Lodhja e muskujve mund të shfaqet pas ushtrimeve fizike, por mund të lidhet edhe me përdorimin e disa medikamenteve ose me gjendje të ndryshme shëndetësore, si anemia, dehidratimi, depresioni dhe hepatiti C.
Në fillim të një ushtrimi fizik ose gjatë kryerjes së një aktiviteti, muskujt mund të ndihen të fortë dhe të qëndrueshëm. Por, me kalimin e kohës dhe përsëritjen e vazhdueshme të lëvizjeve, ata mund të fillojnë të dobësohen dhe të lodhen. Kjo gjendje njihet si lodhje muskulore.
Lodhja muskulore është një simptomë që ul gradualisht aftësinë e muskujve për të kryer lëvizje. Ajo mund të shoqërohet me një ndjenjë rraskapitjeje, veçanërisht pas aktivitetit fizik intensiv. Kur muskujt lodhen, forca me të cilën kryhen lëvizjet zvogëlohet, duke shkaktuar ndjesinë e dobësisë.
Megjithëse aktiviteti fizik është një nga shkaqet më të zakonshme të lodhjes së muskujve, kjo simptomë mund të shfaqet edhe për shkak të problemeve të tjera shëndetësore.
Shkaqet e lodhjes muskulore
Ushtrimet dhe aktivitetet e tjera fizike janë ndër shkaqet më të zakonshme të lodhjes së muskujve. Megjithatë, faktorë dhe gjendje të tjera që mund të ndikojnë janë:
- sëmundja e Addisonit
- mosha
- infeksionet anaerobe
- anemia
- ankthi
- botulizmi
- paraliza cerebrale
- kimioterapia
- sindroma e lodhjes kronike
- dehidratimi
- depresioni
- fibromialgjia
- hepatiti C
- HIV
- hipotiroidizmi
- gripi
- mungesa e aktivitetit fizik
- prodhimi i acidit laktik
- përdorimi i disa medikamenteve
- mungesa e mineraleve
- distrofitë muskulore
- miastenia gravis
- mioziti, ose inflamacioni i muskujve
- tonusi i ulët muskulor për shkak të një gjendjeje shëndetësore
- shtatzënia
- mungesa e gjumit
- goditja në tru
- tuberkulozi
Simptomat e lodhjes muskulore
Lodhja e muskujve mund të shfaqet në çdo pjesë të trupit. Një nga shenjat e para është dobësia muskulore.
Simptoma të tjera mund të përfshijnë:
- dhimbje ose ndjeshmëri të muskujve
- dhimbje të lokalizuara
- vështirësi në frymëmarrje
- dridhje ose kontraktime të pavullnetshme të muskujve
- dridhje të trupit
- dobësim të forcës së kapjes së duarve
- ngërçe muskulore
Nëse filloni të keni vështirësi në kryerjen e aktiviteteve të përditshme ose simptomat përkeqësohen, duhet të kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore. Në disa raste, këto shenja mund të tregojnë një problem më serioz shëndetësor.
Si trajtohet lodhja e muskujve?
Trajtimi varet nga shkaku i lodhjes muskulore dhe nga simptomat që shoqërojnë atë. Nëse lodhja e muskujve shfaqet vazhdimisht, veçanërisht nëse nuk lidhet me aktivitetin fizik, këshillohet të konsultoheni me mjekun.
Mjeku do të shqyrtojë historinë tuaj shëndetësore dhe simptomat për të përcaktuar shkakun dhe për të përjashtuar probleme më serioze.
Në shumë raste, lodhja muskulore përmirësohet me pushim dhe rikuperim. Mbajtja e trupit të hidratuar dhe një ushqyerje e shëndetshme mund të ndihmojnë gjithashtu në rikuperim, të ulin rrezikun e dobësisë muskulore dhe të sigurojnë lëndët ushqyese të nevojshme për funksionimin normal të muskujve.
Para dhe pas aktivitetit fizik intensiv mund të ndihmojë edhe shtrirja e muskujve. Nxehja para ushtrimeve i përgatit muskujt për aktivitet dhe mund të ndihmojë në uljen e rrezikut të dëmtimeve.
Nëse lodhja muskulore vazhdon, përdorimi i nxehtësisë ose i të ftohtit mund të ndihmojë në reduktimin e inflamacionit dhe shqetësimit.
Në raste të tjera mund të nevojitet trajtim mjekësor. Në varësi të diagnozës, mjeku mund të rekomandojë medikamente, ndërsa në rastet më të rënda mund të sugjerojë fizioterapi për të përmirësuar lëvizshmërinë dhe për të përshpejtuar rikuperimin.
Kur duhet të shqetësoheni?
Lodhja muskulore zakonisht nuk është shkak për alarm, veçanërisht kur shfaqet pas aktivitetit fizik dhe përmirësohet me pushim.
Megjithatë, nëse lodhja vazhdon për disa ditë, nuk përmirësohet me pushim ose shoqërohet me simptoma të tjera të pazakonta, duhet të konsultoheni me mjekun.
Në raste më të rënda, lodhja muskulore mund të jetë shenjë e një çrregullimi tjetër shëndetësor. Nëse shkaku nuk trajtohet, dobësia dhe lodhja mund të ndikojnë në funksionimin e përditshëm dhe të rrisin rrezikun për dëmtime.
Prandaj, është e rëndësishme të mos bëni vetëdiagnostikim, veçanërisht kur simptomat janë të vazhdueshme ose përkeqësohen sipas artikullit në Healthline.













