Pre, Sht 11, 2026
Banner Top
Banner Top
Dr. Agron Gashi: Shëndetësia nuk reformohet vetëm me ligje – qytetari duhet ta ndiejë ndryshimin

Pas më shumë se 26 vjetësh në shëndet publik, prej tyre 24 në UNICEF, Dr. Gashi flet për sfidat e sistemit shëndetësor të Kosovës, sigurimet shëndetësore, pagesat nga xhepi, vaksinimin, largimin e profesionistëve, plakjen e popullsisë dhe nevojën që Kujdesi Parësor të bëhet realisht themeli i sistemit.

Kosova ka ndërtuar ndër vite ligje, institucione, strategji dhe modele të rëndësishme në shëndetësi, por sfida kryesore mbetet zbatimi i tyre i qëndrueshëm dhe shndërrimi i reformave në përmirësime që qytetari i ndien në jetën e përditshme. Këtë e thekson Dr. Agron Gashi në një intervistë të gjerë për Telegrafin, duke analizuar dobësitë dhe mundësitë e sistemit shëndetësor të vendit.

Nga barra e lartë e pagesave direkte nga familjet dhe funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore, te boshllëqet në vaksinim, fuqizimi i Mjekësisë Familjare, largimi i mjekëve dhe infermierëve dhe përgatitja për një popullsi që po plaket, ai argumenton se Kosovës nuk i mungon domosdoshmërisht dija se çfarë duhet bërë, por vazhdimësia institucionale dhe kapaciteti për ta kthyer atë dije në shërbime më të mira.

Në fund, mesazhi i tij është i qartë: sistemi shëndetësor nuk ekziston për vetveten, por për njeriun dhe suksesi i çdo reforme matet me rezultatet që qytetari i përjeton realisht.

Sistemi shëndetësor mes përvojës, reformave dhe zbatimit

Dr. Gashi, keni mbi 26 vjet përvojë në shëndetin publik, nutricionin dhe reagimin humanitar, prej tyre 24 vjet në UNICEF, me angazhime në vende e kontinente të ndryshme. Kur e shihni sot sistemin shëndetësor të Kosovës përmes gjithë kësaj përvoje, cilat probleme ju duken vërtet të vështira për t’u zgjidhur – dhe cilat vazhdojmë t’i quajmë të vështira vetëm sepse nuk kemi arritur t’i adresojmë siç duhet?

Ka qenë privilegj dhe përgjegjësi për mua të kem mundësinë të kontribuoj në shëndetësi, si në Kosovë ashtu edhe në vende të tjera. Kjo përvojë më ka mësuar se edhe sfidat më të mëdha mund të adresohen më mirë kur ka bashkëpunim, përgjegjësi të qarta, kapacitete dhe vazhdimësi institucionale.

Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm. Është ndërtuar një rrjet i gjerë i Kujdesit Parësor Shëndetësor, është zhvilluar modeli i Mjekësisë Familjare, ekziston infrastruktura institucionale, korniza ligjore dhe një numër strategjish e politikash që mbështeten në standarde dhe praktika ndërkombëtare.

Sfida kryesore sot është që këto pjesë të funksionojnë gjithnjë e më mirë së bashku si një sistem i integruar, përmes zbatimit të qëndrueshëm, qeverisjes së mirë, koordinimit, financimit, llogaridhënies, fuqisë punëtore dhe një sistemi funksional të informimit shëndetësor.

Mendoj se duhet ta ndryshojmë edhe mënyrën si e shohim investimin në shëndetësi. Shëndetësia nuk është vetëm shpenzim buxhetor. Investimi në shëndet është investim në parandalim, kapital njerëzor, produktivitet, mirëqenie dhe zhvillim të vendit.

Kosova ka profesionistë dhe ekspertë të përgatitur dhe të gatshëm për të kontribuar. Prandaj shumë sfida nuk kërkojnë vetëm politika të reja; kërkojnë që dijen dhe kapacitetet që tashmë ekzistojnë t’i bashkojmë dhe t’i kthejmë në rezultate që qytetari i ndien në shërbimin që merr.

Keni punuar edhe në vende e mjedise të prekura nga kriza dhe emergjenca humanitare. Çfarë ju kanë mësuar ato për shëndetësinë që nuk mund të mësohet nga raportet, strategjitë apo zyrat institucionale?

