Doktori Agron Gashi, i cili njëkohësisht është edhe Drejtor Ekzekutiv në Institutin e Evropës Juglindore për Politika Shëndetësore dhe Sociale, ka folur për rëndësinë që ka mjeku familjar në ruajtjen dhe promovimin e shëndetit të qytetarëve.
Gjatë një interviste në emisionin “Familja Jonë”, Gashi theksoi se profesionistët shëndetësorë, përfshirë edhe mjekun familjar, janë burimi më i besueshëm i këshillave dhe rekomandimeve që lidhen me shëndetin.
“Unë, në bazë të praktikës, përvojës dhe rekomandimeve, konsideroj se burimet më të besueshme janë profesionistët shëndetësorë. Në këtë aspekt vijnë edhe këshillat për t’i vaksinuar fëmijët me kohë sipas kalendarit, vijnë këshillat për të mos e tymosur duhanin, vijnë këshillat se si të parandalohet ose çfarë veprimesh duhet të bëhen kur dalim në ambiente ku është ndotja e ajrit apo cilat janë praktikat se çfarë ushqimi duhet të përdoret.”
Sipas Gashit, profesionistët shëndetësorë mbeten burimi më i sigurt për informim, falë përgatitjes dhe ekspertizës që posedojnë.
“Kjo është edhe ajo që vazhdimisht e theksojmë, që për çdo informatë të referohen te mjeku familjar. Dhe kjo ‘mjeku familjar’, edhe titulli e tregon, sepse nuk adresohet vetëm një çështje ose një sëmundje, por ekzistojnë edhe faktorë të tjerë të jashtëm që ndihmojnë për të ardhur te një përfundim se pse ka ndodhur ajo sëmundje ose ai problem.”
Shpjegimin e plotë të doktor Gashit për këtë temë mund ta gjeni në videon më poshtë.
Ndërkaq, në intervistën e plotë, Gashi flet edhe për rëndësinë e vaksinimit, rëndësinë e sigurimeve shëndetësore, kampanjën “Merr Frymë”, çfarë ofron ajo, si dhe jep këshilla të tjera rreth çështjeve shëndetësore.
Dita Ndërkombëtare e Mjekut Familjar shënohet çdo vit më 19 maj.













