Ruajtja e traditës shqiptare dhe përcjellja e saj te brezi i ri janë në qendër të veprimtarisë së Shoqatës Kulturore Shqiptare “Arbëria” në Klagenfurt të Austrisë.
Përmes aktiviteteve kulturore dhe angazhimit të fëmijëve në valle tradicionale, shoqata synon që kultura shqiptare të mbetet e gjallë edhe jashtë trojeve shqiptare, duke u prezantuar njëkohësisht edhe para komuniteteve të tjera.
Një nga mënyrat përmes të cilave “Arbëria” e përmbush këtë qëllim është pjesëmarrja në aktivitete dhe festivale kulturore ndërkombëtare. Përmes valleve dhe veshjeve tradicionale, fëmijët që janë pjesë e shoqatës përfaqësojnë kulturën shqiptare dhe krijojnë mundësi për njohje e shkëmbim me kultura të tjera.
Këtë mision shoqata e solli në pah edhe më 17 korrik 2026, kur mori pjesë për herë të parë në Festivalin Ndërkombëtar të Valleve për Fëmijë në Klagenfurt. Grupi i “Arbërisë” u paraqit fillimisht në Alter Platz dhe më pas në mbrëmje në Burghof, krahas grupeve nga vende të ndryshme.
Pjesëmarrja në këtë festival, të organizuar nga Kinder Volkstanzgruppe Klagenfurt nën drejtimin e Helmut Palkos, ishte një mundësi që puna e shoqatës dhe angazhimi i fëmijëve të marrin një dimension ndërkombëtar.
Për “Arbërinë”, vallëzimi nuk është vetëm një performancë artistike. Ai shërben edhe si mënyrë për t’u lidhur me traditën, për të ruajtur identitetin kulturor dhe për t’ua përcjellë brezave të rinj elementet e kulturës shqiptare.
Paraqitja në Klagenfurt shënoi kështu një hap të ri për shoqatën në përpjekjen e saj për ta bërë kulturën shqiptare të dukshme dhe të pranishme në jetën kulturore të qytetit.













