Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Europian, Riho Terras në Draft-raportin për vitin 2025 vë në dukje shqetësime serioze për Kosovën në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe përparimin në sundimin e ligjit.
Raporti thekson se vendi ka bërë hapa formalë në disa iniciativa ligjore dhe strategjike, por në praktikë rezultatet konkrete janë të kufizuara.
Kosova është përmendur për rënien në Indeksin Global të Korrupsionit për vitin 2025, duke treguar mungesën e progresit të qëndrueshëm në këtë fushë.
Dokumenti gjithashtu evidenton vonesat në zbatimin e reformave kyçe në sistemin e drejtësisë dhe ngre shqetësime për përpjekjet e pushtetit për të politizuar institucionet e pavarura.
Si shembull, raporti përmend presionet ndaj KQZ dhe sfidat në ruajtjen e integritetit të institucioneve që duhet të funksionojnë pa ndikim politik.
Ish-drejtori i Agjencia Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni e ka quajtur sistemin e drejtësisë të dështuar dhe ka kërkuar një pastrim të përgjithshëm të prokurorëve dhe gjyqtarëve përmes vetingut.
Nga ana tjetër, Lëvizja FOL thekson se Kosova duhet të fokusojë energjitë te rezultatet konkrete, duke përfshirë hetime efektive, dënime për korrupsionin dhe forcimin e institucioneve të pavarura.
Ndërkaq, GLPS shpreh shqetësim për ndikimet politike mbi institucionet e pavarura dhe mungesën e një qasjeje strategjike ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ish-drejtori i AKK: Prokuroritë dhe gjykatat e Kosovës kanë dështuar në luftën kundër korrupsionit
Ish-drejtori i Agjencia Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni ka kritikuar performancën e prokurorive dhe gjykatave në Kosovë, duke theksuar mungesën e rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit.
“Të gjitha raportet ndërkombëtare, po konstatojnë njëjtë: mungesë rezultati në luftën kundër korrupsionit. Ka progres në iniciativa ligjore, strategji dhe rregullore, por jo në veprime konkrete. Prokuroritë fillojnë disa aksione me pompozitet, konferenca për media, paraburgosje, por në asnjë rast nuk ia kanë arritur që të bindin gjykatën për të dënuar dikë apo për të konfiskuar pasuri të paluajtshme. Shumë fjalë, pak hetime e zero gjykime e konfiskime”, ka thënë Preteni.
Sipas Pretenit, prokuroritë dhe gjykatat, pushteti i tretë në këto 25 vite janë dështimi më i madh.
“Prokuroritë dhe gjykatat (pushteti i tretë) në këto 25 vite janë dështimi më i madh. Janë mbyllur brenda zyrave. Vetë emërojnë, vetë shkarkojnë, vetë shpërblejnë. Asnjë raportim në Kuvend, shtete në veti”, u shpreh ai.
Preteni propozoi një pastrim të përgjithshëm, qe të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët të kalojnë në veting.
“Si duhet vepruar? Një pastrim gjeneral, të paktën modeli i Tiranës. Të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët në veting. Të analizohet performanca, të verifikohet pasuria dhe integriteti personal, e pastaj të vijojnë në punë”, tha ai.
Ai u shpreh se kryeprokurori duhet të emërohet nga Kuvendi, si dhe t’i raportojë këtë instituticoni.
“Kryeprokurori duhet të emërohet nga Kuvendi (praktikë e të gjitha vendeve demokratike) dhe t’i raportojë Kuvendit. Të kërkohet llogaridhënie dhe transparencë. Puna e tyre nuk duhet të vlerësohet vetëm në bazë të aktakuzave, por nga numri i rasteve të fituara”, ka thënë Preteni.
Lëvizja FOL: Forcimi i institucioneve të pavarura dhe transparenca janë kyç për luftimin e korrupsionit
Drejtoresha e Lëvizja FOL, Mexhide Demolli në një prononcim për “Front Online” tha se vendi ende nuk ka arritur rezultate të mjaftueshme konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe në forcimin e shtetit të së drejtës.
Demolli ka nënvizuar se kritikat për përparim të kufizuar, janë sinjale serioze se partnerët evropian presin më shumë veprime konkrete dhe jo vetëm deklarime politike.
“Draft-raporti në fjalë tregon se, pavarësisht disa hapave formal, Kosova ende nuk ka arritur rezultate të mjaftueshme konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe në forcimin e shtetit të së drejtës. Kritikat për përparim të kufizuar, rënien në indeksin e korrupsionit dhe shqetësimet për politizimin e institucioneve të pavarura janë sinjal serioz se partnerët evropian presin më shumë zbatim praktik, e jo vetëm deklarime politike siç ndodh rëndom”, u shpreh ajo.
Sipas saj, për të arritur përparim Kosova duhet të fokusohet në rezultate të matshme, përfshirë hetime dhe dënime efektive në rastet e korrupsionit.
“Për të pasur përparim në këtë drejtim, Kosova duhet të fokusohet në rezultate konkrete, si psh. hetime dhe dënime efektive në rastet e korrupsionit, forcim të pavarësisë së institucioneve, zbatim më të shpejtë të reformave në drejtësi dhe më shumë transparencë e llogaridhënie. Vetëm përmes veprimeve të matshme dhe institucioneve të pavarura mund të përmirësohet gjendja reale dhe vlerësimi ndërkombëtar për vendin”, ka thënë Demolli.
GLPS: Kosova duhet stabilitet politik për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar
Liridon Salihi nga organizata “GLPS” për “Front Online” ka folur lidhur me draft raportin e Riho Terras, ku janë theksuar shqetësimet për përparimin e kufizuar në luftën kundër korrupsionit në Kosovë.
Sipas Salihut, raporti rikonfirmon se viti 2025 ka qenë një vit i humbur për Kosovën për shkak të krizës politike që ka ndikuar në agjendën evropiane.
“Draft Raporti i Riho Terras rikonfirmon qëndrimin tonë se viti 2025 ka qenë vit i humbur për Kosovën si shkak i krizës politike. Kjo krizë përveç se ka ndikuar në agjendën evropiane, ajo ka prekur edhe në disa fusha kyçe si reforma në drejtësi, lirinë e mediave dhe efikasitetin e administratës publike”, deklaroi ai.
Ai ka theksuar shqetësimin për rënien e Kosovës në Indeksin Global të Korrupsionit dhe për vonesat në zbatimin e reformave në sistemin e drejtësisë.
“Ky Draft Raport vë në pah përpjekjet për të politizuar institucionet e pavarura si KQZ dhe KPM, mosplotësimin e pozitave të anëtarëve në KGJK dhe KPK, rënien në Indeksin Global të Korrupsionit dhe mungesën e qasjes strategjike ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”,thotë Salihi.
Salihi thotë se vetëm përmes veprimit të koordinuar dhe stabilitetit institucional Kosova mund të përmirësojë performancën në luftën kundër korrupsionit dhe të përparojë në agjendën evropiane.
“Sa i përket çështjes së sundimit të ligjit, GLPS e sheh të domosdoshme krijimin e një stabiliteti politik dhe bashkëpunimi ndërinstitucional, i cili më pas i hap rrugë jetësimit të reformës në drejtësi, kompletimit të përbërjes së trupave që administrojnë me sistemin prokurorial dhe gjyqësor, respektimit të parimit të ndarjes së pushteteve, si dhe hartimit të politikave strategjike në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, u shpreh ai.












