Gjidhënia nuk është gjithmonë aq e lehtë sa mund të duket. Shumë nëna përballen me sfida si prodhimi i pamjaftueshëm i qumështit, vështirësitë me kapjen e gjirit nga foshnja apo dhimbjet gjatë ushqyerjes. Këto probleme mund të ndikojnë jo vetëm në suksesin e gjidhënies, por edhe në shëndetin mendor të nënës.
Studimet tregojnë se shumë gra raportojnë vështirësi gjatë gjidhënies, ndërsa ekspertët theksojnë se një nga faktorët më të rëndësishëm për ta përballuar këtë periudhë është ekzistenca e një sistemi të fortë mbështetës. Kjo është edhe arsyeja pse tema e Muajit Kombëtar të Gjidhënies këtë vit është “Support Changes Everything” (Mbështetja ndryshon gjithçka).
Sipas Dr. Carly Snyder, psikiatre e specializuar në shëndetin riprodhues dhe atë të grave në Nju Jork, gjasat për një përvojë të suksesshme me gjidhënien rriten kur nëna ndihet emocionalisht mirë që para shtatzënisë dhe gjatë saj, si edhe kur ka pranë familjarë, partnerë dhe profesionistë të shëndetit që e mbështesin.
Përfitimet e gjidhënies për foshnjën janë të njohura. Sipas HealthyChildren.org dhe Cleveland Clinic, ushqyerja me gji ndihmon në forcimin e lidhjes emocionale mes nënës dhe foshnjës, përmirëson sistemin imunitar të të porsalindurit dhe ul rrezikun e diarresë, kapsllëkut dhe infeksioneve gastrointestinale.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se gjatë javëve të para pas lindjes nuk duhet të fokusohemi vetëm te shëndeti i foshnjës. Po aq i rëndësishëm është edhe mirëqenia psikologjike e nënës.
Lidhja mes gjidhënies dhe depresionit pas lindjes është komplekse. Edhe pse disa studime tregojnë se gjidhënia mund të ketë efekte pozitive në shëndetin mendor, të tjera kanë zbuluar se përvojat negative gjatë ushqyerjes me gji mund të rrisin rrezikun për depresion pas lindjes.
Një studim i publikuar në PubMed në vitin 2011 zbuloi se gratë që përjetuan dhimbje gjatë gjidhënies ose nuk e pëlqyen përvojën në javën e parë pas lindjes kishin më shumë gjasa të zhvillonin depresion pas lindjes krahasuar me ato që nuk hasën vështirësi.
“Në disa gra, gjidhënia mund të jetë shumë e vështirë dhe kjo mund të krijojë ndjenja frustrimi dhe dështimi,” shpjegon Dr. Snyder. Ajo shton se edhe depresioni gjatë shtatzënisë ose pas lindjes mund ta bëjë më të vështirë vazhdimin e gjidhënies, duke krijuar një rreth vicioz.
Sipas saj, presioni i vazhdueshëm nga persona me qëllime të mira, si nëna të tjera, konsulentë të gjidhënies apo profesionistë shëndetësorë, të cilët këmbëngulin se qumështi i gjirit është gjithmonë zgjidhja më e mirë, mund të shtojë ndjenjat e fajit dhe pamjaftueshmërisë tek nënat që hasin vështirësi.
Vetë trishtimi nuk e ul drejtpërdrejt prodhimin e qumështit, pasi ai varet kryesisht nga sa shpesh foshnja ushqehet me gji. Megjithatë, sipas programit WIC Breastfeeding të Departamentit Amerikan të Bujqësisë, lodhja, mungesa e gjumit, mosushqyerja e rregullt dhe dehidratimi mund të ndikojnë negativisht në prodhimin e qumështit.
Dr. Angel Montfort, psikologe e licencuar në Center for Maternal Mental Health, shpjegon se shumë gra fillojnë ta vlerësojnë veten bazuar në aftësinë për të ushqyer foshnjën me gji. Kur hasin vështirësi me prodhimin e qumështit, kapjen e gjirit ose nuk ndihen të gatshme të ushqejnë me gji, ato mund ta përjetojnë këtë si një dështim personal.
Edhe presioni shoqëror luan një rol të rëndësishëm. Dr. Taryn A. Myers, kryetare e Departamentit të Psikologjisë në Virginia Wesleyan University, thekson se në disa raste shoqëria ka kaluar në ekstrem duke e paraqitur gjidhënien si detyrim, pa marrë gjithmonë parasysh mirëqenien fizike dhe psikologjike të nënës.
Ajo thekson se çdo familje duhet të marrë një vendim të informuar për mënyrën më të mirë të ushqyerjes së foshnjës, duke marrë parasysh nevojat e nënës dhe të fëmijës.
Ekspertët bien dakord se mbështetja emocionale mund të bëjë një ndryshim të madh. Sipas Dr. Myers, një nënë që ndihet e mbështetur ka më shumë gjasa të flasë hapur për vështirësitë që po përjeton dhe të kërkojë ndihmë në kohën e duhur. Kjo mund të përmirësojë si përvojën me gjidhënien, ashtu edhe shëndetin e saj mendor.
Një studim i kryer në Mbretërinë e Bashkuar ka treguar gjithashtu se gratë që ndihen të mbështetura gjatë periudhës së gjidhënies raportojnë më shumë vetëbesim dhe janë më të kënaqura me vendimin e tyre për të ushqyer foshnjën me gji.
Leigh Ann O’Connor, konsulente ndërkombëtare e certifikuar për gjidhënien, kujton se gjidhënia nuk është një proces “ose gjithçka, ose asgjë”. Kur prodhimi i qumështit është i ulët, ekzistojnë mënyra të sigurta për të kombinuar gjidhënien me ushqimin shtesë, pa e konsideruar këtë si një dështim.
Ekspertët theksojnë se, nëse një nënë po përballet me vështirësi gjatë gjidhënies ose ndjen simptoma të depresionit, ankthit apo lodhjes së vazhdueshme, është e rëndësishme të flasë hapur me mjekun, maminë ose një profesionist të shëndetit mendor. Kujdesi për mirëqenien e nënës është po aq i rëndësishëm sa edhe kujdesi për foshnjën sipas artikullit SingleCare.













