Andropauza është një gjendje që krijohet nga ndryshime hormonale si rezultat i plakjes.
Ajo quhet dhe menopauza e meshkujve, por është e ndryshme nga menopauza e femrave.
Ndryshimi i hormoneve është një fenomen i natyrshëm i plakjes. Ndryshimet e hormoneve seksuale te meshkujt ndodhin gradualisht në ndryshim nga rënia dramatike e hormoneve femërore që ndodh te gratë gjatë menopauzës.
Termi andropauzë përdoret për të përshkruar rënien e nivelit të testosteronit si rezultat i plakjes. Menopauza femërore dhe e ashtuquajtura menopauza mashkullore janë dy situata të ndryshme. Te gratë ovulacioni (formimi i vezëve) përfundon dhe prodhimi i hormoneve bie me shpejtësi në një periudhë relativisht të shkurtër kohore.
Te meshkujt prodhimi i hormoneve dhe efektiviteti i testosteronit (hormone mashkullor) bien gjatë një periudhe disavjeçare dhe pasojat e saj nuk janë domosdoshmërisht të qarta.