Enj, Mar 26, 2026
Banner Top
Banner Top
Prof. Dr. Venera Berisha-Muharremi përfaqëson Kosovën në Konferencën Globale të Endokrinologjisë në Dubai

Kosova dhe Universiteti i Prishtinës u përfaqësuan denjësisht në një prej ngjarjeve më të rëndësishme shkencore në fushën e diabetit dhe endokrinologjisë, “5th Global Meeting on Diabetes and Endocrinology”, ku Prof. Dr. Venera Berisha-Muharremi ishte njëra nga tre ligjëruesit kryesorë të konferencës.

Në këtë takim global, i cili mbledh ekspertë dhe studiues nga mbarë bota, Prof. Dr. Berisha-Muharremi mori pjesë si e vetmja përfaqësuese nga Kosova dhe në të njëjtën kohë nga i gjithë Ballkani Perëndimor. Ajo theksoi rëndësinë e këtij momenti jo vetëm për karrierën e saj profesionale, por edhe për vlerësimin e institucioneve akademike dhe shkencës në vend.

“Është një ndjenjë e veçantë të jesh në mesin e ligjëruesve kryesorë të kësaj konference ndërkombëtare, duke përfaqësuar Kosovën dhe Universitetin e Prishtinës në një skenë globale. Ky është një privilegj që vjen pas 21 vite punë, përkushtimi dhe integriteti akademik,” u shpreh ajo.

Prof. Dr. Berisha-Muharremi ka më shumë se dy dekada përvojë në Universitetin e Prishtinës dhe njihet për kontributin e saj të vazhdueshëm në zhvillimin e shkencës së endokrinologjisë në vend. Ajo falënderoi kolegët, studentët, familjen dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur përgjatë këtij rrugëtimi akademik.

Pjesëmarrja e saj në këtë konferencë vlerësohet si konfirmim i kapaciteteve shkencore që prodhon Akademia e Kosovës dhe si hap i rëndësishëm drejt rritjes së prezencës ndërkombëtare të studiuesve kosovarë në fushën e mjekësisë.

Ky sukses përbën një moment të rëndësishëm krenarie për komunitetin akademik dhe shkencor të vendit.

Youtube

Arkiva

Kategoritë