Çfarë duhet të vërejnë prindërit tek fëmijët
Çrregullimi i spektrit të autizmit (ASD) është një çrregullim neurozhvillimor që mund të ndikojë në mënyrën se si një fëmijë komunikon, mëson, ndërvepron me të tjerët dhe sillet.
Sipas vlerësimeve më të fundit të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), rreth 1 në 36 fëmijë 8-vjeçarë diagnostikohet me çrregullim të spektrit të autizmit.
Shenjat e autizmit ndryshojnë nga një fëmijë tek tjetri. Sipas Chiara Graver, BCBA, COBA, analiste e sjelljes në Qendrën për Autizmin në Cleveland Clinic, autizmi është një gjendje neurozhvillimore që zgjat gjatë gjithë jetës dhe mund të shfaqet përmes vështirësive sociale, sjelljeve të përsëritura ose mënyrave të ndryshme të komunikimit dhe të nxënit.
Shenjat mund të shfaqen që në vitet e para të jetës. Prindërit dhe mjekët zakonisht fillojnë të vërejnë disa prej tyre para moshës 3-vjeçare, ndërsa një vlerësim i specializuar mund të bëhet edhe rreth moshës 18 muajsh.
Megjithatë, nuk ekziston një listë e thjeshtë simptomash që mund të përdoret për të përcaktuar nëse një fëmijë ka autizëm. Shumë prej këtyre shenjave mund të shfaqen edhe tek fëmijët me vështirësi të tjera zhvillimore ose shëndetësore. Për këtë arsye, diagnoza duhet të vendoset nga profesionistë të trajnuar.
Vonesa në komunikim
Një nga shenjat që mund të vërehet është vonesa në zhvillimin e komunikimit. Një fëmijë mund të mos përdorë fjalë ose mënyra të tjera komunikimi për të shprehur atë që dëshiron.
Fëmijët e vegjël nuk komunikojnë gjithmonë përmes fjalëve. Ata mund të tregojnë me gisht, të përdorin gjeste, shenja ose t’i sjellin një të rrituri një objekt për të kërkuar ndihmë.
Nëse këto mënyra të komunikimit mungojnë ose zhvillohen dukshëm më vonë, mund të jetë e nevojshme një vlerësim i zhvillimit të fëmijës.
Lëvizje të përsëritura
Disa fëmijë me autizëm mund të shfaqin lëvizje të përsëritura, të tilla si përplasja e duarve, lëkundja e trupit ose lëvizje të tjera të përsëritura.
Këto sjellje mund të shfaqen edhe gjatë lojës. Vetë një lëvizje e tillë nuk do të thotë domosdoshmërisht se fëmija ka autizëm, por nëse ato janë të shpeshta dhe shoqërohen me shenja të tjera zhvillimore, mund të jenë një arsye për të kërkuar këshillë profesionale.
Vështirësi në kontaktin me sy dhe ndërveprimin social
Një tjetër shenjë mund të jetë mungesa ose kufizimi i kontaktit me sy dhe i reagimit ndaj njerëzve të afërt.
Për shembull, një fëmijë mund të mos kthehet kur prindi i thërret emrin, të mos reagojë kur një person i njohur hyn në dhomë ose të mos i përgjigjet buzëqeshjes së prindit apo kujdestarit.
Megjithatë, edhe këtu duhet pasur kujdes: mënyra se si fëmijët përdorin kontaktin me sy ndryshon dhe mungesa e kontaktit me sy, e marrë e vetme, nuk mjafton për të vendosur një diagnozë.
Interes i fortë ndaj objekteve
Fëmijët shpesh krijojnë lidhje të forta me lodrat, filmat ose aktivitetet e tyre të preferuara. Kjo është pjesë normale e zhvillimit.
Por tek disa fëmijë me autizëm mund të vërehet një interes shumë intensiv ndaj objekteve, veçanërisht ndaj pjesëve të caktuara të tyre.
Për shembull, në vend që të luajë me një lodër në mënyrën e zakonshme, fëmija mund të jetë i përqendruar vazhdimisht te një pjesë specifike e saj ose te një veçori e caktuar e objektit.
Kur prindi ka një “ndjesi” se diçka është ndryshe
Jo gjithmonë ekziston një shenjë e qartë që prindi mund ta identifikojë menjëherë.
Sipas Cleveland Clinic, disa prindër vendosin të kërkojnë një vlerësim sepse kanë një ndjesi se zhvillimi ose sjellja e fëmijës së tyre është disi ndryshe.
Mund të jetë një ndryshim mes fëmijëve të së njëjtës familje, një vonesë në të folur ose një sjellje që prindi nuk arrin ta shpjegojë. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se fëmija ka autizëm, por shqetësimi i prindit është një arsye e vlefshme për të folur me pediatrin.
Ekspertët theksojnë se prindërit dhe kujdestarët e njohin më mirë fëmijën e tyre dhe duhet t’i diskutojnë shqetësimet e tyre me profesionistët shëndetësorë.
Çfarë duhet të bëjnë prindërit?
Vitet e para të jetës janë të rëndësishme për zhvillimin e fëmijës. Nëse vërehen shqetësime, një vlerësim i hershëm mund të ndihmojë në përcaktimin e nevojave të fëmijës dhe në marrjen e mbështetjes së përshtatshme.
Kontrollet e rregullta tek pediatri kanë një rol të rëndësishëm. Gjatë këtyre vizitave nuk kontrollohet vetëm rritja fizike e fëmijës, por edhe zhvillimi i tij.
Mjeku mund të vlerësojë nëse fëmija po arrin në kohën e duhur disa etapa të zhvillimit, si të folurit, ecja, komunikimi dhe ndërveprimi social.
Nëse ka shqetësime, pediatri mund të rekomandojë një vlerësim më të specializuar për autizëm ose terapi që synojnë një fushë të caktuar të zhvillimit, si terapia e të folurit apo terapia okupacionale.
Jo çdo shenjë nënkupton autizëm
Është e rëndësishme që prindërit të mos nxjerrin përfundime vetëm nga një simptomë.
Shenjat e autizmit mund të mbivendosen me ato të gjendjeve të tjera. Për shembull, nëse një fëmijë nuk reagon kur i thirret emri, kjo mund të lidhet me një problem dëgjimi ose me një problem të përkohshëm, si infeksioni i veshit.
Edhe çrregullimi i hiperaktivitetit dhe deficitit të vëmendjes (ADHD) mund të ketë disa karakteristika të përbashkëta me autizmin, përfshirë vështirësitë në komunikim dhe përqendrimin intensiv në interesa të caktuara. Për këtë arsye, dallimi mes tyre mund të jetë i ndërlikuar dhe kërkon vlerësim profesional.
Në fund, nëse prindi ka shqetësime për zhvillimin ose sjelljen e fëmijës, rekomandohet të flasë me pediatrin sa më herët. Një vlerësim profesional mund të ndihmojë në përcaktimin nëse bëhet fjalë për autizëm, një vështirësi tjetër zhvillimore apo thjesht për një ndryshim individual në mënyrën se si zhvillohet fëmija sipas artikullit.













