Shkruan: Bubulina Peni
Kur një person shtrohet në spital, kujdesi që merr nuk përbëhet vetëm nga diagnoza, analizat, terapia apo procedurat mjekësore. Në ditët kur sëmundja e bën një pacient të pasigurt, të frikësuar apo të varur nga ndihma e të tjerëve, rëndësi ka edhe mënyra se si i flitet, nëse dikush e dëgjon shqetësimin e tij dhe nëse ndihet i trajtuar me dinjitet.
Në këtë pjesë të kujdesit shëndetësor, infermierët kanë një rol të veçantë. Ata janë ndër profesionistët që qëndrojnë më gjatë pranë pacientëve, i përcjellin nga afër gjatë trajtimit dhe shpesh janë personat të cilëve pacientët u drejtohen kur kanë një pyetje, frikë apo nevojë që nuk arrijnë ta shprehin gjatë një konsultimi të shkurtër.
Për Fekrije Hasanin, Eksperte e Lartë e Shëndetësisë në Projektin për Shërbime të Integruara Shëndetësore (IHS), pikërisht kjo afërsi e vendos infermierin në një pozitë të rëndësishme për ta bërë kujdesin shëndetësor më njerëzor.
“Ka momente kur pacienti ka nevojë që dikush t’ia shpjegojë edhe një herë atë që nuk e ka kuptuar. Ka momente kur frika nuk thuhet me fjalë, por shihet në heshtje, në mënyrën se si pacienti përsërit të njëjtën pyetje, apo si kërkon siguri te personi që qëndron pranë tij”, shprehet Hasani.

Kjo marrëdhënie bëhet veçanërisht e rëndësishme kur pacientët përballen me trajtime të gjata, diagnoza të rënda apo pasiguri për shëndetin e tyre. Në këto raste, kujdesi infermieror nuk kufizohet vetëm në zbatimin e një terapie apo procedure. Ai përfshin komunikimin, dëgjimin dhe krijimin e besimit.
“Pikërisht këtu fillon humanizimi i kujdesit shëndetësor: në aftësinë për të parë përtej diagnozës dhe për të parë njeriun që jeton me të”, thekson ekspertja e shëndetësisë.
Afërsia me pacientin si pjesë e kujdesit
Astrit Hajdini, infermier në Klinikën e Onkologjisë, e ushtron profesionin që nga viti 2010. Pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar pranë pacientëve onkologjikë, për të cilët trajtimi shpesh shoqërohet me ngarkesë të madhe emocionale dhe vështirësi të shumta.
“Profesionin e infermierisë e zgjodha sepse gjithmonë kam ndjerë dëshirë të jem pranë njerëzve në momentet më të vështira të jetës së tyre. Puna në shëndetësi, e veçanërisht në onkologji, kërkon jo vetëm njohuri profesionale, por edhe humanizëm, durim dhe mbështetje emocionale për pacientët dhe familjarët e tyre”, shpjegon Hajdini.
Në një repart ku pacientët përballen me diagnoza të rënda dhe trajtime të gjata, marrëdhënia që krijohet me stafin shëndetësor mund të ndikojë në mënyrën se si një pacient e përballon trajtimin.
“Infermieri ka rol kyç në humanizimin e kujdesit shëndetësor, sidomos në Klinikën e Onkologjisë. Përveç terapive dhe kujdesit profesional, pacientët kanë nevojë për mbështetje morale, komunikim të ngrohtë dhe shpresë. Shpesh një fjalë e mirë apo një qasje njerëzore ndikon shumë në gjendjen emocionale të pacientit”, thotë infermieri i Onkologjisë.
Hasani e lidh këtë rol me mënyrën se si ndërtohet komunikimi me pacientin. Sipas saj, komunikimi nuk duhet parë si një gjest formal, por si pjesë e kujdesit profesional.
“Komunikimi nuk është vetëm mirësjellje. Është pjesë e kujdesit profesional”, nënvizon Hasani.
Një komunikim i qartë mund ta ndihmojë pacientin ta kuptojë më mirë gjendjen e tij dhe trajtimin, ndërsa dëgjimi mund të zbulojë shqetësime që nuk shfaqen gjatë një procedure mjekësore. Përfshirja e pacientit në vendimmarrje, ndërkohë, mund t’i rikthejë atij një pjesë të kontrollit në një periudhë kur sëmundja mund t’ia ketë kufizuar ndjeshëm atë.
Një marrëdhënie që mund të ndikojë në trajtim
Përvojat e infermierëve tregojnë se kjo marrëdhënie nuk mbetet vetëm në nivelin e komunikimit.
Hajdini kujton një pacient që ndihej i frikësuar dhe emocionalisht i lodhur nga trajtimi me kimioterapi. Përmes komunikimit të afërt, mbështetjes morale dhe kujdesit të vazhdueshëm, pacienti filloi të fitonte më shumë besim dhe forcë për ta vazhduar trajtimin.
Sipas Hajdinit, pacienti në një moment i kishte thënë mjekut:“Nëse Astriti nuk është në punë, unë nuk vij ta marr terapinë e radhës.”
