Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka reaguar pas vendimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) për shtyrjen e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë deri më 12 janar 2026 si pasojë e situatës së krijuar nga vërshimet që kanë prekur rajone si Fushë Kosova, Drenasi, Malisheva, Rahoveci, Klina, Mitrovica, Vushtrria, Skenderaj dhe Gjakova.
Megjithatë, në reagimin e tyre SBASHK-u ka shprehur shqetësimin se reshjet e shumta të shiut dhe përmbytjet e ditëve të fundit kanë krijuar rrezik serioz për sigurinë në shumë shkolla dhe për familjet e punëtorëve të arsimit.
Sipas kësaj sindikate, kjo situatë ka dëshmuar edhe një herë se infrastruktura shkollore mbetet e pambrojtur dhe se reagimi institucional shpesh vjen vetëm pas presionit dhe shqetësimit publik.
“Megjithatë, shtyrja e mësimit nuk është e mjaftueshme nëse nuk shoqërohet me veprime konkrete.” thuhet në reagimin e SBASHK-ut, ku është paralajmëruar se SBASHK-u nuk do të lejojë kthimin në procesin mësimor pa u garantuar kushte të sigurta pune dhe mësimi.
Me këtë rast, kjo sindikatë ka paraqitur urgjentisht këto kërkesa:
- Inspektime të menjëhershme dhe të detajuara në të gjitha shkollat;
- Vlerësim real të gjendjes së objekteve shkollore;
- Sanim të menjëhershëm të dëmeve dhe eliminim të çdo rreziku për nxënësit dhe mësimdhënësit;
- Transparencë dhe përgjegjësi institucionale.
- Inspektime urgjente në komunat më të prekura nga përmbytjet, si:
- Drenasi, Malisheva, Suhareka, Fushë Kosova, Klina, Gjakova,Dragash dhe komunat e tjera ku janë raportuar dëme serioze.
Në fund të reagimit të tyre, SBASHK-u ka paralajmëruar se nëse institucionet përgjegjëse dështojnë të veprojnë me kohë dhe seriozitet, SBASHK do të ndërmarrë veprime sindikale, në mbrojtje të jetës, shëndetit dhe dinjitetit të anëtarësisë së saj.