Më kanë mësuar se sistemi shëndetësor në fund nuk testohet vetëm nga strategjitë që ka, por nga ajo që arrin t’i ofrojë një njeriu kur ai ka më së shumti nevojë, edhe kur burimet që ke në dispozicion janë të kufizuara.

Në vende dhe mjedise të prekura nga konflikti dhe krizat kam parë profesionistë shëndetësorë jashtëzakonisht të përkushtuar, të cilët vazhdonin të punonin edhe në kushte shumë larg ideales.

Nga ato përvoja kam marrë tri mësime: njerëzit e duhur në vendin e duhur, bashkëpunimi dhe besimi – brenda institucioneve, ndërmjet partnerëve dhe me komunitetin.

Por kam marrë edhe një bindje më të thellë: në thelb, profesioni shëndetësor është shërbim. Si profesionistë shëndetësorë, ne jemi në shërbim të njerëzve dhe të popullatës, me dijen, kohën dhe përgjegjësinë tonë.

Raporti mund të na japë të dhënat. Përvoja me njerëzit na mëson përgjegjësinë që qëndron pas atyre të dhënave.

ISEE-HSP ka një rrugëtim prej afro dy dekadash në politikat shëndetësore dhe sociale. Duke parë pas, cilat iniciativa, hulumtime apo partneritete konsideroni se kanë lënë gjurmën më të prekshme në zhvillimin e politikave publike në Kosovë?

IEJL-PShS synon të gjenerojë evidencë të pavarur dhe ta kthejë atë në dialog profesional e publik, si dhe në propozime të realizueshme për politika.

Gjatë viteve, Instituti ka krijuar platforma ku janë sjellë së bashku profesionistë shëndetësorë, institucione, akademikë, organizata të shoqërisë civile, komunitete dhe partnerë ndërkombëtarë. Një shembull është seria e konferencave ndërkombëtare të shkencave shëndetësore, e cila këtë vit arrin edicionin e 17-të.

Vetëm gjatë vitit 2026 kemi zhvilluar analiza për financimin e shëndetësisë dhe mbrojtjen financiarevaksinimin rutinor në Kosovë 2015–2025, duke përdorur fruthin si tregues të performancës së sistemit të vaksinimit, si dhe për Kujdesin Parësor Shëndetësor dhe Mjekësinë Familjare. Në këto procese kemi përfshirë ekspertizë nga profesionistë, akademikë, ish-drejtues të sistemit shëndetësor, shoqata profesionale, organizata të pacientëve dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Përmes fushatës “Merr Frymë” kemi zgjeruar komunikimin publik të bazuar në evidencë për çështje të shëndetit publik, përfshirë vaksinimin, zbatimin e ligjit për kontrollin e duhanit, ndotjen e ajrit dhe tema të tjera.

Ndërsa përmes serisë së podkasteve me ish-drejtues dhe ekspertë të sistemit po përpiqemi të krijojmë diçka që mendoj se është shumë e rëndësishme për Kosovën: kujtesë institucionale – të ruajmë përvojën dhe mësimet nga reformat e kaluara dhe t’i përdorim ato për të informuar vendimmarrjen dhe reformat e së ardhmes.

Po finalizojmë gjithashtu një analizë mbi vdekshmërinë e fëmijëve, përfshirë vdekshmërinë neonatale dhe perinatale, për periudhën 2000–2025, ndërsa në plan kemi edhe analiza të tjera që do të publikohen dhe do të jenë të qasshme për publikun.

Për mua, roli i një instituti të politikave është të bashkëpunojë me institucionet dhe aktorët relevantë dhe t’i mbështesë proceset e politikëbërjes përmes evidencës së pavarur, ekspertizës, dialogut dhe propozimeve të realizueshme e të qëndrueshme.

Dhe është po aq e rëndësishme të bashkëpunojmë me familjet, pacientët dhe komunitetet, sepse politikat shëndetësore në fund bëhen për njerëzit.

Nga modelet ndërkombëtare te sfida e zbatimit në Kosovë

Bashkëpunimi ndërkombëtar është një nga shtyllat e Institutit. Sa ka arritur Kosova që praktikat dhe përvojat më të mira ndërkombëtare t’i shndërrojë në ndryshime konkrete në shërbimet që merr qytetari – dhe ku vazhdon të jetë hendeku më i madh mes asaj që dimë dhe asaj që zbatojmë?

Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në përvetësimin dhe përshtatjen e modeleve, standardeve dhe praktikave ndërkombëtare. Kemi shembuj konkretë ku bashkëpunimi ndërkombëtar është përkthyer në zhvillim të shërbimeve, përfshirë reformën e Kujdesit Parësor Shëndetësor dhe Mjekësisë Familjare, programet në shëndetin e nënës dhe fëmijës, vaksinimin dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale.

Mjekësia Familjare është një shembull i mirë. Pas vitit 1999, sistemi u orientua drejt Kujdesit Parësor Shëndetësor, u zhvillua rrjeti institucional dhe u investua në specializimin dhe zhvillimin e Mjekësisë Familjare.

Por një sfidë që shohim edhe sot është kalimi nga përvetësimi i një modeli në funksionimin e tij të plotë në praktikë: kontakti i parë me sistemin, koordinimi, vazhdimësia e kujdesit, referimi, cilësia dhe integrimi ndërmjet niveleve.

Pra, hendeku më i madh nuk është domosdoshmërisht te njohuria për atë që duhet bërë, por te zbatimi i qëndrueshëm, kapaciteti institucional, matja e rezultateve dhe vazhdimësia e reformave.

Prandaj nuk mjafton të kemi politika dhe dokumente të mira. Na duhet kapacitet që politikat t’i zbatojmë, t’i masim, t’i vlerësojmë, t’i përmirësojmë sipas evidencës dhe t’u sigurojmë vazhdimësi.

Në fund, suksesi i bashkëpunimit ndërkombëtar nuk matet vetëm me modelet që përvetësojmë, por me atë se sa prej tyre shndërrohen në shërbime më të mira për qytetarin.

Nëse do t’i bënit sot një “diagnozë” sistemit shëndetësor të Kosovës, cila do të ishte plaga kryesore: financimi i pamjaftueshëm, menaxhimi dhe qeverisja, largimi i profesionistëve apo mungesa e vazhdimësisë së reformave?

Nuk do ta përkufizoja sistemin shëndetësor me një “plagë” të vetme, sepse këto çështje janë të ndërlidhura. Por nëse duhet të zgjedh një sfidë që i përshkon pothuajse të gjitha, do të thosha: kapaciteti për zbatim dhe vazhdimësia institucionale e reformave.

Një sistem shëndetësor funksionon përmes disa komponentëve që varen nga njëri-tjetri: qeverisja dhe udhëheqja, financimi, fuqia punëtore shëndetësore, ofrimi i shërbimeve, barnat dhe teknologjitë, si dhe informimi shëndetësor. Kur njëri prej tyre nuk funksionon siç duhet, ndikimi ndihet edhe te pjesët e tjera.

Për këtë arsye, sfida nuk është vetëm të hartojmë reforma, por t’i zbatojmë ato në mënyrë të qëndrueshme, t’i monitorojmë, t’i korrigjojmë sipas evidencës dhe t’u sigurojmë vazhdimësi institucionale.

Kosova ka ndërtuar shumë nga pjesët e nevojshme të sistemit; sfida tani është që ato të funksionojnë gjithnjë e më mirë së bashku si një sistem i integruar dhe i orientuar drejt qytetarit.

Në analizat tuaja për financimin e shëndetësisë, një pjesë shumë e madhe e shpenzimeve vazhdon të mbulohet drejtpërdrejt nga xhepi i qytetarëve. Çfarë tregon kjo për sistemin tonë – dhe sa serioz është rreziku që sëmundja të shndërrohet edhe në varfërim financiar për familjen?

Është një nga çështjet më serioze të sistemit.

Sipas vlerësimeve të përdorura në analizën e IEJL-PShS, pagesat jashtë xhepit përbëjnë rreth 38–40% të shpenzimeve totale shëndetësore, ndërsa në shumë vende të BE-së niveli është dukshëm më i ulët.

Një nivel kaq i lartë i pagesave direkte tregon se mbrojtja financiare e qytetarëve mbetet e pamjaftueshme dhe se një pjesë e konsiderueshme e barrës së sëmundjes vazhdon të bartet drejtpërdrejt nga familja.

