Rita Demiri, pediatre neonatologe, thekson se e qara e foshnjës nuk duhet parë menjëherë si shenjë shqetësimi, por si një nga format kryesore të komunikimit që ajo përdor në muajt e parë të jetës.
“Kur qan beba është një komunikim, jo patjetër që bebja është e sëmurë. Një e qarë e një bebeje ka shumë gjasa në muajt e parë të jetës për shkak të ngërçeve të barkut, sepse tre muaj u duhen zorrëve që të adaptohen me qumështin, sepse nëntë muaj kanë qenë sterile, është ushqyer përmes kërthizës. Kështu që, ajo e qarë mund të jetë për atë shkak,” shpjegon Demiri.
Sipas saj, prindërit duhet të tregojnë kujdes dhe të vëzhgojnë disa tregues bazë të gjendjes së foshnjës përpara se të alarmohen. Ajo thekson se është e rëndësishme të kontrollohet nëse foshnja ka temperaturë, nëse ushqehet rregullisht, nëse fle mirë, si dhe nëse proceset fiziologjike si urinimi dhe jashtëqitja janë normale.
Sipas Demirit, këta janë indikatorë të rëndësishëm që ndihmojnë në vlerësimin e gjendjes së përgjithshme shëndetësore të bebes.
Në rastet kur të gjitha këto funksione janë në rregull dhe foshnja paraqitet vitale, Demiri këshillon që prindërit nuk duhet të shqetësohen pa arsye, pasi e qara mund të jetë pjesë normale e zhvillimit dhe përshtatjes së foshnjes me jetën.
Më poshtë mund të gjeni videon ku Demiri e trajton më në detaje këtë temë, duke dhënë këshilla praktike për prindërit e rinj.
Ndërkohë, në videon tjetër më poshtë mund të ndiqni emisionin e plotë, ku Rita Demiri, pediatre neonatologe, e ftuar në emisionin “Familja Jonë”, flet gjerësisht për të porsalindurit, sfidat e ditëve të para pas lindjes, si dhe kujdesin e duhur për foshnjat që nga momentet e para të jetës së tyre.













