Ajo vuri re se në lagjen e saj në Kaliforni shumë pemë frutore prodhonin më shumë fruta sesa familjet mund të konsumonin. Një pjesë e madhe e tyre përfundonin në tokë dhe kalbeshin, ndërkohë që familje të tjera kishin nevojë për ushqim.
Kjo ide e shtyu Audrey Lowell, atëkohë nxënëse e shkollës së mesme Tamalpais, të ndërmerrte një iniciativë për të zvogëluar mbeturinat ushqimore dhe për të ndihmuar familjet në nevojë.
Në vitin 2020, ajo themeloi organizatën “Food Picked with Love”, duke mbledhur një grup adoleshentësh që angazhohen për të vjelë frutat e papërdorura nga pemët në lagje dhe për t’i dhuruar ato në bankat ushqimore.
Nisma është zgjeruar ndër vite dhe tashmë është e pranishme në tri qytete të Kalifornisë.
Sipas organizatës, vetëm në një lagje janë mbledhur dhe dhuruar më shumë se 6 mijë paund fruta, apo rreth 2.7 tonë. Ushqimi i grumbulluar ndihmon më shumë se 120 familje në qarkun Marin çdo javë.
Përmes kësaj nisme, të rinjtë po tregojnë se edhe një problem i vërejtur në lagjen e tyre mund të shndërrohet në një projekt me ndikim të drejtpërdrejtë në komunitet.
Historia e Audrey-t është një shembull se si iniciativa e një personi të ri mund të bashkojë të tjerët për të luftuar njëkohësisht dy probleme: shpërdorimin e ushqimit dhe pasigurinë ushqimore.