Kur një familje duhet të paguajë për barna, diagnostikë, konsultime specialistike apo shërbime të tjera pikërisht në momentin kur një anëtar sëmuret, rreziku shëndetësor mund të shndërrohet edhe në rrezik financiar. Ky rrezik është veçanërisht serioz për familjet me të ardhura më të ulëta dhe për personat me sëmundje kronike, të cilët kanë nevojë për kujdes dhe shpenzime të vazhdueshme.

Kosova miratoi Ligjin Nr. 04/L-249 për Sigurimin Shëndetësor në vitin 2014, por skema e paraparë nuk u bë plotësisht funksionale. Në maj 2026 u publikua Ligji Nr. 10/L-028 për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, duke krijuar një kornizë të re për reformën.

Ky është një zhvillim i rëndësishëm. Por miratimi i ligjit është fillimi i reformës, jo përfundimi i saj.

Në fund, një sistem i mirë duhet të synojë një parim shumë të thjeshtë:

Sëmundja nuk duhet të shndërrohet edhe në krizë financiare për familjen. Mbrojtja financiare është pjesë e shëndetësisë po aq sa edhe trajtimi.

Sigurimet shëndetësore dhe mbrojtja e qytetarit

Për sigurimet shëndetësore flitet prej vitesh, por sistemi ende nuk është funksionalizuar plotësisht. Ku është nyja reale e problemit dhe çfarë mund të shkojë keq nëse sigurimet fillojnë pa u përgatitur më parë institucionet, financimi dhe ofruesit e shërbimeve?

Sigurimet shëndetësore nuk funksionalizohen vetëm me miratimin e legjislacionit.

Nyja reale është kalimi nga ligji te kapaciteti institucional dhe operacional për ta zbatuar atë në praktikë.

Ligji i ri është një mundësi shumë e rëndësishme, por tani fillon një pjesë po aq e rëndësishme: krijimi dhe funksionalizimi i mekanizmave që e kthejnë ligjin në përfitim real për qytetarin.

Kjo kërkon një sistem funksional të informimit shëndetësor, kapacitet për mbledhjen dhe menaxhimin e të hyrave, paketë të qartë të përfitimeve, mekanizma të pagesës dhe blerjes së shërbimeve, ofrues të përgatitur për kontraktim, standarde të cilësisë, llogaridhënie dhe qëndrueshmëri fiskale.

Në çdo reformë të tillë, nëse mbledhja e kontributeve fillon para se përfitimet dhe mekanizmat e ofrimit të tyre të jenë mjaftueshëm funksionalë, mund të krijohen pritshmëri që sistemi e ka të vështirë t’i përmbushë në fazën fillestare.

Rreziku nuk është vetëm operacional apo financiar; mund të cenohet edhe besimi i qytetarëve në vetë reformën.

Prandaj konsideroj se reforma duhet të planifikohet në faza, me afate të qarta, indikatorë, transparencë dhe raportim periodik ndaj publikut.

Kjo nuk do të thotë shtyrje të reformës. Do të thotë renditje të drejtë të hapave dhe përshtatje të ritmit të zbatimit me kapacitetin real të sistemit.

Dhe kjo reformë kërkon bashkëpunim jo vetëm ndërmjet institucioneve, por edhe me profesionistët, pacientët, familjet dhe qytetarët.

Shpesh shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale i trajtojmë si dy botë të ndara. Sa është sistemi ynë në gjendje t’i mbrojë realisht të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, familjet me të ardhura të ulëta dhe grupet e tjera të cenueshme?

Kosova ka mekanizma dhe shërbime në të dy sektorët, por integrimi ndërmjet shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale mbetet i pjesshëm dhe duhet të forcohet më tej

Një i moshuar me diabet, vështirësi në lëvizje dhe të ardhura të kufizuara nuk ka vetëm një diagnozë. Ai mund të ketë nevojë njëkohësisht për barna, rehabilitim, transport, pajisje ndihmëse, kujdes në shtëpi dhe mbështetje sociale.

Pra, sfida nuk është vetëm ekzistenca e shërbimeve, por sa mirë koordinohen ato rreth nevojave të një personi.

Prandaj na duhet integrim më i madh i shërbimeve shëndetësore dhe sociale, koordinim më i mirë i të dhënave, mbrojtje financiare për familjet me të ardhura të ulëta dhe grupet e tjera të cenueshme, si dhe zhvillim më i madh i kujdesit në komunitet dhe në shtëpi.

