Mar, Qer 30, 2026
Banner Top
Banner Top
Neurologjia e QKUK-së me mbi 5 mijë vizita në gjysmën e parë të vitit

Qendra Klinike Universitare e Kosovës, ka bërë të ditur që vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti Klinika e Neurologjisë në QKUK, ka pranuar dhe trajtuar 1.006 pacientë, janë realizuar 5.175 vizita neurologjike, 1.272 ekzaminime Doppler, 1.925 ekzaminime EEG dhe 1.139 ekzaminime EMNG.

Klinika ofron shërbim 24 orë në ditë, duke trajtuar pacientë me insult cerebrovaskular, epilepsi, sklerozë multiple, sëmundje neurodegjenerative, sëmundje të nervave periferikë, sëmundje të muskujve dhe patologji të tjera neurologjike.

Gjatë viteve të fundit janë avancuar edhe shërbimet trajtuese. Me funksionalizimin e Njësisë për Trajtimin e Insultit Akut (Stroke Unit), krahas trombolizës që tashmë kryhet në mënyrë rutinore, synim mbetet funksionalizimi i plotë i trombektomisë, në bashkëpunim me Radiologjinë Intervente.

Një tjetër avancim profesional është viti i dytë i aplikimit të terapisë VNS për trajtimin e epilepsive refraktare, në bashkëpunim me Neurokirurgjinë. Plani zhvillimor është rritja e vazhdueshme e numrit të pacientëve që i nënshtrohen kësaj procedure intervente – implantimit të stimuluesit të nervit vagus – një metodë efektive në trajtimin e epilepsisë refraktare.

Një ndër njësitë më të organizuara dhe aktive të Klinikës së Neurologjisë është Njësia për Sklerozën Multiple (MS), e cila disponon një databazë të plotë të pacientëve me sklerozë multiple në Kosovë. Në këtë njësi diagnostikohen, trajtohen dhe monitorohen me terapitë më bashkëkohore imunomoduluese rreth 800 pacientë.

Klinika e Neurologjisë vazhdon të jetë ndër klinikat me vëllimin të madh të punës në QKUK, duke ofruar shërbime të specializuara, cilësore dhe të pandërprera për pacientët që kërkojnë trajtime mjekësore

Youtube

Arkiva

Kategoritë