Gjatë 24 orëve të fundit, në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë ofruar gjithsej 317 shërbime mjekësore për pacientët që kanë kërkuar trajtim urgjent.
Sipas të dhënave nga QKUK, numri më i madh i pacientëve është trajtuar në repartin e Reanimimit, ku janë pranuar 94 raste. Në Emergjencën Internistike janë trajtuar 87 pacientë, ndërsa në Emergjencën Kirurgjike dhe atë Ortopedike janë ofruar shërbime për nga 56 pacientë.
Ndërkohë, në Sallën e Vogël të Emergjencës janë trajtuar 24 persona, ku janë kryer procedura mjekësore si qepje, përpunim dhe pastrim i plagëve.
Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar edhe raste të ndryshme të lëndimeve. Tetë persona kanë kërkuar trajtim pas përleshjeve fizike, ndërsa 30 persona janë paraqitur me lëndime të shkaktuara nga aksidentet në trafik.
Po ashtu, gjatë 24 orëve të fundit janë realizuar 28 pranime për trajtim të mëtejmë në klinika të ndryshme të QKUK-së. Në këtë periudhë janë regjistruar edhe dy raste të vdekjeve (exitus).
Qendra Emergjente e QKUK-së vazhdon të jetë një nga pikat kryesore për trajtimin e rasteve urgjente nga i gjithë vendi, duke ofruar shërbime mjekësore gjatë gjithë kohës.













