Osteoid osteoma (OO) është një tumor beninj i kockës që paraqitet kryesisht te fëmijët dhe të rinjtë. Karakterizohet nga dhimbje të forta, shpesh më të theksuara gjatë natës, të cilat zakonisht qetësohen me antiinflamatorë jo-steroidalë. Megjithëse beninje, kjo patologji mund të ndikojë ndjeshëm në cilësinë e jetës së pacientit për shkak të dhimbjeve të vazhdueshme dhe kufizimit të aktiviteteve të përditshme.
Me kënaqësi ndajmë një tjetër sukses të mjekësisë moderne intervenuese në Royal Imaging Center (RIC). Në bashkëpunim të ngushtë multidisiplinar ndërmjet ekipit të ortopedisë, radiologjisë intervenuese dhe anesteziologjisë, u realizua me sukses ablacioni laserik i një osteoid osteome në femurin e majtë te një fëmijë 6-vjeçar.
Procedura u krye nën udhëheqje precize të CT-së nga ekipi i përbërë nga Dr. Qerim Kida (Ortoped), Dr. Dashmir Belallari (Anesteziolog), Dr. Flamur Mushica dhe Dr. Naza Bushi (Radiologë), duke mundësuar trajtim minimalisht invaziv, me saktësi të lartë dhe pa nevojë për ndërhyrje kirurgjikale klasike.
Rezultati ishte i shkëlqyeshëm: pacienti që të nesërmen ishte pa dhimbje dhe u lirua në shtëpi në gjendje të mirë të përgjithshme, me rekomandime për rikthim gradual në aktivitetet normale.
Ky sukses përfaqëson vetëm një nga inovacionet e shumta që po zhvillohen në Royal Imaging Center, duke sjellë teknologjitë më moderne diagnostike dhe terapeutike në shërbim të pacientëve tanë.
Sipas informatave tona dhe dokumentimit aktual, ky paraqet rastin e parë të dokumentuar të ablacionit laserik të osteoid osteomës nën udhëheqje të CT-së në Kosovë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në avancimin e radiologjisë intervenuese dhe trajtimeve minimalisht invazive në vendin tonë.













