Hën, Tet 14, 2024
Banner Top
Banner Top
Çka është sindromi premenstrual?

Ndryshimi i shpeshtë i gjendjes së humorit, shtimi i stresit, ankthit dhe pakënaqësive janë ndër gjendjet më të shpeshta me të cilat përballen në përditshmërinë e tyre femrat. Simptoma të cilat bëhen edhe më të dukshme në prag të ciklit menstrual.

Përsëritja e tyre e vazhdueshme vjen si shkak i pranisë së sindromit premenstrual, i cili shfaqet më së shumti në moshat 20-35 vjeçare.

Sindromi premenstrual, i quajtur ndryshe edhe tensioni premenstrual, është një koleksion simptomash emocionale, i shoqëruar ose jo me simptoma fizike të lidhura me ciklin menstrual të gruas (periodat e përmuajshme). Këto shenja ndryshojnë nga personi në person, pra, janë individuale për çdo grua.

Këto çrregullime janë kalimtare dhe ciklike, pra që përsëriten çdo muaj. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, deri në vitin 2010, gratë që vuajnë nga sindromi premenstrual, përbënin rreth 5.7 për qind të popullsisë femërore, ndërsa rreth 80 për qind kanë përjetuar rreth tre ose katër situata të rëndësishme të simptomave premenstruale.

Cilat janë shenjat më të shpeshta klinike që shoqërojnë tensionin premenstrual?

Numërohen më shumë se dyqind simptoma që shoqërojnë këtë çrregullim, por ato që janë pothuajse të pranishme në të gjitha situatat janë: nervozizmi, tensioni dhe pakënaqësia.

Simptomat e përbashkëta emocionale dhe jospecifike përfshijnë stresin, ankthin, pagjumësinë, dhimbje koke, lodhje, çrregullime të humorit, rritjen e ndjeshmërisë emocionale dhe ndryshimet në dëshirën seksuale.

Ndër simptomat fizike të lidhura me ciklin menstrual, përmendim: gjakderdhjen në sasira të ndryshme, dhimbje barku, dhimbje muskujsh dhe kockash, dhimbje koke, dhimbje gjoksi, si edhe aknet ciklike (puçrrat e infektuara që dalin kryesisht në fytyrë dhe përsëriten përpara çdo cikli menstrual.

Simptomat e sakta dhe intensiteti i tyre ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme nga grua në grua dhe madje, ndryshojnë disi edhe nga cikli në cikël. Shumica e grave me përvojë premenstruale përjetojnë vetëm disa nga simptomat e mundshme dhe në një model relativisht të parashikueshëm.

Çdo grua ka zakonisht modelin e vet të simptomave personale. Ndërsa një grua mund të jetë e shqetësuar dhe e tensionuar, një tjetër grua mund të zhytet në depresion dhe lotë për dy ditë të plota përpara çdo cikli dhe një tjetër grua mund të inatoset lehtë edhe për probleme të vogla që shfaqen në jetën e përditshme.

Youtube

Arkiva

Kategoritë