Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Dhunë, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR KS) do të organizojë të premten, më 28 gusht, në Prishtinë, një ekspozitë kushtuar personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë.
Kjo ekspozitë do të hapet në orën 18:00, në ish-Bibliotekën “Hivzi Sylejmani” te lagjja “Te Qafa” dhe do të jetë e hapur për vizitorë deri më 30 gusht.

Siç ka njoftuar YIHR, ekspozita sjell piktura të krijuara nga të rinjtë, të frymëzuara nga historitë dhe përvojat e ndara nga familjet e personave të zhdukur.
“Përmes skenave nga jeta e përditshme, veprat trajtojnë mungesën e të dashurve, pasigurinë e pritjes dhe kujtimet që vazhdojnë të jenë pjesë e jetës së familjeve të tyre. Siluetat e zeza të paraqitura në ekspozitë simbolizojnë personat që mungojnë, mungesa e të cilëve vazhdon të ndikojë në jetën e familjeve të tyre.” – ka shkruar organizata.
Ata kanë theksuar se i ftojnë familjet e personave të zhdukur, institucionet, shoqërinë civile, të rinjtë dhe të gjithë ata që dëshirojnë të shprehin solidaritet me familjet që ende presin përgjigje, të bashkohen në këtë ngjarje.
“Kjo ekspozitë është një ftesë për të kujtuar personat që ende mungojnë, për të njohur përvojat e familjeve të tyre dhe për të reflektuar mbi rëndësinë e ruajtjes së historive dhe kujtimeve të tyre.” ka shtuar YIHR.













