Enj, Tet 1, 2026
Banner Top
Banner Top
Ekranet dhe fëmijët, specialistët apelojnë të tregohet kujdes me kohëzgjatjen e përdorimit

Telefonat, tabletët dhe pajisjet e tjera elektronike janë bërë pjesë e jetës së përditshme të fëmijëve. Megjithatë, qëndrimi për kohë të gjatë para ekraneve mund të ndikojë në mënyrën se si fëmijët zhvillojnë të folurin, gjuhën, komunikimin dhe marrëdhëniet me mjedisin përreth.

Terapistja e zhvillimit Irena Danjolli ka folur për ndikimin që përdorimi i zgjatur i pajisjeve elektronike mund të ketë në zhvillimin e fëmijëve, duke theksuar se në praktikë janë vërejtur raste ku problemet e zhvillimit shoqërohen edhe me përdorimin e tepërt të ekraneve.

Sipas saj, ndikimi mund të vërehet në disa fusha, përfshirë zhvillimin gjuhësor, emocional, komunikimin dhe aftësitë e lojës.

Ndër shenjat që mund të vërehen nga prindërit janë vonesa në zhvillimin e gjuhës së folur, vështirësitë në ndërveprimin social, problemet në krijimin e marrëdhënieve me fëmijët e tjerë dhe mungesa e kontaktit me sy.

Gjithashtu, sipas terapistes, reagimi ndaj emrit dhe aftësia për të ndjekur udhëzime të thjeshta janë elemente që prindërit duhet t’i vëzhgojnë gjatë zhvillimit të fëmijës.

Kur një fëmijë shfaq vazhdimisht vështirësi në të folur, nuk kupton udhëzime të thjeshta, nuk komunikon në përputhje me moshën ose ka probleme me përqendrimin dhe ndërveprimin, këshillohet konsultimi me një profesionist të fushës.

Më shumë lojë dhe komunikim

Specialistët rekomandojnë që prindërit të vendosin rutina të qarta për përdorimin e pajisjeve elektronike dhe të kufizojnë kohën e kaluar para ekranit.

Në vend të qëndrimit të gjatë me telefon ose tablet, fëmijët mund të përfshihen në aktivitete që nxisin komunikimin dhe ndërveprimin e drejtpërdrejtë, si loja me prindërit, leximi i librave, bisedat dhe aktivitetet e përbashkëta.

Qëllimi nuk është vetëm kufizimi i ekranit, por krijimi i më shumë mundësive për fëmijën që të komunikojë, të luajë dhe të ndërveprojë drejtpërdrejt me njerëzit dhe ambientin përreth.

Burimi: Klan Kosova

Youtube

Arkiva

Kategoritë