Në një intervistë për “Familja Jonë”, Dr. Belinda Pustina dr.sci, oftalmologe në Klinikën Gjermane të Syrit, shpjegon çfarë janë tumoret e syrit, dallimin mes tumoreve beninje dhe malinje dhe pse disa prej tyre mund të zhvillohen pa shkaktuar simptoma në fazat e hershme.
Ajo ndalet te shenjat që nuk duhen neglizhuar, si ndryshimet e papritura në shikim, njollat, hijet apo shkëndijat e dritës, si dhe ndryshimet në iris apo bebëzë, duke theksuar rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe diagnostikimit përmes ekzaminimeve të specializuara.
Në këtë intervistë, Pustina flet edhe për faktorët e rrezikut, mundësitë bashkëkohore të trajtimit dhe rastet kur pacientët referohen për trajtim më të specializuar. Ajo thekson se diagnostikimi i hershëm mund të jetë vendimtar në ruajtjen e shikimit dhe të syrit.
Intervista e plotë:
1. Çfarë janë tumoret e syrit dhe sa të shpeshta janë?
Tumoret e syrit janë rritje jonormale të qelizave që mund të zhvillohen në pjesë të ndryshme të syrit, si në kapakë, konjunktivë, korne, iris, horoide, retinë. Mund të jenë beninje ose malinje. Tumoret beninje përbëhen nga qeliza që nuk kanë karakteristika kanceroze dhe zakonisht rriten më ngadalë. Ato nuk përhapen në organe të tjera të trupit. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se janë gjithmonë të padëmshme. Në varësi të madhësisë dhe lokalizimit, një tumor beninj mund të shtypë strukturat e syrit, të ndikojë në shikim ose të shkaktojë ndryshime estetike dhe funksionale.
Tumoret malinje, nga ana tjetër, janë tumore kanceroze. Qelizat e tyre mund të rriten në mënyrë të pakontrolluar, të dëmtojnë indet përreth dhe, në disa raste, të përhapen jashtë syrit nëpërmjet qarkullimit të gjakut ose sistemit limfatik. Një nga tumoret malinje primare më të rëndësishme të syrit te të rriturit është melanoma uveale, e cila mund të zhvillohet në iris, trupin ciliar ose horoide. Tumore të tjera malinje mund të prekin konjunktivën, qepallat dhe strukturat përreth.
Te të rriturit, melanoma uveale është tumori primar malinj më i shpeshtë brenda syrit, por në përgjithësi tumoret e syrit janë shumë të rralla.
Është gjithashtu e rëndësishme të përmendet se jo të gjitha tumoret që gjenden në sy fillojnë në vetë syrin. Kancere nga organe të tjera të trupit mund të përhapen në sy dhe të krijojnë metastaza në sy. Kjo është veçanërisht e rëndësishme te pacientët me histori të mëparshme të kancerit. Metastaza më e shpeshtë në sy është ajo e horoidesë, dhe te gratë më shpesh vjen nga kanceri i gjirit, ndërsa te burrat nga kanceri i mushkërive.
Prandaj, kur një oftalmolog zbulon një masë ose lezion në sy, qëllimi nuk është vetëm të përcaktojë nëse është beninj apo malinj, por edhe çfarë lloj tumori është, sa është rritur, ku ndodhet dhe nëse ka ndonjë rrezik për shikimin ose për shëndetin e përgjithshëm të pacientit. Në shumë raste, ekzaminimi klinik i kombinuar me OCT, ehografi të syrit, fotografi të fundusit dhe ekzaminime të tjera mund të japë informacion shumë të rëndësishëm për diagnozën.
2. Cilat janë simptomat që nuk duhen injoruar?
Jo çdo tumor shkakton simptoma në fazat e hershme. Shenjat që duhet të çojnë te një kontroll oftalmologjik janë: turbullimi ose ndryshimi i papritur i shikimit, shfaqje e njollave ose hijeve të reja në fushën e shikimit, shkëndija drite ose rritje e papritur e “floaters”, një njollë e re ose ndryshim i ngjyrës në iris, ndryshim i dukshëm i formës së bebëzës, dhimbje, skuqje ose presion i pazakontë në sy, dalje e syrit përpara ose ndryshim i dukshëm i tij. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se shumë tumore të syrit mund të jenë pa simptoma dhe të zbulohen rastësisht gjatë ekzaminimit.
