Enj, Pri 2, 2026
Banner Top
Banner Top
Kivit mund të jenë çelësi për lehtësimin e kapsllëkut kronik

A keni shpesh vështirësi me jashtëqitjen? Nëse përgjigjja është po, udhëzimet e reja të publikuara së fundmi mund të ndihmojnë në lehtësimin e simptomave tuaja.

Fruti i kivit, buka e thekrës dhe uji me përmbajtje të lartë mineralesh mund të ndihmojnë në trajtimin e kapsllëkut kronik, sipas udhëzimeve të reja ushqimore të publikuara më 13 tetor nga Journal of Human Nutrition and Dietetics dhe Neurogastroenterology & Motility.

Rreth një në çdo gjashtë ose shtatë persona në botë vuan nga kapsllëku kronik. Në Shtetet e Bashkuara, 9% deri në 20% e të rriturve kanë një formë të kapsllëkut idiopatik kronik, pra një kapsllëk me shkak të panjohur.

Simptoma të zakonshme të kësaj gjendjeje janë: më pak se tri herë jashtëqitje në javë, feçe të forta ose të thërrmuara, si dhe vështirësi apo dhimbje gjatë jashtëqitjes.

Sipas autores kryesore të studimit, Dr. Eirini Dimidi, këto udhëzime “prezantojnë ushqime dhe pije (si fruti i kivit, kumbullat e thata, buka e thekrës, uji me përmbajtje të lartë mineralesh) dhe suplemente të caktuara, duke plotësuar një boshllëk të kahershëm mes kërkimeve shkencore dhe këshillave rutinë mjekësore. Kjo do t’u ndihmojë profesionistëve të shëndetësisë të ofrojnë udhëzime më të qarta dhe të bazuara në prova, si dhe do t’u japë njerëzve më shumë mundësi të menaxhojnë vetë simptomat e tyre.”

Udhëzimet vlejnë për të rritur të shëndetshëm me kapsllëk idiopatik kronik dhe nuk janë hartuar për raste të kapsllëkut të shkaktuar nga gjendje të tjera shëndetësore (si sëmundjet neurologjike ose shtatzënia). Prandaj, ndonëse disa rekomandime mund të jenë të dobishme edhe për këto grupe, duhet të përdoren me kujdes, shton Dr. Dimidi, profesore e shkencave të ushqyerjes në King’s College në Londër.

Udhëzimet nuk japin një rekomandim të përgjithshëm për rritjen e fibrave në dietë, por fokusi është te ushqime specifike që mund të jenë të dobishme.

Si ndihmon kivi në lehtësimin e kapsllëkut

Disa zgjedhje apo rrethana të stilit të jetesës, si marrja e pamjaftueshme e fibrave, dehidratimi, mungesa e aktivitetit fizik ose stresi, mund të shkaktojnë kapsllëk. Për këtë arsye, trajtimi zakonisht fokusohet në ndryshime në mënyrën e të ushqyerit.

Këshillat ushqimore të mëparshme ishin të përgjithshme, si p.sh. “hani më shumë fibra”. Por udhëzimet e reja sugjerojnë përfshirjen e ushqimeve të caktuara me efekt të provuar, si p.sh. konsumimi i 2-3 frutave të kivit në ditë.

Ndryshe nga kumbullat e thata, të cilat kërkojnë rritje të ngadaltë të dozës ditore, kivit janë më të lehtë për t’u përfshirë në dietë.

“Sikurse me frutin e kivit, për shkak se tolerohet shumë mirë, mund të filloni menjëherë me atë sasi të rekomanduar, ndërkohë që për kumbullat e thata zakonisht fillohet me më pak dhe shtohet gradualisht deri në 6 deri 8 kumbulla në ditë”, shpjegon Dr. villiam Chey, profesor dhe drejtues i departamentit të gastroenterologjisë dhe hepatologjisë në Universitetin e Miçiganit.

Kivit ndihmojnë në shtimin e masës së feçeve dhe përmbajtjes së ujit në to, përmirësojnë tretjen e proteinave dhe e lehtësojnë lëvizjen e ushqimit, lëngjeve dhe mbetjeve në traktin tretës. Ky frut i vogël gjithashtu përshpejton kohën që i duhet mbetjeve të kalojnë nëpër zorrë dhe ka efekte prebiotike natyrale, si përmirësimi i tretjes dhe ulja e inflamacionit në zorrë.

Përveç kësaj, kivit janë të butë dhe me shije të këndshme, çka i bën të lehtë për konsum, thekson Dr. Cuckoo Choudhary, profesore në Spitalin Universitar Thomas Jefferson në Filadelfia.

Kivit mund të hahen edhe me lëkurë, e cila ka përmbajtje të lartë fibrash. Por, kivit nuk duhen ngrohur, pasi temperaturat e larta shkatërrojnë enzimat që ndihmojnë në funksionimin e zorrëve, shton Choudhary.

Nuk ju pëlqejnë kivit? Ka alternativa të tjera

Edhe ushqime të tjera si kumbullat e thata, buka e thekrës, farat e linit, portokallet, kosi, fasulet dhe tërshëra mund të ndihmojnë në kapsllëkun kronik.

Nëse ju pëlqejnë produktet e qumështit, një alternativë e mirë është: “Një gotë kos, rreth 240 ml, çdo lloj kosi sepse të gjithë kanë probiotikë, dhe një lugë të madhe fara liri të grimcuara”, sugjeron Choudhary, eksperte në Shoqatën Amerikane të Gastroenterologjisë.

Suplemente të tjera përfshijnë psyllium-in, një fibër që ndihmon lëvizjen e feçeve në zorrë dhe njëkohësisht redukton thithjen e kolesterolit nga ushqimi.

“Doza e rekomanduar është të paktën 10 gram fibra në ditë. Por, rregulli është: filloni me pak dhe rriteni ngadalë. Pra, mund të nisni me 3 gram dhe ta rrisni gradualisht në 10 ose më shumë gram psyllium në ditë për të përfituar efektin e plotë”, shpjegon Chey, presidenti i ardhshëm i Kolegjit Amerikan të Gastroenterologjisë.

Edhe aktiviteti fizik është një ndryshim i rëndësishëm në stilin e jetesës që mund të ndihmojë personat me kapsllëk kronik.

Edhe diçka e thjeshtë si ecja mund të përmirësojë funksionimin e sistemit tretës, shton Choudhary.

Rekomandimet e reja janë bazuar në gjetjet e katër rishikimeve sistematike dhe meta-analizave që shqyrtuan mbi 75 studime të kontrolluara me përzgjedhje të rastësishme mbi ndërhyrjet dietike për kapsllëkun kronik. /CNN/

Youtube

Arkiva

Kategoritë