Problemet shëndetësore dhe sociale shpesh ndërthuren; edhe përgjigjja duhet të jetë e koordinuar rreth njeriut, jo rreth kufijve administrativë.

Kohët e fundit keni ngritur shqetësimin për rastet e fruthit dhe mbulueshmërinë me vaksinim. A kemi të bëjmë kryesisht me problem të organizimit të sistemit, me krizë besimi te institucionet apo me ndikimin gjithnjë e më të madh të dezinformimit?

Nuk do ta reduktoja situatën vetëm në njërin prej këtyre faktorëve. Ajo që dimë me siguri është se ekzistojnë boshllëqe në vaksinim, ndërsa pse fëmijët mbeten të pavaksinuar ose vonohen me dozat kërkon analizë më të detajuar.

Së pari duhet ta kujtojmë se vaksinimi rutinor është një nga historitë e rëndësishme të suksesit të shëndetit publik në Kosovë, e ndërtuar ndër dekada nga institucionet, profesionistët shëndetësorë, familjet dhe komunitetet.

Por zhvillimet e fundit kërkojnë vëmendje. Mbulueshmëria e raportuar me MMR ishte 89% në vitin 2024 dhe 82% në vitin 2025, ndërsa për ndërprerjen e transmetimit të fruthit nevojitet mbulueshmëri e qëndrueshme rreth 95% me dy doza.

Sipas të dhënave të IKSHPK-së, gjatë periudhës 16 prill–17 gusht 2026 u konfirmuan 137 raste me fruth. Në të njëjtën kohë, ekipet e vaksinimit në komunat më të prekura intensifikuan aktivitetet dhe vaksinuan me MMR 276 fëmijë të vonuar për vaksinim. Kjo punë duhet vlerësuar dhe mbështetur.

Por pyetja tjetër është: pse një fëmijë mbetet i pavaksinuar? Këtu duhet të analizojmë vaksinimin në kohë, identifikimin dhe vaksinimin e fëmijëve që kanë vonuar dozat, qasjen në shërbime, dallimet ndërmjet komunave dhe grupeve të popullatës, cilësinë e të dhënave, si dhe rolin e besimit, informacionit dhe dezinformimit.

Fruthi është si një sinjal në panelin e sistemit. Nuk na tregon vetvetiu të gjitha shkaqet, por na thotë se duhet të shikojmë më me kujdes.

Edhe ndërkombëtarisht, fruthi përdoret si një tregues shumë i ndjeshëm i boshllëqeve në mbulueshmëri dhe në performancën e sistemit të vaksinimit.

Për këtë nevojiten transparencë, bashkëpunim, koordinim dhe përfshirje e institucioneve, profesionistëve, ekspertëve, familjeve, komuniteteve dhe organizatave relevante.

IEJL-PShS do të vazhdojë të përcjellë dhe analizojë zhvillimet relevante, të kontribuojë me evidencë për informimin e politikave dhe vendimmarrjes dhe të ofrojë ekspertizë aty ku kjo mund të jetë e dobishme.

Besimi, fëmijët dhe fuqia e Kujdesit Parësor

Ju keni thënë se “prapa çdo fëmije të vaksinuar qëndron një profesionist shëndetësor” dhe keni folur publikisht edhe si prind, duke treguar se fëmijët tuaj janë vaksinuar në kohë. Në epokën e rrjeteve sociale, si rindërtohet ura e besimit mes profesionistit shëndetësor dhe prindit kur një informacion i rremë mund të përhapet shumë më shpejt se evidenca shkencore?

Do të filloja nga një pikë shumë e thjeshtë: prindërit dhe profesionistët shëndetësorë në thelb e kanë të njëjtin qëllim – shëndetin dhe të mirën e fëmijës.

Prandaj besimi ndërtohet duke bashkëpunuar me prindërit dhe duke i dëgjuar ata: Çfarë i shqetëson? Çfarë kanë lexuar? Nga kush e kanë marrë informacionin? Dhe pastaj duke iu përgjigjur me respekt, durim dhe informacion të qartë e të kuptueshëm.