3. A mund të zbulohen gjatë një kontrolli rutinë të syve?
Po. Një ekzaminim i plotë oftalmologjik, veçanërisht ekzaminimi i fundusit pas zgjerimit të bebëzës, mund të zbulojë ndryshime të dyshimta edhe kur pacienti nuk ka ankesa. Nëse identifikohet një lezion i dyshimtë, mund të nevojiten ekzaminime shtesë si OCT e syrit, ehografia e syrit, angiografia ose fotografimi i fundusit.
4. Cilët persona janë më të rrezikuar?
Rreziku ndryshon sipas llojit të tumorit. Për melanomën uveale, faktorët e njohur të rrezikut përfshijnë moshën më e shtyer, lëkurën e çelët, sytë me ngjyrë të çelët, disa sindroma gjenetike, si BAP1, disa nevuse ose ndryshime të pigmentuara në sy. Megjithatë, prania e një faktori rreziku nuk do të thotë se personi patjetër do të zhvillojë tumor.
5. A trajtohen tumoret e syrit dhe nga çfarë varet trajtimi?
Po, shumë prej tyre trajtohen, dhe sot qëllimi është jo vetëm kontrolli i tumorit, por kur është e mundur edhe ruajtja e syrit dhe e shikimit.
Zgjedhja e trajtimit varet nga lloji i tumorit, madhësia dhe lokalizimi i tij, përfshirja e strukturave përreth, mosha dhe gjendja e përgjithshme e pacientit. Në varësi të rastit mund të përdoren vetëm përcjella e tumorit, sa është rritur, a ka ndrruar formë apo ngjyrë, në disa raste indikohet kirurgjia, radioterapia lokale (brahiterapia), radioterapia me protone ose trajtime të tjera të specializuara. Në tumoret shumë të mëdha ose të avancuara, në raste të caktuara mund të nevojitet heqja e syrit.
6. A trajtohen tumoret e syrit në Klinikën Gjermane të Syrit?
Po. Në Klinikën Gjermane të Syrit diagnostikohen dhe trajtohen tumoret e syrit dhe zonës përreth tij. Në klinikë trajtohen tumoret e kapakëve, zonës periorbitale (përreth syrit), konjunktivës dhe kornesë, ndërsa kryhet diagnostikimi i plotë i të gjitha llojeve të tumoreve okulare. Vlerësimi bëhet me ekzaminim të detajuar oftalmologjik dhe sipas nevojës me metoda moderne diagnostikuese dhe imazherike. Qëllimi është identifikimi sa më i hershëm i lezioneve, përcaktimi i natyrës së tyre, beninje apo malinje, dhe planifikimi i trajtimit më të përshtatshëm për secilin pacient.
Në rastet që kërkojnë trajtim më të specializuar onkologjik, pacienti mund të referohet në qendra të specializuara onkologjike për sy, duke siguruar një qasje multidisiplinare dhe trajtim të personalizuar.
7. Çfarë këshille do t’u jepnit pacientëve?
Mesazhi kryesor do të ishte: mos prisni që të shfaqen simptoma për të kontrolluar sytë. Një kontroll sistematik te okulisti mund të zbulojë ndryshime të rëndësishme edhe kur shikimi duket normal. Çdo ndryshim i ri ose i pazakontë në shikim duhet të vlerësohet, veçanërisht nëse është i papritur ose progresiv.
Dhe mbi të gjitha, një tumor i syrit nuk do të thotë automatikisht humbje e shikimit ose e syrit. Diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi i përshtatshëm e me kohë mund të bëjnë një ndryshim të madh në prognozë dhe në ruajtjen e shikimit dhe syrit si organ.













