Hën, Maj 4, 2026
Banner Top
Banner Top
Më 7 maj në Podujevë mbahet premiera e shfaqjes“Reflektim” që trajton dhunën mes adoleshentëve

Shfaqja forum-teatër “Reflektim” nga Klubi Teatror në Podujevë do ta ketë premierën më 7 maj, nga ora 11:30, në Teatrin “Avdush Hasani” në Podujevë.

Kjo shfaqje organizohet nga Artpolis, me mbështetje të Frieda, Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, Teatrit të Podujevës dhe Komunës së Podujevës.

Në lidhje me këtë, organizata Artpolis ka njoftuar se kjo shfaqje trajton fenomenin e dhunës fizike mes adoleshentëve në shkolla, duke sjellë në skenë pasojat emocionale dhe sociale që ajo lë tek të rinjtë. Përmes situatave të tensionuara dhe konflikteve mes personazheve, shtrohet një pyetje thelbësore: kush mban përgjegjësi për këtë dukuri – familja, shkolla apo shoqëria?

Secili prej këtyre faktorëve paraqitet me rolin dhe ndikimin e vet në formësimin e sjelljeve të adoleshentëve, duke nxjerrë në pah se dhuna nuk është përgjegjësi e një pale të vetme, por rezultat i mungesës së bashkëpunimit mes të gjitha hallkave të shoqërisë.

“Në thelb, shfaqja është një thirrje për reflektim dhe ndërveprim, duke e kthyer publikun nga spektator pasiv në pjesëmarrës aktiv gjatë forum teatrit.” thotë Artpolis.

Në këtë shfaqje luajnë Anea Fazliu, Anisa Selmani, Anisa Zeqiri, Ariona Salihu, Diona Muqolli, Dorina Jashari, Elita Rrahmani, Enesa Abdullahu, Erina Bajrami, Erisa Hasani, Florent Mehmeti, Lend Përvetica, Luiza Maloku, Ornela Hasani dhe Rinesa Musa, të cilët janë mentoruar nga Edlir Gashi dhe Qendresa Kajtazi.

Youtube

Arkiva

Kategoritë