Kam pasur privilegjin që gjatë punës sime të bashkëpunoj edhe me profesionistë të shërbimeve të vaksinimit. Shumë prej tyre janë njerëz modestë, që punojnë me zell dhe përkushtim dhe meritojnë respekt, mbështetje dhe mirënjohje.

Edhe si prind, të njëjtën evidencë që kam mbështetur profesionalisht e kam zbatuar në familjen time: fëmijët e mi janë vaksinuar plotësisht dhe në kohë.

Në rrjetet sociale, informacioni i rremë mund të përhapet shumë shpejt. Prandaj profesionistët shëndetësorë duhet të mbështeten me trajnim, kohë të mjaftueshme dhe mjete të mira komunikimi

Besimi ndërtohet me vazhdimësi dhe qëndrueshmëri; nuk krijohet me një komunikim të vetëm apo në mënyrë sporadike.

Evidenca duhet të jetë jo vetëm e saktë, por edhe e kuptueshme, njerëzore dhe e pranishme aty ku prindërit kërkojnë informacion.

Me organizim, bashkëpunim, koordinim, transparencë dhe besim, mund të arrijmë përsëri rezultate shumë të mira.

Jeni marrë për vite me shëndetin dhe nutricionin e nënës dhe fëmijës. Sa prej problemeve shëndetësore që i shohim te fëmijët janë në të vërtetë pasoja të faktorëve socialë – varfërisë, arsimimit, ushqyerjes dhe qasjes së pabarabartë në shërbime?

Një pjesë e konsiderueshme. Shëndeti i nënës dhe fëmijës nuk mund të përmirësohet vetëm nga sektori i shëndetësisë.

Gjendja ekonomike ndikon në ushqyerje, banim dhe qasje në shërbime; arsimimi ndikon në njohuritë dhe sjelljet shëndetësore; ndërsa distanca, transporti, kostoja dhe kushtet e jetesës ndikojnë në mundësinë për t’i përdorur shërbimet.

Dhe ky proces fillon shumë herët. Një grua që nuk ushqehet në mënyrë adekuate gjatë shtatzënisë ka rrezik më të lartë për rezultate të pafavorshme, ndërsa kequshqyerja, veçanërisht ajo kronike në fëmijëri, mund të ndikojë në zhvillimin fizik dhe kognitiv dhe ta pengojë fëmijën të arrijë potencialin e tij të plotë.

Kjo nuk do të thotë se fati i një fëmije është i paracaktuar. Por kushtet në fillim të jetës mund të ndikojnë në zhvillimin, mësimin, shëndetin dhe mundësitë e tij më vonë në jetë.

Prandaj, kur flasim për shëndetin e fëmijës, nuk duhet të shohim vetëm diagnozën apo shërbimin shëndetësor. Duhet të shohim edhe familjen, ushqyerjen, arsimimin, kushtet e jetesës dhe mundësitë që ka ai fëmijë për t’u zhvilluar.

Kur investojmë në një nënë dhe një fëmijë në fillim të jetës, nuk po financojmë vetëm një shërbim shëndetësor. Po investojmë në zhvillimin, arsimin, produktivitetin dhe të ardhmen e një njeriu.

Prandaj, nëse duam rezultate më të mira dhe më të barabarta për fëmijët, na duhen shëndetësia, arsimi, mbrojtja sociale, familja dhe komuniteti që veprojnë së bashku.

Prej vitesh flitet për forcimin e kujdesit parësor, ndërsa qytetari shpesh përfundon drejtpërdrejt te specialisti apo në sektorin privat. Çfarë duhet të ndryshojë që Mjekësia Familjare të bëhet realisht porta hyrëse dhe boshti i sistemit – dhe që parandalimi të mos mbetet vetëm deklaratë politike?

Së pari, duhet të besojmë vetë në Kujdesin Parësor Shëndetësor dhe ta trajtojmë atë si themelin e sistemit, jo si një nivel me më pak rëndësi.

Duhet ta njohim investimin dhe përpjekjet që janë bërë ndër vite në ndërtimin e rrjetit të Kujdesit Parësor dhe zhvillimin e Mjekësisë Familjare, përfshirë zhvillimin e mjekëve, infermierëve dhe profesionistëve të tjerë.

Tani sfida është funksionaliteti dhe qëndrueshmëria e modelit.

