Mamia Razije Musa ka ndarë këshilla të rëndësishme për prindërit e rinj gjatë një interviste në emisionin “Familja Jonë”, duke sqaruar pse deri në muajin e gjashtë të jetës foshnjës nuk duhet t’i jepet as ushqim shtesë dhe as ujë.
Ajo theksoi se muajt e parë të jetës janë vendimtarë për zhvillimin e shëndetshëm të bebes dhe se ushqyerja me gji mbetet forma më e sigurt dhe më e rekomanduar nga profesionistët shëndetësorë.
Sipas saj, qumështi i gjirit përmban të gjitha elementet e nevojshme ushqyese, përfshirë edhe sasinë e duhur të ujit, duke e bërë të panevojshme dhënien e lëngjeve shtesë në këtë fazë.
“Ujë nuk duhet t’i jepet bebes deri në gjashtë muaj, derisa të fillojë ushqimi, sepse qumështi i gjirit i plotëson edhe nevojat për ujë, domethënë qumështi i gjirit ka edhe ujë. Pas gjashtë muajve, sapo të fillojë edhe ushqimi, duhet në fund t’i jepen bebes 3-4 lugë ujë”, shpjegon Musa.
Duke folur më gjerësisht për këtë çështje, ajo theksoi se dhënia e ujit para kohës së rekomanduar mund të ndikojë negativisht në procesin e ushqyerjes me gji.
“Para muajit të gjashtë nuk duhet t’i jepet ujë sepse lukthi mbushet me ujë, mandej kur e thithë, thith më pak, mund të ndodhë edhe të humbë peshë. Prandaj nuk rekomandohet”, thotë ajo.
Në videon më poshtë mund të ndiqni emisionin e plotë të intervistës me maminë Razije Musa, ku ajo ndan edhe këshilla të tjera të vlefshme për kujdesin ndaj foshnjave.













