Sht, Maj 30, 2026
Banner Top
Banner Top
Si të mbrohet mirëqenia emocionale e fëmijëve gjatë divorcit? Intervistë me psikologen klinike Antigona Qenaj Sejdiu

Familja Jonë ka zhvilluar një intervistë me Antigona Qenaj Sejdiu, psikologe klinike dhe psikoterapiste trupore, për të diskutuar ndikimin që mund të ketë divorci në gjendjen emocionale të fëmijëve.

Në këtë intervistë, ajo flet për mënyrat se si fëmijët mund ta përjetojnë ndarjen e prindërve, çfarë duhet të kenë parasysh prindërit gjatë kësaj periudhe, cilat sjellje dhe veprime është e rëndësishme të shmangen, si dhe cilat janë disa nga shenjat që mund të tregojnë se fëmija po përballet me vështirësi emocionale.

Intervistën e plotë mund ta lexoni më poshtë:

Si mund ta menaxhojnë prindërit ndarjen ose divorcin në mënyrë që të mbrojnë mirëqenien emocionale të fëmijëve?

Antigona Qenaj Sejdiu: Mënyra si menaxhohet divorci ka ndikim shumë të madh te fëmijët. Ata kanë nevojë për siguri, stabilitet dhe dashuri nga të dy prindërit. Është e rëndësishme të shmangen konfliktet para fëmijëve, të ruhet rutina e tyre dhe t’u bëhet e qartë se nuk janë fajtorë për ndarjen.

Cilat janë gabimet më të zakonshme që bëjnë prindërit gjatë divorcit?

Antigona Qenaj Sejdiu: Gabimet më të shpeshta janë konfliktet e vazhdueshme, kritikimi i ish-partnerit para fëmijës, manipulimi emocional dhe vendosja e fëmijës “në mes”. Këto situata mund të shkaktojnë ankth, pasiguri dhe probleme emocionale afatgjata te fëmijët.

Si duhet t’u komunikohet fëmijëve ndarja e prindërve?

Antigona Qenaj Sejdiu: Komunikimi duhet të jetë i qetë, i sinqertë dhe i përshtatur me moshën e fëmijës. Fëmijëve duhet t’u thuhet se ndarja është vendim i të rriturve dhe se ata do të vazhdojnë të jenë të dashur dhe të mbështetur nga të dy prindërit.

Sa e rëndësishme është përkujdesja e përbashkët pas divorcit?

Antigona Qenaj Sejdiu: Është shumë e rëndësishme. Kur prindërit bashkëpunojnë dhe komunikojnë me respekt, fëmija ndihet më i sigurt emocionalisht. Konflikti i vazhdueshëm mes prindërve zakonisht dëmton më shumë sesa vetë divorci.

Cilat janë shenjat që tregojnë se një fëmijë po e përjeton rëndë ndarjen e prindërve?

Antigona Qenaj Sejdiu: Shenjat më të zakonshme janë tërheqja emocionale, nervozizmi, problemet me gjumin, rënia e suksesit në shkollë, ankthi, izolimi social apo ndryshimet e papritura në sjellje. Tek adoleshentët mund të shfaqen edhe mungesë motivimi dhe sjellje rrezikuese.

Çfarë mund të bëjnë prindërit për të ruajtur harmoninë familjare edhe pas ndarjes?

Antigona Qenaj Sejdiu: Prindërit duhet të fokusohen te nevojat emocionale të fëmijës dhe jo te konfliktet personale. Respekti reciprok, komunikimi i qetë dhe përfshirja aktive e të dy prindërve në jetën e fëmijës krijojnë një ambient më të shëndetshëm emocional.

A është divorci gjithmonë më i dëmshëm për fëmijët sesa vazhdimi i martesës?

Antigona Qenaj Sejdiu: Jo domosdoshmërisht. Në shumë raste, një ambient familjar me konflikte të vazhdueshme, dhunë apo tension emocional mund të jetë më i dëmshëm për fëmijën sesa një ndarje e menaxhuar në mënyrë të shëndetshme.

A reagojnë të gjithë fëmijët njësoj ndaj divorcit?

Antigona Qenaj Sejdiu: Jo. Çdo fëmijë e përjeton ndryshe. Disa bëhen më të heshtur, disa më agresivë, ndërsa të tjerë përpiqen të “kujdesen” emocionalisht për prindërit. Prandaj është e rëndësishme që prindërit të jenë të vëmendshëm ndaj ndryshimeve në sjellje dhe emocione.

Sa ndikon gjendja emocionale e prindërve te fëmijët?

Antigona Qenaj Sejdiu: Fëmijët e ndjejnë shumë gjendjen emocionale të prindërve. Kur prindërit arrijnë të menaxhojnë stresin dhe emocionet e tyre, fëmijët ndihen më të sigurt dhe më të mbrojtur emocionalisht.

Kur duhet kërkuar ndihmë profesionale?

Antigona Qenaj Sejdiu: Kur fëmija shfaq ankth të vazhdueshëm, izolim, probleme në shkollë, agresivitet apo vështirësi të mëdha emocionale, ndihma profesionale është shumë e rëndësishme. Psikologu mund të ndihmojë si fëmijën, ashtu edhe prindërit të kalojnë më shëndetshëm këtë periudhë.

Youtube

Arkiva

Kategoritë