Këtë deklaratë, infermieri e konsideron një prej vlerësimeve më të rëndësishme të karrierës së tij.
“Për mua, kjo ka qenë një nga vlerësimet më të mëdha si infermier”, thotë ai.
Një përvojë të gjatë në marrëdhënien me pacientët e ka edhe Fetije Huruglica, ish-shefe e Divizionit të Infermierisë në Ministrinë e Shëndetësisë. Ajo e nisi karrierën në vitin 1975 në Klinikën Interne, në repartin e Kardiologjisë.
Siç kujton Fetija, në ditën e parë të punës, babai i saj e shoqëroi deri te hyrja e klinikës dhe i dha një këshillë që Huruglica thotë se e ka mbajtur mend gjatë gjithë karrierës.
“Ditën e parë më përcolli Baba deri tek hyrja e klinikës ku do të filloja punën, më tha duhet të them diçka: tani po hyn me punu me të sëmurët, ata kanë telashe, kanë dhimbje. Ti duhet të rrish para tyre duke qeshur. I thashë po nëse nuk më qeshet, jam e lodhun. Lodhjen duhet ta lësh në supe dhe t’u drejtohesh me fjalë të buta”, kujton Huruglica.
Sipas rrëfimit të saj, Huruglica nuk i kishte mbushur ende 18 vjet kur nisi punën si infermiere. Në vitin 1979, ajo shkoi në Benghazi të Libisë, ku punoi për shtatë vjet në Kardiologji. Pas kthimit në Kosovë, vazhdoi punën në Klinikën Interne, ndërsa më vonë punoi edhe me organizata humanitare gjatë viteve të luftës, duke ofruar shërbime shëndetësore për popullatën e zhvendosur.
Duke kujtuar kushtet e asaj kohe, ish-infermierja thotë:
“Siç e ceka edhe në fillim, infermieret e asaj kohe, me ato pak kushte pune, arrinim të ofrojmë kujdes, ngrohtësi dhe shpresë për pacientët”, kujton ajo.
Sa ka hapësirë për kujdes të personalizuar?
Sot, profesioni i infermierisë në Kosovë zhvillohet në një kuadër të licencimit dhe edukimit profesional. Sipas të dhënave të Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësorë (OIK), aktualisht janë 22,210 infermierë me licencim, ndërsa 10,978 kanë përfunduar procesin e rilicencimit. Në sektorin publik janë të angazhuar rreth 7,800 infermierë.
Megjithatë, OIK nuk disponon të dhëna të plota dhe të detajuara për shpërndarjen e pjesës tjetër të infermierëve ndërmjet sektorit privat dhe institucioneve të tjera shëndetësore.
OIK e konsideron kujdesin e përqendruar te pacienti një prej parimeve themelore të praktikës cilësore infermierore. Kjo përfshin jo vetëm kujdesin klinik, por edhe respektimin e dinjitetit, privatësisë, autonomisë dhe të drejtës së pacientit për informim dhe pjesëmarrje në vendimmarrje.
Në praktikë, megjithatë, zbatimi i njëtrajtshëm i kësaj qasjeje përballet me vështirësi. Ndër sfidat e evidentuara nga OIK janë ngarkesa e lartë në punë, numri i pamjaftueshëm i stafit në raport me nevojat e pacientëve, mungesa e kohës për komunikim individual, ngarkesa administrative dhe nevoja për zhvillim të vazhdueshëm profesional.
Këta faktorë mund ta bëjnë më të vështirë ofrimin e kujdesit të personalizuar, veçanërisht në situatat kur kërkohet kujdes intensiv dhe ndërhyrje e shpejtë.
Hasani thekson se humanizimi nuk mund të varet vetëm nga përkushtimi personal i infermierit.
“Kujdesi i përqendruar te pacienti nuk mund të varet vetëm nga vullneti i mirë i infermieres. Edhe profesionisti më i përkushtuar e ka të vështirë të ofrojë kujdes njerëzor kur punon nën presion, me ngarkesë të madhe dhe pa kohë të mjaftueshme për komunikim”, shprehet ekspertja.
Për të, kujdesi njerëzor kërkon mbështetje institucionale, edukim të vazhdueshëm dhe kushte që u mundësojnë infermierëve të kenë kohë dhe hapësirë për t’u marrë me nevojat e pacientit.

Edukimi profesional dhe komunikimi
Të dhënat e OIK-ut tregojnë se gjatë tri viteve të fundit janë akredituar 458 programe të edukimit të vazhdueshëm profesional. Në kuadër të këtyre aktiviteteve janë lëshuar 47,074 certifikata elektronike nga OIK-u dhe 53,398 certifikata fizike nga institucionet e akredituara, gjithsej 100,472 certifikata.
OIK sqaron se numri i certifikatave nuk përfaqëson domosdoshmërisht numrin e individëve unikë, pasi një infermier mund të ketë marrë pjesë në disa aktivitete.
Programet përfshijnë tema që lidhen me kujdesin dhe sigurinë e pacientit, parandalimin dhe kontrollin e infeksioneve, emergjencat mjekësore, administrimin e sigurt të terapisë, kujdesin ndaj pacientëve me sëmundje të ndryshme, si dhe komunikimin, etikën dhe përgjegjësinë profesionale.