Duhet t’i japim mjekut dhe ekipit të Mjekësisë Familjare kapacitetin real për t’iu përgjigjur një pjese sa më të madhe të nevojave shëndetësore të pacientit.

Kjo kërkon profesionistë të mjaftueshëm dhe të shpërndarë mirë, diagnostikë bazike, barna esenciale, protokolle klinike, sistem funksional të referimit, informacion digjital dhe vazhdimësi të kujdesit.

Një tjetër çështje që analiza e IEJL-PShS-së evidenton është qëndrueshmëria e fuqisë punëtore në Mjekësinë Familjare, përfshirë strukturën moshore dhe nevojën që gjenerata e ardhshme e profesionistëve të planifikohet me kohë.

Po aq e rëndësishme është që parandalimi të bëhet pjesë reale e punës së përditshme të Kujdesit Parësor – nga vaksinimi dhe promovimi i shëndetit te zbulimi i hershëm dhe menaxhimi i faktorëve të rrezikut.

Kujdesi Parësor duhet zhvilluar edhe në bashkëpunim me komunitetin. Nuk mund të hartojmë një model për njerëzit pa dëgjuar përvojën e atyre që e përdorin atë.

Kujdesi Parësor është kujdesi i parë, më i afërt dhe, kur funksionon mirë, vendi ku një pjesë e madhe e nevojave të qytetarit mund të zgjidhen pa hyrë në një sistem më të kushtueshëm.

Porta hyrëse nuk krijohet vetëm me rregullore; krijohet kur qytetari e përjeton Kujdesin Parësor si të qasshëm, cilësor dhe të besueshëm.

Profesionistët, plakja dhe reforma që duhet të zgjasë

Kosova po përballet edhe me largimin e mjekëve dhe infermierëve. A është kjo kryesisht çështje page, apo largimi i profesionistëve është edhe një lloj vote mosbesimi ndaj mënyrës se si sistemi i trajton, i motivon dhe u krijon perspektivë gjeneratave të reja?

Migrimi i profesionistëve shëndetësorë është një vendim kompleks – profesional, ekonomik, personal dhe familjar.

Të ardhurat janë të rëndësishme, por nuk janë e gjithë çështja. Një mjek apo infermier mendon edhe për kushtet e punës, ngarkesën, mundësitë për zhvillim profesional, perspektivën e karrierës, mënyrën e menaxhimit, sigurinë dhe mirëqenien profesionale, si dhe mundësitë që i ofrohen familjes.

Duhet të kemi parasysh edhe diçka tjetër: formimi i një profesionisti shëndetësor kërkon shumë vite dhe investim të konsiderueshëm nga individi, familja dhe shoqëria.

Prandaj mbajtja dhe zhvillimi i profesionistëve është edhe mbrojtje e një investimi afatgjatë të shoqërisë.

Në të njëjtën kohë, duhet të analizojmë më mirë planifikimin e fuqisë punëtore. Mund të kemi nevojë për profesionistë në një profil apo një pjesë të vendit, ndërkohë që profesionistë të rinj në profile të tjera presin mundësi punësimi, specializimi apo zhvillimi.

Një strategji afatgjatë duhet të kombinojë kompensimin adekuat me kushte të mira pune, zhvillim profesional, perspektivë karriere, menaxhim të mirë dhe planifikim afatgjatë të nevojave për staf.

Profesionistët shëndetësorë janë një komponent thelbësor i sistemit shëndetësor.

Konferenca e 17-të Ndërkombëtare këtë vit fokusohet te “Plakja e Shëndetshme – Shkenca, Kujdesi dhe Inovacioni Social”. Në një Kosovë që po ndryshon demografikisht, çfarë nënkupton konkretisht plakja e shëndetshme dhe sa jemi të përgatitur për nevojat e një popullsie gjithnjë e më të moshuar?

Plakja e shëndetshme nuk do të thotë thjesht të jetosh më gjatë. Do të thotë të ruash sa më gjatë funksionalitetin, pavarësinë, dinjitetin, pjesëmarrjen sociale dhe cilësinë e jetës.

Kosova po ndryshon demografikisht. Mosha mesatare e popullsisë është rritur dhe këto ndryshime na tregojnë se duhet të fillojmë të planifikojmë sot për nevojat që do të rriten në vitet e ardhshme.

Prandaj tema e Konferencës së 17-të e sheh plakjen e shëndetshme si proces përgjatë gjithë ciklit të jetës.

