Kujdesi për një person me demencë mund të jetë sfidues. Situata mund të bëhet edhe më e vështirë kur personi nuk ka një ritëm të rregullt gjumi dhe ka nevojë për kujdes gjatë gjithë ditës dhe natës.
“Çrregullimet e gjumit janë të zakonshme te personat me demencë”, thotë psikologia klinike e shëndetit dhe ekspertja e kujdesit për të sëmurët, Dr. Lucille Carriere, për Cleveland Clinic. “Gjumi i dobët është një nga arsyet kryesore pse kujdestarët marrin në konsideratë transferimin e të afërmit të tyre në një qendër të specializuar për kujdesin ndaj personave me probleme të kujtesës.”
Dr. Carriere dhe ekspertja e mjekësisë së sjelljes së gjumit, Dr. Michelle Drerup, shpjegojnë lidhjen mes demencës dhe gjumit, si dhe japin disa këshilla për kujdestarët që duan të ndihmojnë të afërmit e tyre dhe veten.
Problemet e gjumit që lidhen me demencën
Personat me demencë mund të përjetojnë lloje të ndryshme të problemeve të gjumit, përfshirë:
- Vështirësi për të fjetur dhe për të qëndruar në gjumë.
- Gjumi i tepërt gjatë ditës dhe qëndrimi zgjuar gjatë natës.
- Vështirësi për të dalluar ditën nga nata.
- Zgjimi gjatë natës i shoqëruar me konfuzion, frikë ose ankth.
- Endja ose largimi nga dhoma gjatë natës.
Fazat e demencës dhe gjumi
Problemet e gjumit mund të ndryshojnë në varësi të personit, llojit të demencës dhe fazës së sëmundjes. Në përgjithësi, gjasat për çrregullime të gjumit rriten ndërsa demenca përparon.
“Në fazat e avancuara të demencës, një model tipik është zgjimi i shpeshtë gjatë natës dhe gjumi i tepërt gjatë ditës”, shpjegon Dr. Drerup. “Personat mund të flenë më gjatë në total, por cilësia e gjumit shpesh është e dobët.”
Pse demenca ndikon në gjumë?
Mjekët nuk janë ende plotësisht të sigurt se çfarë i shkakton çrregullimet e gjumit te personat me demencë. Megjithatë, besohet se ndikojnë disa faktorë.
Ndryshimet në tru
Sëmundja që shkakton demencën mund të prekë pjesën e trurit që kontrollon orën e brendshme biologjike të trupit. Personat me demencë mund të prodhojnë gjithashtu më pak melatoninë, hormon që ndihmon në nxitjen e gjumit.
Ndryshimet në sjellje
Simptomat e sjelljes që shoqërojnë demencën mund të ndërhyjnë në gjumë. Disa persona me demencë, përfshirë ata me sëmundjen e Alzheimerit, përjetojnë një fenomen të njohur si “sundowning”, ose përkeqësimi i konfuzionit dhe shqetësimit gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes.
“Sundowning shkakton konfuzion dhe shqetësim në orët e vona të pasdites dhe në mbrëmje”, thotë Dr. Carriere. “Kjo mund ta bëjë shumë të vështirë përgatitjen për gjumë dhe rënien në gjumë.”
Çrregullimet e gjumit
Çrregullimet e gjumit mund të shfaqen krahas problemeve të tjera të lidhura me demencën. Ndër më të zakonshmet janë:
- Çrregullimi i sjelljes gjatë gjumit REM, i cili mund të bëjë që personi të përjetojë fizikisht ëndrrat, për shembull duke goditur, shkelmuar ose bërtitur.
- Sindroma e këmbëve të shqetësuara, e cila shkakton lëvizje të pakontrollueshme të këmbëve gjatë natës.
- Apnea e gjumit, e cila shkakton ndërprerje të shkurtra të frymëmarrjes dhe mund të prishë gjumin.
