Reparti i Urologjisë në Spitalin e Përgjithshëm “Dr.Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë e ka përmbyllur vitin 2025, me 315 operacione urologjike për trajtimin e çrregullimeve të sistemit urinar, janë vendosur edhe 63 stenta ureterale, të cilat kanë ndihmuar në rikthimin e funksionit të duhur të sistemit urinar të pacientëve.
Kështu ka njoftuar Spitali i Përgjithshëm “Dr.Sami Haxhibeqiri”.
“Po ashtu, ekipi mjekësor ka realizuar vlerësimin dhe trajtimin e sëmundjeve të fshikëzës dhe uretrës, duke kryer gjithsej 437 cystoskopi.Janë realizuar gjithashtu 59 biopsi të prostates, të cilat kanë mundësuar diagnostikimin e saktë të sëmundjeve të mundshme të prostatës.” thuhet në njoftimin e spitalit.
Aty tutje është theksuar se janë ofruar mbi 11 mijë vizita ambulantore specialistike, duke siguruar konsultë dhe trajtim të vazhdueshëm për pacientët.
“Pacientët e rajonit të Mitrovicës që kanë probleme urologjike nuk kanë nevojë të udhëtojnë jashtë rajonit, pasi shërbimet profesionale mund t’i marrin nga ekspertë të fushës së urologjisë brenda spitalit.” thuhet në njoftim.












