Sht, Mar 28, 2026
Banner Top
Banner Top
5 mënyra për t’i ndihmuar fëmijës suaj të ketë përvoja të sigurta në internet

Ndërsa fëmija juaj rritet, është e mundur që ai të kalojë gjithnjë e më shumë kohë online.
Interneti ofron shumë mundësi pozitive si mbajtja e kontakteve me familjarët dhe miqtë, ndjekja e pasioneve dhe pjesëmarrja në komunitete të ndryshme. Megjithatë, nuk është gjithmonë një vend i sigurt dhe pozitiv për fëmijët.

Për këtë, UNICEF rekomandon 5 mënyra kryesore si mund ta ndihmoni fëmijën tuaj të përfitojë nga të gjitha anët e mira të internetit dhe teknologjive dixhitale, duke e mbrojtur njëkohësisht nga rreziqet e mundshme.

1. Vendosni rregulla të qarta

Bisedoni hapur me fëmijën tuaj për mënyrën si komunikon online, me kë dhe çfarë ndan me të tjerët.

Shpjegojini se çdo gjë që postohet në internet qofshin ato foto, video, komente apo përmbajtje të tjera që dërgon ose që të tjerët publikojnë për të, krijon një gjurmë dixhitale që mbetet përgjithmonë. Ndihmojeni të kuptojë se është e rëndësishme të ketë kujdes me atë që poston apo komenton, për të ndërtuar një imazh pozitiv online.

Sigurohuni që e kupton se sjelljet diskriminuese, ngacmimet apo përmbajtjet e papërshtatshme nuk janë të pranueshme. Askush nuk duhet të përhapë thashetheme apo të ndajë foto dhe histori që mund të jenë fyese ose turpëruese për të tjerët. Ajo që për dikë mund të duket si shaka, për dikë tjetër mund të jetë e dhimbshme.

Nëse fëmija përjeton diçka online që e bën të ndihet keq, i frikësuar apo në siklet, inkurajojeni t’ju tregojë menjëherë juve ose një të rrituri të besuar. Shpesh, autorët e ngacmimeve apo abuzimeve online janë persona që fëmija i njeh, prandaj është e rëndësishme ta ndihmoni të jetë i kujdesshëm dhe të dijë si të reagojë ndaj sjelljeve problematike.

Përcaktoni së bashku rregulla për mënyrën, kohën dhe vendin ku mund të përdoren pajisjet elektronike.

2. Përdorni teknologjinë për t’i mbrojtur

Sigurohuni që pajisja e fëmijës suaj të jetë gjithmonë e përditësuar dhe me versionin më të fundit të programeve. Kontrolloni që cilësimet e privatësisë të jenë aktive dhe të kufizojnë grumbullimin e të dhënave personale, në mënyrë që askush të mos ketë qasje në informacione që nuk dëshironi të ndahen.

Mësoni fëmijën të mos ndajë informacione personale. Nëse cilësimet e privatësisë nuk janë të sigurta, çdo kush mund të shohë të dhënat e tij.


Mbajeni të mbuluar kamerën kur nuk përdoret. Për fëmijët më të vegjël, përdorni mjete si kontrolli prindëror ose kërkimi i sigurt për ta bërë përvojën online më të mbrojtur.

Kini kujdes me faqet apo burimet falas në internet, përfshirë edhe ato arsimore. Nëse një faqe kërkon foto apo emrin e plotë të fëmijës, sigurohuni që është një burim i besueshëm.

3. Kaloni kohë online bashkë me ta

Krijoni mundësi që fëmija juaj të ketë përvoja të sigurta dhe pozitive online me familjen, miqtë dhe me ju. Kjo është një mënyrë e mirë për t’i treguar me shembull se si të jetë i sjellshëm dhe empatik në komunikimin virtual.

Ndihmojeni të njohë dhe të shmangë lajmet e rreme, përmbajtjet që nuk janë të përshtatshme për moshën e tij apo ato që mund të shkaktojnë ankth ose shqetësim. Prezantojeni me burime të besueshme informacioni.

Fëmijët mund të ekspozohen ndaj reklamave që promovojnë ushqime jo të shëndetshme, stereotipe gjinore ose materiale të papërshtatshme për moshën. Ndihmojeni të kuptojë çfarë qëllimi kanë reklamat dhe diskutoni bashkë për mesazhet negative që mund të përmbajnë.

Zgjidhni bashkë aplikacione, lojëra dhe përmbajtje argëtuese që janë të përshtatshme për moshën e tij. Jini të kujdesshëm ndaj aplikacioneve që mund të kenë përmbajtje të dëmshme ose që rrezikojnë privatësinë.

4. Jini shembull për zakone të shëndetshme online

Sjellja juaj online është një model për fëmijën. Tregohuni të kujdesshëm me atë që ndani në internet, përfshirë fotot apo videot e fëmijës suaj. Inkurajojeni të jetë i sjellshëm dhe të mbështesë miqtë e familjarët me mesazhe apo emoji pozitive.

Nëse ndjek mësime online, kujtojini të jetë i respektueshëm me të tjerët dhe të ketë kujdes me atë që shihet nga kamera për të ruajtur privatësinë.

Vini re nëse fëmija juaj duket i mërzitur ose fshehtë me aktivitetet online. Sigurojeni që të kuptojë se nëse përjeton ngacmime ose abuzim, nuk është faji i tij dhe nuk duhet ta mbajë të fshehtë.

Njihuni me rregullat e shkollës për mësimin dixhital. Informohuni për linjat e ndihmës lokale dhe burimet që mund të ndihmojnë për raportimin e ngacmimeve kibernetike ose përmbajtjeve të papërshtatshme.

5. Lëreni të argëtohet dhe të shprehet lirshëm

Koha online mund të jetë një mundësi e shkëlqyer për fëmijët që të jenë krijues, të mësojnë dhe të shprehin mendimet e tyre apo të mbështesin çështje që kanë rëndësi për ta.

Inkurajojeni të përdorë burime në internet që e motivojnë të lëvizë dhe të jetë aktiv, si video ushtrimesh për fëmijë apo lojëra që kërkojnë lëvizje fizike.

Mos harroni të ruani ekuilibrin midis kohës online dhe aktiviteteve fizike apo shoqërore jashtë ekranit, për një mënyrë jetese të shëndetshme dhe të balancuar. /UNICEF/

Youtube

Arkiva

Kategoritë