Faktorët që lidhen me moshën
Me kalimin e moshës rritet mundësia për të pasur probleme me gjumin. Sipas Dr. Drerup, pagjumësia dhe apnea e gjumit janë më të zakonshme te të rriturit e moshuar. Edhe sëmundjet, dhimbjet dhe medikamentet mund të ndikojnë në cilësinë e gjumit.
Çfarë pasojash ka gjumi i dobët?
Gjumi i dobët mund të ndikojë ndjeshëm në humor, energji dhe aftësinë për të kryer aktivitetet e përditshme. Ai lidhet gjithashtu me probleme të ndryshme shëndetësore, përfshirë diabetin, sëmundjet kardiovaskulare, presionin e lartë të gjakut dhe mbipeshën ose obezitetin.
Te personat me demencë, mungesa e gjumit mund të përkeqësojë simptomat e sjelljes, njohëse dhe emocionale të sëmundjes. Ndërkohë, edhe kujdestarët mund ta kenë më të vështirë të përballojnë nevojat e të afërmit të tyre.
Si mund të përmirësohet gjumi te personat me demencë?
Një gjumë më i mirë është i mundur si për personin me demencë, ashtu edhe për kujdestarin e tij. Mund të jetë e nevojshme të ndryshohen disa zakone ose edhe ambienti ku personi fle.
Ekspertet e Cleveland Clinic rekomandojnë këto gjashtë hapa:
1. Vendosni orare të rregullta për gjumin dhe zgjimin
Shkuarja në shtrat dhe zgjimi në të njëjtën orë çdo ditë mund të ndihmojnë në ruajtjen e një ritmi të qëndrueshëm gjumi. Kjo mund të ndihmojë gjithashtu në uljen e konfuzionit mes ditës dhe natës.
2. Krijoni një rutinë qetësuese para gjumit
Reduktimi i stimulimit para gjumit dhe në ambientin ku personi fle mund ta bëjë më të lehtë rënien në gjumë dhe qëndrimin në të.
Mund të ndihmojnë aktivitete qetësuese si banja, masazhi ose muzika e butë. Gjithashtu rekomandohet shmangia e kafeinës në orët e vona të ditës dhe fikja e pajisjeve elektronike rreth një orë para gjumit.
Dhoma e gjumit duhet të jetë e qetë dhe relaksuese. Nëse zhurma nuk mund të eliminohet, mund të përdoret një pajisje që prodhon zhurmë të bardhë.
3. Kufizoni dremitjet gjatë ditës
Mund të mos jetë e mundur të eliminohen plotësisht dremitjet. Nëse gjumi gjatë ditës e ndihmon personin të funksionojë më mirë, përpiquni të kufizoni kohëzgjatjen e tij dhe shmangni dremitjet në orët e vona të pasdites ose në mbrëmje.
4. Inkurajoni aktivitetin
Aktiviteti fizik dhe social mund të ndihmojë në përmirësimin e gjumit dhe shëndetit të përgjithshëm. Kalimi i kohës jashtë ose pranë një dritareje me diell mund të ndihmojë gjithashtu personat me demencë të dallojnë më mirë ditën nga nata.
5. Siguroni një ambient të sigurt
Për personat me demencë që enden gjatë natës, siguria është një shqetësim i rëndësishëm.
Nëse personi është i shqetësuar, mund të ndihmojë qetësimi dhe orientimi i vëmendjes drejt një aktiviteti që i pëlqen. Para gjumit duhet të sigurohen nevojat bazë, si përdorimi i tualetit dhe hidratimi.
Çelësat, palltot dhe kapelet mund të mbahen jashtë fushës së shikimit për të shmangur nxitjen e largimit nga shtëpia. Mund të përdoren edhe alarmet dhe kyçet e dyerve, ndërsa dyert e jashtme duhet të sigurohen.
6. Kontrolloni medikamentet
Disa medikamente mund të shkaktojnë shqetësim ose rritje të vigjilencës te personat me demencë. Një profesionist shëndetësor mund të shqyrtojë medikamentet që përdor personi dhe, nëse është e nevojshme, t’i përshtatë ato për të reduktuar këto efekte.
