Kur mendoni për dermatologjinë, ndoshta gjërat e para që ju vijnë në mendje janë aknet ose kanceri i lëkurës. Por puna e dermatologëve shkon shumë përtej këtyre problemeve. Ata merren me diagnostikimin, trajtimin dhe parandalimin e një game të gjerë problemesh që lidhen me lëkurën, flokët dhe thonjtë, si dhe kryejnë procedura estetike.
Dermatologët janë mjekë të specializuar në parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve dhe çrregullimeve të lëkurës, flokëve, thonjve dhe mukozave. Sipas Akademisë Amerikane të Dermatologjisë (AAD), një dermatolog mund të diagnostikojë dhe trajtojë më shumë se 3 mijë probleme të ndryshme. Këtu përfshihen kanceri i lëkurës, nishanet, lythat, infeksionet kërpudhore, rosacea, herpes zoster dhe reaksionet alergjike ndaj bimëve si dredhëza helmuese (poison ivy).
Shumë dermatologë janë gjithashtu të trajnuar për procedura estetike, si përdorimi i mbushësve (fillers), heqja e tatuazheve dhe trajtimet kundër rrudhave.
Për t’u bërë dermatolog, një person duhet të përfundojë katër vite studime universitare, katër vite shkollë mjekësie, një vit praktikë dhe më pas një program specializimi trevjeçar në dermatologji. Shumë mjekë zgjedhin të marrin edhe trajnime të tjera, si specializimi për kirurgjinë Mohs, një teknikë e veçantë për heqjen e kancerit të lëkurës, ose trajnim shtesë në dermatologjinë estetike, ku përfshihen procedura si botoksi dhe mbushësit.
Dermatologët kryejnë shumë procedura mjekësore dhe trajtime jo invazive për probleme të ndryshme të lëkurës. Shumë prej tyre mund të realizohen në klinikë dhe përfshijnë:
- Diagnostikimin e saktë të problemeve të lëkurës që mund të jenë të vështira për t’u identifikuar nga mjekë të tjerë.
- Biopsitë e lëkurës, ku merret një pjesë e vogël e indit për analiza të mëtejshme.
- Peeling kimik, i cili heq shtresën e sipërme të lëkurës për të nxjerrë në pah një shtresë më të shëndetshme dhe përdoret për dëmtimet nga dielli, aknet ose për qëllime estetike.
- Injeksione estetike, si botoksi dhe mbushësit me kolagjen, që ndihmojnë në reduktimin e rrudhave dhe rikthimin e volumit të fytyrës.
- Krioterapinë, ku përdoret azoti i lëngshëm për heqjen e ndryshimeve të lëkurës, si lythat.
- Dermabrasionin, një procedurë që heq shtresën e sipërme të lëkurës për të zvogëluar shenjat e plagëve, tatuazhet, lezionet para-kanceroze dhe rrudhat.
- Trajtimet për rikthimin e flokëve, përmes medikamenteve ose mbjelljes së flokëve.
- Kirurgjinë me lazer për trajtimin e shenjave, tumoreve, nishaneve, shenjave të lindjes, lythave, heqjen e tatuazheve dhe qimeve të padëshiruara.
- Heqjen kirurgjikale të lezioneve të lëkurës për të parandaluar përhapjen e kancerit, infeksioneve, për të lehtësuar dhimbjen ose gjakderdhjen, si dhe për arsye estetike ose diagnostikuese.
- Liposuksionin për heqjen e indeve dhjamore për qëllime estetike.
- Kirurgjinë Mohs për heqjen e qelizave kancerogjene.
- Skleroterapinë për trajtimin e venave varikoze dhe venave të holla sipërfaqësore.
- Transplantet e lëkurës për riparimin e zonave të dëmtuara ose ku mungon lëkura.
- Fototerapinë me rreze ultravjollcë për trajtimin e sëmundjeve si psoriaza, dermatiti dhe vitiligo.
Një nga arsyet më të zakonshme pse njerëzit vizitojnë dermatologun janë aknet. Një puçërr e vetme ose disa puçrra zakonisht mund të trajtohen me produkte pa recetë ose nga mjeku i familjes, por aknet e vazhdueshme, nëse nuk trajtohen, mund të lënë shenja të përhershme.
Dermatologu mund të ofrojë një plan të personalizuar trajtimi, këshilla për kujdesin e përditshëm të lëkurës dhe, kur është e nevojshme, medikamente me recetë për rezultate afatgjata.
