A ju ndodh që edhe pasi hani, të ndiheni ende të uritur?
Nutricionistja Albulena Shabani Ilazi shpjegon se kjo ndjesi është mjaft e zakonshme dhe shpesh lidhet me përbërjen e vakteve që konsumojmë.
Sipas saj, shumë persona përjetojnë ndjesinë e mungesës së ngopjes menjëherë pas ushqimit, gjë që i shtyn të konsumojnë ushqime shtesë.
“Pas vakteve ju e keni atë ndjesinë që nuk jeni ngopur mjaftueshëm dhe hani edhe diçka mbrapa, qoftë një ëmbëlsirë, qoftë një frut”, shpjegon ajo.
Tutje, ajo thekson se konsumimi i karbohidrateve shtesë menjëherë pas vaktit mund të ndikojë në rritjen e nivelit të insulinës në organizëm, duke nxitur ndjenjën e urisë.
“Në momentin që ke insulinën aktive në trup, normalisht që kërkesat për ushqim janë më të mëdha”, shpjegon nutricionistja.
Sipas saj, për të shmangur këtë cikël, është e rëndësishme që vaktet të jenë të balancuara dhe të përfshijnë ushqime të pasura me fibra dhe vlera ushqyese, të cilat ndihmojnë në rritjen e ndjenjës së ngopjes dhe stabilizimin e nivelit të sheqerit në gjak.
Në këtë mënyrë, mund të parandalohet ndjenja e urisë menjëherë pas ngrënies dhe të ruhet një regjim më i shëndetshëm ushqimor.
Shpjegimin e nutricionistes e gjeni në videon më poshtë