Plakja e shëndetshme nuk fillon në moshën 65-vjeçare. Ajo fillon shumë më herët – me shëndetin e nënës, ushqyerjen dhe zhvillimin e fëmijës, aktivitetin fizik, arsimin, mjedisin, parandalimin e përdorimit të duhanit, shëndetin mendor, vaksinimin, zbulimin dhe menaxhimin e hershëm të hipertensionit dhe diabetit, si dhe kontrollin e faktorëve të tjerë të rrezikut.

Sa i përket gatishmërisë, Kosova ka bazën institucionale dhe shërbime mbi të cilat mund të ndërtojë, por duhet të përgatitet më sistematikisht dhe me kohë për nevojat e një popullsie që po plaket.

Me rritjen e moshës së popullsisë do të rritet edhe nevoja për menaxhimin afatgjatë të sëmundjeve kronike, rehabilitim, kujdes paliativ, kujdes afatgjatë, vizita në shtëpi dhe shërbime të integruara në komunitet.

Nëse nuk planifikojmë me kohë, këto nevoja mund të krijojnë kosto më të mëdha si për sistemin ashtu edhe për familjet.

Por plakja e shëndetshme nuk mund të jetë vetëm përgjegjësi e sektorit shëndetësor. Ajo lidhet edhe me mbrojtjen sociale, pensionet, banimin, transportin, hapësirat publike, mjedisin dhe mundësinë që njerëzit të vazhdojnë të jenë pjesë aktive e komunitetit.

Prandaj nuk duhet ta shohim plakjen vetëm si barrë për sistemin apo për familjen. Duhet ta shohim edhe si një realitet demografik që kërkon përshtatje të politikave dhe shërbimeve.

Është një transformim demografik që kërkon planifikim, parandalim dhe politika që u mundësojnë njerëzve jo vetëm të jetojnë më gjatë, por edhe të jetojnë më mirë.

Dhe për këtë duhet të fillojmë të përgatitemi tani.

Pas më shumë se një çerek shekulli në shëndet publik dhe pas përvojës në Kosovë e në shumë vende të botës, nëse do të kishit mundësi të merrnit vetëm një vendim për shëndetësinë e Kosovës, i cili do të zbatohej pavarësisht ndryshimeve politike, cili do të ishte ai?

Do ta bëja forcimin dhe zbatimin afatgjatë të reformës së Kujdesit Parësor Shëndetësor një prioritet shtetëror me vazhdimësi institucionale, me financim të parashikueshëm, objektiva të matshme, të dhëna publike dhe llogaridhënie.

Pse Kujdesi Parësor? Sepse aty takohen pothuajse të gjitha çështjet për të cilat kemi folur: parandalimi, vaksinimi, shëndeti i nënës dhe fëmijës, sëmundjet kronike, shëndeti mendor, plakja, barazia, mbrojtja financiare dhe përdorimi racional i shërbimeve spitalore.

Forcimi i KPSh-së nuk është vetëm investim në sektorin shëndetësor. Është investim në kapital njerëzor, mirëqenie, produktivitet dhe zhvillim afatgjatë.

Por asnjë reformë nuk bëhet vetëm me dokumente. Duhet të përfshihen profesionistët, pacientët, familjet, komunitetet, komunat, institucionet, akademia dhe shoqëria civile.

Dhe publiku duhet të informohet jo vetëm kur kemi sukses. Duhet t’i tregojmë edhe ku jemi, çfarë po funksionon, cilat janë sfidat, çfarë do të bëjmë më tej dhe ku kërkohet bashkëpunim e mbështetje.

Transparenca nuk është vetëm komunikim rreth reformës. Është pjesë e vetë reformës dhe e ndërtimit të besimit.

Dhe këtu do të kthehesha te ajo që kam mësuar gjatë gjithë këtyre viteve:

Sistemi shëndetësor nuk ekziston për vetveten; ekziston për njeriun. Si profesionistë shëndetësorë, ne jemi në shërbim të njerëzve dhe të popullatës.

Ajo që na duhet është ta kthejmë vizionin në veprim të qëndrueshëm dhe të matshëm, me rezultate që qytetari i ndien në jetën e përditshme. /Telegrafi/

Youtube

Arkiva

Kategoritë