Sipas OIK-ut, kujdesi i përqendruar te pacienti, komunikimi infermier-pacient dhe respektimi i të drejtave, dinjitetit dhe nevojave individuale janë pjesë e aktiviteteve të edukimit të vazhdueshëm profesional.
Komunikimi i qartë dhe profesional ndihmon pacientin ta kuptojë gjendjen e tij shëndetësore, procedurat dhe trajtimin. Një komunikim i mirë ndihmon gjithashtu në identifikimin më të hershëm të nevojave, shqetësimeve dhe pritshmërive të pacientit.
Për Hasanin, kujdesi i përqendruar te pacienti fillon pikërisht me këtë mënyrë të të parit të pacientit.
“Në praktikën shëndetësore është e lehtë që pacienti të shndërrohet, pa dashje, në një dosje apo numër dhome, në një diagnozë apo në detyrën e radhës që duhet përfunduar”, thekson Hasani.
Ajo thekson se pyetja nuk duhet të jetë vetëm se çfarë trajtimi i nevojitet pacientit.
“Kujdesi i përqendruar te pacienti nuk mund të kufizohet vetëm te pyetja: ‘Çfarë trajtimi i nevojitet?’ Duhet të pyesim edhe: ‘Çfarë është e rëndësishme për këtë person? Çfarë e shqetëson? Çfarë nuk po e kupton?’”, shton ekspertja.
Një profesion që edhe pse ndryshon, e ruan thelbin
Përvoja e Huruglicës tregon se infermieria në Kosovë ka kaluar nëpër ndryshime të mëdha, nga kushtet e kufizuara të punës në vitet e para të karrierës së saj deri te zhvillimi i edukimit profesional dhe strukturave të reja të infermierisë.
Në vitin 2001, në ish-Departamentin e Shërbimeve Shëndetësore të udhëhequr nga UNMIK, u themelua Zyra e Infermierisë me synim hartimin e strategjisë së infermierisë në Kosovë dhe avancimin profesional përmes trajnimeve. Me mbështetjen e ekspertëve ndërkombëtarë, në vitin akademik 2003/2004 nisi gjenerata e parë e programit të Infermierisë dhe Mamisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.
Sot, krahas zhvillimit profesional, sfida mbetet që standardet e kujdesit të reflektohen në përvojën e përditshme të pacientit.
Për Hajdinin, përkushtimi dhe empatia duhet të jenë pjesë e punës së çdo infermieri, veçanërisht në repartet ku pacientët përballen me sëmundje të rënda.
“Infermierëve të rinj do t’u thosha ta ushtrojnë këtë profesion me përkushtim, empati dhe përgjegjësi. Në onkologji pacientët kanë nevojë jo vetëm për trajtim, por edhe për mbështetje emocionale dhe njerëzore. Mos harroni kurrë se nganjëherë edhe një buzëqeshje apo një fjalë e mirë mund të ketë ndikim shumë të madh te pacienti”, këshillon Hajdini.
Pas 47 vitesh në profesion, Huruglica thotë se, po t’i jepej mundësia ta zgjidhte përsëri, do të merrte të njëjtin vendim.
“Mesazhi im si infermiere në përvojën time 47-vjeçare, si në klinikë ashtu edhe në punë administrative infermierore, ka qenë dhe në shumë takime ju kam thënë se po të më jepej edhe një jetë, prapë do të kisha zgjedhur të bëhem infermiere”, thotë ish-shefja e Divizionit të Infermierisë.
Ajo shton se “Pacientët nuk harrojnë kujdesin dhe afërsinë që ua jep gjatë momenteve të vështira të jetës, kur kërkojnë ndihmën tonë.”
Në fund, humanizimi i kujdesit shëndetësor nuk kërkon që infermieri të zgjedhë mes profesionalizmit dhe njerëzores. Të dyja janë pjesë e të njëjtit kujdes. Njohuritë klinike, procedurat dhe terapitë janë të domosdoshme, por mënyra se si pacienti dëgjohet, informohet dhe trajtohet përcakton një pjesë të rëndësishme të përvojës së tij.
“Infermieria nuk është vetëm si profesion, por edhe si mision njerëzor që duhet ushtruar nga çdo infermier/e që zgjedh të jetë infermier/e”, përfundon Huruglica.
Në një sistem ku nevojat për kujdes janë të mëdha dhe koha e profesionistëve shpesh është e kufizuar, sfida nuk është vetëm të ofrohet trajtimi i duhur, por të sigurohet që pacienti të mos humbasë vendin e tij në qendër të këtij procesi. Pikërisht këtu qëndron një nga rolet më të rëndësishme të infermierit: të kujdeset për sëmundjen, pa harruar njeriun që jeton me të.
Ky hulumtin është realizuar në kuadër të aktivitetit “Përtej titujve: Gazetaria, sëmundjet kronike jongjitëse dhe tregimet që kanë rëndësi”, një partneritet ndërmjet Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe projektit Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS). IHS është nismë e përbashkët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë. Përmbajtja e intervistës nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet e IHS-së apo AGK-së.