Përveç akneve, ka shumë arsye të tjera për të caktuar një vizitë te dermatologu ose për t’u referuar nga mjeku i familjes. Këto përfshijnë:
- Probleme të përgjithshme të lëkurës, si skuqje, kruajtje ose ndryshime në pigmentim.
- Ndryshime në madhësinë, formën ose ngjyrën e një nishani.
- Skuqje të lëkurës që kruhet, është e fryrë ose shkakton shqetësim.
- Lëkurë të thatë, të irrituar ose me kruajtje që nuk përmirësohet me trajtime pa recetë.
- Dëshirën për të diskutuar mënyra për të reduktuar shenjat e plakjes, si rrudhat ose humbjen e elasticitetit të lëkurës.
- Venat varikoze ose venat sipërfaqësore.
- Reaksione të forta alergjike ndaj bimëve ose substancave të tjera.
- Akne të rënda ose kronike.
- Hollim të flokëve ose zona me rënie flokësh.
- Plagë që nuk shërohen ose duken të infektuara.
Një arsye tjetër shumë e rëndësishme për të vizituar dermatologun është kontrolli vjetor i lëkurës. Gjatë këtij kontrolli, mjeku ekzaminon të gjithë trupin për të parë nëse ka ndryshime në njolla, lezione, nishane apo pika të pigmentuara.
“Gjatë vizitës së parë mund t’ju kërkohet të vishni një bluzë mjekësore, pasi dermatologët zakonisht kryejnë një histori të plotë mjekësore dhe një ekzaminim fizik për të ndihmuar në diagnostikim dhe trajtim,” shpjegon Dr. Vindhya Veerula, dermatologe e certifikuar në Fort Wayne, Indiana.
Gjatë ekzaminimit të lëkurës, dermatologu kontrollon çdo pjesë të trupit, nga koka deri te gishtat e këmbëve, duke kërkuar njolla, nishane ose ndryshime të pazakonta. Për nishanet, mjeku vlerëson formën, ngjyrën, madhësinë dhe kufijtë e tyre, në mënyrë që të vërejë çdo ndryshim në vizitat e ardhshme.
Ky kontroll i plotë mund të ndihmojë në zbulimin e hershëm të kancerit të lëkurës dhe problemeve të tjera kronike. Sa shpesh duhet të bëhet kontrolli varet nga faktorë si rreziku personal, historia familjare e melanomës ose kancereve të tjera të lëkurës, ekspozimi ndaj diellit dhe prania e nishaneve jo të zakonshme.
Përpara një vizite te dermatologu, përgatitja mund ta bëjë procesin më të lehtë. Fillimisht, kontrolloni mbulimin nga sigurimi shëndetësor dhe nëse nevojitet një rekomandim nga mjeku i familjes. Gjithashtu, informohuni për kostot e mundshme të vizitës.
Është e dobishme të merrni me vete një listë të të gjitha medikamenteve që përdorni, trajtimeve të mëparshme, vitaminave dhe suplementeve. Sa më shumë informacion të ketë dermatologu, aq më lehtë do të jetë për të përcaktuar trajtimin më të përshtatshëm.
Mbani shënim edhe pyetjet që dëshironi t’i bëni mjekut. Mund të pyesni për trajtimet më të mira për problemin tuaj, produktet që duhet të përdorni ose shmangni, nivelin e mbrojtjes nga dielli (SPF) që ju përshtatet, mënyrën e kontrollit të lëkurës në shtëpi dhe mënyrat për të përmirësuar pamjen e saj.
Fotografitë mund të jenë gjithashtu të dobishme, veçanërisht për probleme si aknet ose psoriaza, pasi pamja e tyre mund të ndryshojë nga java në javë. Ato i ndihmojnë mjekut të vërejë ndryshimet edhe kur nuk jeni në klinikë.
Sipas artikullit SingleCare në ditën e vizitës, vishni rroba të rehatshme dhe shmangni produktet që mund ta bëjnë më të vështirë ekzaminimin e lëkurës, si grimi ose manikyri. Dermatologu mund të kontrollojë jo vetëm një zonë specifike, por edhe fytyrën, krahët dhe thonjtë, prandaj është mirë që këto zona të jenë lehtësisht të aksesueshme.













