Oftalmologu, Afrim Shabani, nga Klinika Gjermane e Syrit ka shpjeguar çfarë është dioptria, cilat janë llojet më të zakonshme të anomalive refraktive dhe pse kontrollet e rregullta të syve janë të rëndësishme, veçanërisht gjatë fëmijërisë.
Shabani thekson fillimisht se dioptria nuk duhet të konsiderohet si sëmundje dhe se përdorimi i syzeve nuk nënkupton se një person vuan nga ndonjë sëmundje e syrit.
“Qëllimi i parë është të dihet se dioptria nuk është sëmundje. Kështu që të mos mendojmë se ne po mbajmë syze dhe kemi ndonjë sëmundje.”
Duke e shpjeguar në mënyrë të thjeshtë, ai thotë se dioptria lidhet me mënyrën se si drita thyhet në sy, gjë që mund të ndikojë në qartësinë e shikimit.
“Dioptria, për ta shpjeguar kështu në një format të lehtë që të kuptohet nga të gjithë, është një problem në thyerjen e dritës, që na pamundëson të shohim qartë.”
Sipas tij, anomalitë refraktive ndahen në disa lloje, ndërsa ndër më të zakonshmet janë miopia, hipermetropia dhe astigmatizmi. Në përdorimin e përditshëm, këto probleme shpesh njihen si shkurtpamësi dhe largpamësi.
“Tani, ekzistojnë disa lloje të anomalive apo të thyerjeve të dritës që ne i quajmë si: Myopi, Hyperopi, Astigmatizëm.”
“Në popull dëgjohet shpesh si ‘shkurtpamësi’ ose ‘largpamësi’. Kështu që e mira është që gjithmonë një person, që prej fëmijërisë, të fillojë të ketë kontrolle të rregullta te mjeku i syrit.”
Kontrollet e rregullta te fëmijët
Oftalmologu Shabani vë në pah veçanërisht rëndësinë e kontrolleve të rregullta gjatë fëmijërisë, edhe në rastet kur prindërit nuk vërejnë ndonjë problem të dukshëm me shikimin e fëmijës.
Ai shpjegon se një anomali refraktive e pazbuluar mund të ndikojë në zhvillimin e të parit, ndaj identifikimi dhe trajtimi në kohë janë të rëndësishëm.
“Arsyeja është se kur një pacient ose fëmijë ka anomali refraktive, ky problem (nëse ekziston) mund të shkaktojë probleme në zhvillimin e të parit gjatë gjithë jetës së atij personi. E mira është gjithmonë që të bëhet një kontroll i rregullt, madje edhe nëse prindërit nuk shohin asnjë problem te fëmija. Kontrolli i rregullt përjashton sëmundjet e para, si dhe përcakton se ai fëmijë a ka nevojë të mbajë syze apo jo.”
Një nga pyetjet që, sipas Shabanit, bëhet më shpesh nga prindërit dhe pacientët është nëse përdorimi i syzeve mund ta largojë dioptrinë.
“Pyetja më e shpeshtë që na bëhet nga prindërit ose nga pacientët në përgjithësi është: ‘Nëse mbaj syze, a do të më largohet dioptria?’”
Për këtë, përgjigjja e tij është e qartë. Syzet nuk e largojnë dioptrinë, por shërbejnë për të përmirësuar shikimin.
“Jo, kjo nuk është e vërtetë. Syzet nuk janë mjet terapeutik ose terapi. Syzet janë mjet ndihmës që ndihmojnë që ai person të shohë më mirë. Kështu që ta largojmë njëherë e përgjithmonë mendimin se po mbajtëm syze, do të na largohet dioptria.”
Cili është dallimi mes dioptrisë plus dhe minus?
Shabani ka shpjeguar gjithashtu dallimin mes dioptrisë plus dhe minus, duke vënë në pah mënyrën se si ato ndikojnë në shikim dhe disa nga veçoritë e tyre, veçanërisht te fëmijët.
Për dioptrinë plus, ai thotë se në disa raste mund të zvogëlohet gjatë jetës, ndërsa te fëmijët një dioptri e lartë mund të lidhet me rrezikun e zhvillimit të ambliopisë, e njohur zakonisht si “syri dembel”.
“Dioptria Plus: Si dioptri ka mundësi të zvogëlohet gjatë jetës vetvetiu dhe asnjëherë nuk shkakton probleme në pjesën e pasme të syrit. Mirëpo, nëse kemi plus të madh në fëmijëri të hershme, fëmija rrezikon të zhvillojë ambliopi (që njihet si ‘syri i dembel’).”
Ndërsa sa i përket dioptrisë minus, Shabani shpjegon se personi me këtë lloj dioptrie mund të shohë më mirë nga afër, por të ketë vështirësi për të parë qartë në distancë. Sipas tij, dioptria e lartë minus lidhet edhe me ndryshime në pjesën e pasme të syrit dhe me rrezik më të madh për probleme të retinës.
“Dioptria Minus: Personi sheh afër, por nuk sheh mirë larg. Zakonisht e dimë që nëse ekziston, minus-i nuk zvogëlohet vetvetiu. Nëse është dioptri shumë e madhe minus, shkakton probleme sepse pjesa e pasme e syrit (retina) është më e hollë dhe më e rrezikshme për sëmundje të tutjeshme.” shpjegon Shabani.
Klinika Gjermane e Syrit gjendet në kilometrin e 5-të të rrugës dytësore Prishtinë–Ferizaj. Klinika mund të kontaktohet në numrat +383 (0)38 60 60 63 dhe +383 (0)45 33 85 88, si dhe përmes adresës elektronike info@kgjs.net.











