Sht, Mar 23, 2024
Banner Top
Banner Top
Farmacistja Ditjona Gashi: Parandalimi më i mirë se trajtimi!

Ditjona Gashi është Magjistre e Farmacisë nga Prizreni, ku jeton dhe vepron tashmë e sa vite Ajo për portalin “Familja jonë” është shprehur për rrjedhojën pandemike në lëminë e farmacisë, ndikimin e saj në tregun farmaceutik, por edhe tek ata të cilët janë në kërkim të shërbimeve farmaceutike, pacientët.

Ndër të tjera, Gashi u shpreh se që nga kontakti i parë me pacientët, sfidat kanë qenë të mëdha.

Intervistën e plotë me Ditjona Gashin e gjeni më poshtë.

 Cilat kanë qenë sfidat gjatë përballjes me COVID-19 për ju si farmacist?

Duke u nisur qe nga kontakti i parë me pacientin sfidat kanë qenë te mëdha, filluar nga shprehja e fytyrës mundohemi të bartim pozitivitet, të japim sa më shumë këshilla dhe t’i bindim pacientët të mos bëjnë panik, sepse në këtë gjendje ku ndodhemi është shumë me rëndësi të kemi shëndetin mendor së pari.

 A mendoni se qasja e farmacistëve ndaj pacientëve apo anasjelltas ka qenë e vështirë gjatë kësaj kohe?

Qasja me pacientin ka qenë shumë e vështirë, për shkak që situata ka ndikuar edhe në gjendjen ekonomike të pacientit, kështu që jemi munduar të tregohemi sa më të durueshëm dhe tolerantë ndaj sjelljeve agresive. Po ashtu rritja cmimeve të barnave ka bërë që pacientët të revoltohen duke ofenduar farmacistin për shfrytëzimin e situatave, por në të vërtetë rritja cmimeve nuk ka të bëjë me farmacistin apo barnatoren, por me kompanitë distributive.

A ka pasur mungesë furnizimi të barnave esenciale për t’i ofruar qytetarëve shërbimet farmaceutike të nevojshme për ta?

 Në fillim të pandemisë jemi ballafaquar me mungesë të materialit shpenzues elementar si doreza, maska dhe dezinfektues, gjë që ka ndikuar edhe në rritjen e cmimeve, për shkak kërkesës së madhe. Ekonomikisht e shpjegueshme, në bazë të kërkesës dhe ofertës kemi pësuar rritje cmimesh nga kompanitë ku dhe jemi furnizuar më vonë.

 Cilat kanë qenë barnat të cilat më së shumti janë rekomanduar nga mjekët per pacientët me COVID-19?

 Duke u bazuar në recetat që kemi pranuar, barnat që janë përshkruar nga mjeku më shumë janë kryesisht vitamina si dhe barna të natyrës antikoagulantë, analegjetikë, antibiotikë, dhe kohët e fundit me antiviralë.

 A jepen këto barna pa recetë?

Absolutisht që jo. Këto barna nuk i kemi dhënë pa recetë, përvec vitaminave dhe suplementeve të tjera shëndetësore që jepen pa recetë mjekësore.

Ne tashmë e dimë se në fillim të pandemisë ka pas një vrull të madh të qytetarëve për t’u pajisur me mjete mbrojtëse, a mendoni se ky vrull tash është shuar apo është rritur më tepër?

Padyshim që në stadin fillestar të pandemisë ka pasur rritje enorme për t’u përgatitur me mjetet e rekomaduara nga Ministria e Shëndetësise dhe IKSHPK, si masë parandaluese ndaj COVID-19. Por, sikur një kohë kjo rritje “enorme” ra, për shkak të paragjykimeve dhe mosbesimit të ekzistencës së virusit, por tani me vendosjen e masave të reja të rregulluara në mënyrë ligjore qytetatrët kanë filluar t’i respektojnë më tepër masat dhe janë më tepër të vetëdijësuar.

 A pritet se cmimet e maskave apo dezinfektuesve të rritet meqenëse tani po hyjmë në një valë të re të theksuar dhe rrezikohet për sasi të këtyre mjeteve mbrojtëse?

Cmimorja mbi produktet bazë për mbrojtjen nga COVID-19 nuk është se mbetet e pandryshueshme për shkak të kërkesës së madhe tek kompanitë nga barnatoret dhe institucionet, detyrimisht në bazë të natyrës së shitjes kjo po ndikon dhe në ndryshimin e cmimit nga distributorët farmaceutik

Sa ka qenë e kënaqshme te qytetarët kjo shitje, dhe a vazhdon të ketë trend të njëjtë të shitjes së këtyre produkteve te qytetarët?

 Fatkeqësisht duke e njohur ekonominë e vendit tonë, rritja e cmimeve ka qenë e papranueshme nga qytetarët, duke u bazuar nga eksperiencat e shitjes së mëparshme të këtyre produkteve me cmim trefish më të ulët.

 A mendoni se farmacia ka qenë po ashtu në vijë të frontit në luftën me COVID-19 ? Si e shihni ju qasjen tuaj me pandeminë?

 Pandemia ka goditur të gjithë profesionistët shëndetësorë, duke përfshirë edhe farmacistët, por ballafaqimi kryesor dhe më i madh i farmacistëve ka qenë ai i qasjes direkte me pacientin, i cili, nga frika për t’u orientuar te mjeku, është paraqitur me simptomatologji të shprehur duke kërkuar ndihmë nga farmacisti (pa dyshim këta pacient potent janë udhëzuar që të kryejnë konsultë mjekësore). Me këtë mund të them se farmacistët kanë qenë po ashtu të rrezikuar në masë të madhe apo në vijë të frontit me virusin Sars Cov. Jemi ballafaquar me raste kur pacientët me Covid-19 pozitiv kanë neglizhuar sëmundjen duke rrezikuar përhapjen në familjen si dhe rrethin shoqëror, andaj bëhuni të shëndetshëm dhe kërkoni këshilla sepse vendi ynë ka profesionistë shëndetësorë që mund t’ju dalin në ndihmë, kështu mbroni vetën, familjen dhe shoqërinë tuaj.

Për fund, cili do të ishte mesazhi juaj për qytetarët tanë?

Si farmaciste, mendoj që të gjithë duhet t’i kushtojmë rëndësi të madhe higjienës personale, gjumit të rregullt, lëngjëve të mjaftueshme, vakteve të rregullta të ushqimit me përmbajtje me vlera ushqyese të larta, antioksidantë, fruta, perime, vitamina që plotësojnë nevojat ditore të organizmit, pra sic e ka thënë edhe Hipokrati “ Parandalimi i sëmundjes më i mirë se terapia”.

Youtube

Arkiva

Kategoritë