Raportimi për sëmundjet kronike jongjitëse kërkon më shumë se një lajm të ditës. Për të ofruar informacion të saktë dhe të kuptueshëm për qytetarët, gazetarët kanë nevojë për qasje në ekspertizë profesionale, ndërsa profesionistët shëndetësorë për bashkëpunim më të afërt me median.
Pikërisht këtë synim ka pasur nisma e përbashkët e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Shërbimeve Shëndetësore të Integruara (IHS), e cila u përmbyll sot në Prishtinë me tryezën “Përtej kryetitujve”.
Nisma, e zhvilluar gjatë viteve të fundit, ka synuar forcimin e bashkëpunimit ndërmjet gazetarëve dhe profesionistëve të shëndetësisë, si dhe përmirësimin e mënyrës se si trajtohen në media sëmundjet kronike jongjitëse dhe çështjet e tjera të rëndësishme për shëndetin publik.
Në hapje të aktivitetit folën Linda Baleta, Eksperte e Lartë për Avokim në IHS, Getoarbë Mulliqi, Drejtoreshë Ekzekutive e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, dhe Dr. Ardita Baraku, Drejtoreshë e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Ato theksuan rëndësinë e krijimit të urave të qëndrueshme të komunikimit ndërmjet medias dhe profesionistëve shëndetësorë, në mënyrë që publiku të ketë qasje në informacione të sakta, të kuptueshme dhe të mbështetura në ekspertizë profesionale.
Pjesa qendrore e aktivitetit ishte diskutimi “Gazetaria, sëmundjet kronike jongjitëse dhe storiet që kanë rëndësi”, i moderuar nga Getoarbë Mulliqi.
Në katër bashkëbisedime të shkurtra, gazetarë dhe profesionistë të shëndetësisë që kanë qenë pjesë e nismës ndanë përvojat e tyre mbi bashkëpunimin, sfidat në raportimin e temave komplekse shëndetësore dhe rëndësinë e trajtimit të këtyre çështjeve përtej lajmit të ditës.
Në diskutime morën pjesë Arbreshë Uka, Dr. Faik Hoti, Qëndresë Uka-Matoshi, Fekrije Hasani, Bubulina Peni, Dr. Ardita Baraku dhe Jehona Hulaj.
Një nga temat e trajtuara ishte mënyra se si informacioni dhe ekspertiza profesionale mund të përshtaten në përmbajtje të qasshme për qytetarët. Po ashtu, u diskutua rëndësia e përfshirjes së zërit të pacientëve dhe tregimeve njerëzore në raportimin shëndetësor.
Sipas diskutimeve, gazetaria ka rol jo vetëm në informimin e publikut, por edhe në rritjen e ndërgjegjësimit dhe nxitjen e debatit publik për parandalimin dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike jongjitëse.
Gjatë aktivitetit u prezantua edhe numri special i revistës “Shëndeti”, nga Dr. Ardita Baraku dhe gazetarja Merita Miftari. Konferenca vazhdoi me një diskutim dhe reflektim të përbashkët me Linda Baletën mbi rezultatet e nismës dhe mundësitë për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve të medias dhe sektorit shëndetësor.
Në kuadër të kësaj nisme, gazetarëve iu ofruan platforma, burime profesionale dhe qasje në ekspertë të fushës, ndërsa profesionistëve shëndetësorë iu krijua mundësi për bashkëpunim më të drejtpërdrejtë me median.
Gjatë realizimit të saj janë zhvilluar intervista, artikuj dhe hulumtime gazetareske, opinione të ekspertëve dhe aktivitete për ngritjen e kapaciteteve, me synimin që temat e shëndetit publik të trajtohen me më shumë kontekst, saktësi dhe përgjegjësi profesionale.
Nisma është realizuar në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe Shërbimeve Shëndetësore të Integruara (IHS), projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i implementuar nga Swiss TPH.
Në përmbyllje, organizatorët shprehën mirënjohje për Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Ministrinë e Shëndetësisë, Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Spitalin e Përgjithshëm të Pejës dhe Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre në realizimin e aktiviteteve dhe përmbajtjeve të zhvilluara gjatë nismës.













