Të martën e 17 marsit u raportua se një fëmijë 5-vjeçar nga Lipjani është pranuar në Emergjencën Qendrore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) me plagë të rënda në të dy shputat e këmbëve dhe ndryshime gangrenoze.
Në idhje me këtë rast, sot Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar se fëmija i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik në nivel të shputave dhe se ky operacion në Klinikën e Pediatrisë ka përfunduar me sukses.
“Gjatë procedurës kirurgjikale, gjendja e pacientit ka qenë stabile. Pas përfundimit të intervenimit, pacienti është transferuar në Kujdesin Intensiv Pediatrik, ku po vazhdon trajtimin, mbikëqyrjen dhe përkujdesjen e mëtejme postoperatore.” – ka njoftuar SHSKUK-ja.
Në njoftim po ashtu SHSKUK-ja ka thënë se për shkak të ndjeshmërisë së rastit, ky është informacioni që mund të ofrohet për momentin.
Më 17 mars, Klinika e Pediatrisë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës njoftoi se një fëmijë 5-vjeçar nga Lipjani është pranuar në Emergjencën Qendrore me plagë të rënda në të dy shputat e këmbëve, me ndryshime gangrenoze.
Sipas njoftimit, në momentin e pranimit, fëmija ishte në gjendje të rënduar, me dyshime për kequshqyerje dhe vështirësi në komunikim.
“Menjëherë pas pranimit në Emergjencën Qendrore janë realizuar konsultat nga kirurgu plastik dhe pediatri, të cilët kanë rekomanduar hospitalizimin urgjent të fëmijës në Klinikën e Pediatrisë, përkatësisht në repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik, për trajtim të mëtejmë” – është bërë e ditur në njoftim.
Po atë ditë u njoftua se fëmija u vizitua edhe nga ministri i Shëndetësisë Arben Vitia për të parë nga afër gjendjen shëndetësore.













