Një baba i pikëlluar qëndron mes një shtëpie të rrënuar duke mbajtur dorën e vajzës së tij të vdekur, trupi i së cilës nuk shihet nga rrënojat.
Një pamje zemërthyese që tronditi gjithë botën. E shkrepur përgjatë tragjedisë që la pas tërmeti shkatërrues në Turqi dhe Siri, që tashmë ka marrë jetën e mbi 21 mijë njerëzve.
Një nga ta është Irmak, vajza 15 vjeçe e Mesut Hançer që ai e quan “princesha” e tij. Gazeta gjermane “Bild” ka takuar babanë në Varrezat Kapiçam.
Hançer ende ka veshur xhaketën e portokalltë që shihet në fotografi. Dora e tij tash lëviz ngadalë mbi dhe. Një shtyllë e sheshtë prej druri shënon varrin e vajzës së tij. Emri mezi lexohet nën numrin “380”. Irmak.

“Po punoja në furrën e bukës kur toka filloi të dridhej”, kujton Hançer. Zëri i tij është i thellë kur flet. “Thirra gruan time. Ajo më tha se dy vajzat dhe djali janë mirë”.
Por, vajza e tij e vogël nuk kishte fjetur atë natë në shtëpi – por në shtrat me gjyshen. Kushërinjtë e Irmakut ishin në vizitë, ajo donte të qëndronte me ta.














