Neuropatia periferike është një problem i zakonshëm neurologjik që mund të shkaktojë mpirje, shpime si me gjilpëra, djegie, dobësi muskulore dhe çrregullime të ekuilibrit gjatë ecjes. Por pse disa pacientë i përjetojnë këto simptoma më të forta gjatë natës?
Në këtë intervistë, neurologu Dr. Milaim Krasniqi shpjegon shkaqet më të zakonshme të neuropatisë periferike, faktorët që mund t’i përkeqësojnë simptomat gjatë natës dhe ndikimin që kanë stresi, ankthi, temperatura dhe cilësia e gjumit.
Çfarë është neuropatia periferike dhe cilat janë shkaqet më të zakonshme të saj?
Neuropatia periferike është dëmtim i nervave periferikë, nervave që lidhin trurin dhe palcën kurrizore me pjesët e tjera të trupit.
Neuropatia periferike është një problem i zakonshëm neurologjik që paraqitet me mpirje, ndjesi shpimi si me gjilpëra, djegie të këmbëve, dobësi muskulore, çrregullim të ekuilibrit gjatë ecjes dhe simptoma autonome.
Shkaqe të zakonshme të neuropative periferike janë diabeti mellitus, alkooli, sëmundja kronike e veshkave, mungesa e vitaminës B12, hipotiroidizmi, disa infeksione dhe toksina, shkaqe autoimune dhe trashëguese, kompresioni i nervave dhe medikamente të ndryshme.
Pse disa pacientë i ndiejnë simptomat e neuropatisë më të forta gjatë natës?
Zakonisht pacientët i ndiejnë simptomat e neuropatisë më shumë gjatë natës, sepse në qetësi mund të perceptohen më fort sinjalet spontane elektrike të nervave të dëmtuar.
Po ashtu, pozicioni horizontal dhe ndryshimet e tonusit vaskular gjatë natës mund të ndikojnë në perfuzionin e ekstremiteteve.
Gjithashtu, gjatë natës ndryshimet hormonale, neurotransmetuesit dhe mekanizmat frenues të dhimbjes mund të bëjnë që perceptimi i dhimbjes të rritet.
A ndikon qetësia dhe mungesa e shpërqendrimeve gjatë natës në mënyrën se si e perceptojmë dhimbjen?
Po. Gjatë ditës truri është i angazhuar me lëvizje dhe stimuj të ndryshëm. Kur pacienti shtrihet dhe qetësohet, sinjalet patologjike nga nervat bëhen shumë më të dukshme.
A mund të ndikojnë temperatura e trupit dhe ambienti i fjetjes në simptomat e neuropatisë?
Temperatura e trupit dhe e ambientit, si temperatura e lartë, ashtu edhe ajo e ulët, ndikojnë në përkeqësimin e simptomave të neuropatisë periferike. Mbulesat, ngrohja e këmbëve dhe qëndrimi i zgjatur në një pozicion mund të rrisin simptomat e neuropatisë.
Çfarë roli luajnë stresi, ankthi dhe cilësia e gjumit?
Stresi, ankthi dhe gjumi i dobët ndikojnë në intensitetin e simptomave të neuropatisë periferike, sidomos në dhimbje, djegie, shpime dhe parestezi.
Gjatë stresit, një stimul që normalisht do të ishte i lehtë mund të perceptohet si më i dhimbshëm.
Gjatë ankthit vjen deri te hipervigjilenca ndaj simptomave, pacienti bëhet më i vëmendshëm ndaj ndjesive trupore.
Privimi nga gjumi ndikon në sistemin qendror që kontrollon dhimbjen.













