Pre, Maj 20, 2022
Banner Top
Banner Top
U PROMOVUA LIBRI ” UDHËTIM PËR TY”, I AUTORES, DONJETË AHMETAJ

Sonte në Prizren, është promovuar libri ” Udhëtim për ty”, i autores, Donjetë Ahmetaj. Pjesë e këtij aktiviteti kulturor ishin personalitete të fushave të ndryshme, miq e bashkëpunëtorë të autores. Psikologu dhe teologu, Musa Musai, tha se autorja me këtë botim të veçantë, ka sjell nga një këndvrojtim një vepër të ndërtuar mbi gërshetimin e konstatimeve të shkencave mjekësore dhe psikologjike, mbështetur në përvojën e vet ekzistenciale për të nxjerrë këshilla e mësime për atë që vjen në jetë, vajzën e saj.

Njëri nga recensentët e librit, Fitim Uka, tha se, libri mund të quhet një ditar nëne, një jetëshkrim i kufizuar në një periudhë unike.Por, është më shumë se kaq, meqenëse i tërë libri është përplot me mesazhe të fuqishme jete, që vijnë në formulime të shkurtra, herë si këshilla për fëmijën që po vjen në jetë, herë si porosi për lexuesin, theksoi ai.

Nga Tirana, përmes një videomesazhi ka përgëzuar autoren për këtë libër, artisti Gjergj Leka, ndërkaq, gazetarja Saranda Bujupi- Ramaj, tha se Donjetë Ahmetaj me këtë botim ka prekur secilën ndjesi të të qenit prind.

Në fund, vet autorja Donjetë Ahmetaj, ka rrëfyer eksperiencat e veta gjatë shkrimit të librit. Në librin “Udhëtim për ty”, autorja Ahmetaj paraqet një bisedë me vajzën që do të lindë, për t’ia mësuar virtytet më të vlefshme bazuar në përvojën e saj njerëzore.Ky është libri i parë i saj në këtë tip literature, ndërsa libri i dytë në tërësi, pas botimit të librit me poezi “Ngjyra moshe” në vitin 2008.

Arkiva

Kategoritë