Është e rëndësishme të tregohet kujdes edhe me medikamentet që personi merr gjatë qëndrimit në spital. Në rast dyshimi, flisni me ekipin mjekësor për efektet anësore të mundshme.
A janë të sigurta medikamentet për gjumë?
Jo të gjitha medikamentet për gjumë janë të sigurta për personat me demencë. Disa medikamente me recetë mund të ndikojnë në funksionimin e trurit. Edhe medikamentet pa recetë, përfshirë melatoninën ose qetësuesit që përdoren gjatë natës, mund të mos jenë të përshtatshme për çdo person.
“Edhe medikamentet për gjumë që njerëzit i kanë përdorur prej vitesh mund të ndikojnë ndryshe në tru kur ata zhvillojnë demencë”, thekson Dr. Drerup.
Prandaj, mos i jepni një personi me demencë medikamente për gjumë pa u konsultuar më parë me mjekun. Profesionisti shëndetësor mund të vlerësojë përfitimet dhe rreziqet dhe të përcaktojë nëse një medikament është i sigurt.
Kujdestarët kanë nevojë për ndihmë gjithashtu
Menaxhimi i zgjimeve gjatë natës, ndërkohë që kujdeseni për një person me demencë gjatë ditës, mund të jetë jashtëzakonisht i lodhshëm. Në planin afatgjatë, kjo mund të çojë në rraskapitje të kujdestarit (burnout).
Nëse nuk po flini mjaftueshëm, Dr. Carriere rekomandon të kërkoni ndihmë sa më shpejt nga ekipi juaj mjekësor.
Një neurolog ose gerontolog mund të ndihmojë në menaxhimin e “sundowning”, vlerësimin e medikamenteve dhe rekomandimin e strategjive të sjelljes. Një psikolog klinik ose psikolog i specializuar në gjumë mund të ndihmojë në trajtimin e sjelljeve specifike dhe në krijimin e një plani veprimi. Edhe një terapist okupacional mund të ndihmojë në krijimin e rutinave dhe aktiviteteve ditore që mund të përmirësojnë gjumin gjatë natës.
Kujdestarët duhet të mendojnë gjithashtu për kujdesin ndaj vetes. Nëse është e mundur, kërkimi i ndihmës nga një familjar ose person tjetër gjatë mbrëmjes apo natës mund t’ju japë mundësinë të pushoni.
A shkaktojnë problemet e gjumit demencë?
Kërkimet tregojnë se apnea e gjumit dhe mungesa e gjumit mund të rrisin rrezikun për demencë. Megjithatë, sipas Dr. Carriere, nuk ka prova të qarta se gjumi i dobët e shkakton drejtpërdrejt demencën.
“Është e rëndësishme ta shohim rrezikun për demencë nga një këndvështrim më i gjerë”, thotë Dr. Drerup. “Shumë faktorë mund të rrisin rrezikun, ndoshta më shumë sesa gjumi. Mënyra e jetesës luan një rol të madh.”
Disa hapa që mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut për demencë janë:
- Të jeni fizikisht aktivë.
- Të kufizoni konsumin e alkoolit.
- Të ruani një peshë të shëndetshme.
- Të menaxhoni sëmundjet kronike, si presioni i lartë i gjakut dhe diabeti.
- Të parandaloni dhe trajtoni humbjen e dëgjimit.
- Të lini duhanin.
- Të kërkoni ndihmë për depresionin.
Nëse shqetësoheni vazhdimisht për gjumin, kjo mund ta përkeqësojë problemin. Në çdo rast, problemet e vazhdueshme me gjumin janë një arsye e mirë për të folur me një profesionist shëndetësor dhe për të kërkuar mënyra për ta përmirësuar cilësinë e gjumit sipas artikullit.













