenetikë dhe historia familjare kanë një rol të rëndësishëm, edhe pse jo çdo rast i kancerit të gjirit te burrat është i trashëguar.

Mutacioni që lidhet më shpesh me kancerin e gjirit te burrat është BRCA2. Më rrallë mund të përfshihen edhe BRCA1 dhe disa gjene të tjera.

Testimi gjenetik mund të merret në konsideratë kur në familje ka një burrë me kancer të gjirit, disa gra të prekura nga kanceri i gjirit, raste të diagnostikuara në moshë të re, ose raste të kancerit të vezoreve, pankreasit apo prostatës.

Megjithatë, testimi gjenetik nuk duhet bërë pa këshillim profesional thotë Dr. Arben Bislimi. Rezultati duhet të interpretohet nga profesionistë, pasi një mutacion i zbuluar mund të ketë rëndësi jo vetëm për pacientin, por edhe për fëmijët, motrat, vëllezërit dhe të afërmit e tjerë.

Nëse zbulohet një mutacion i trashëguar, familjarët që mund të jenë në rrezik mund të këshillohen dhe të ndiqen më nga afër.

Një kokërr pa dhimbje nuk duhet injoruar

Shenja më e shpeshtë e kancerit të gjirit te burrat është një kokërr ose masë e fortë në gji. Zakonisht ajo nuk shkakton dhimbje dhe gjendet afër ose pas thithkës.

Pikërisht mungesa e dhimbjes mund ta bëjë një person të mendojë se ndryshimi nuk është serioz. Por mungesa e dhimbjes nuk e përjashton kancerin.

Vëmendje duhet t’i kushtohet edhe ndryshimeve të tjera, si tërheqja e thithkës nga brenda, ndryshimi i formës së saj ose shfaqja e sekretit, veçanërisht nëse ai përmban gjak.

Shenja të tjera mund të jenë skuqja ose trashja e lëkurës, një plagë që nuk shërohet, ndryshimi i formës së gjirit dhe zmadhimi i nyjeve limfatike në sqetull.

Megjithatë, jo çdo kokërr në gji është kancer. Te burrat është e shpeshtë gjinekomastia, një zmadhim beninj i indit të gjirit që mund të lidhet me ndryshimet hormonale, moshën ose përdorimin e disa barnave.

Dallimin ndërmjet një ndryshimi beninj dhe një tumori nuk duhet ta bëjë vetë pacienti.

Mesazhi i onkologut është i thjeshtë: nëse një burrë vëren një kokërr apo çfarëdo ndryshimi të ri në gji, duhet t’i drejtohet mjekut dhe të mos presë me muaj. Një kontroll nuk do të thotë se personi ka kancer. Por nëse ekziston një problem, kontrolli mundëson që ai të zbulohet dhe të trajtohet në kohë.

Youtube

Arkiva

Kategoritë