Një paciente, shtetase e huaj, e cila u pranua më 1 gusht 2026 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në gjendje tejet të rëndë shëndetësore, është diagnostikuar me malarie dhe aktualisht po trajtohet në Klinikën Infektive.
Sipas informacioneve nga QKUK, pacientja kishte mbërritur pa vetëdije dhe me parametra vitalë e laboratorikë të çrregulluar. Pas ekzaminimeve klinike fillestare, ajo u transferua në Klinikën Infektive për shkak të dyshimeve për një infeksion të rëndë sistemik.
Gjatë vlerësimit epidemiologjik u konstatua se pacientja kishte udhëtuar së fundmi në vende ku malaria është sëmundje endemike. Për këtë arsye u kryen analiza specifike, të cilat konfirmuan diagnozën e malaries.
Menjëherë pas konfirmimit të diagnozës, ekipi mjekësor filloi trajtimin specifik antimalarik. Pacientja po trajtohet nga infektologët në Klinikën Infektive.
Sipas mjekëve, gjendja e saj ka shënuar përmirësim të vazhdueshëm. Fillimisht ajo kishte nisur të komunikonte me vështirësi, ndërsa sot, më 5 gusht 2026, gjendja e saj është e qëndrueshme. Pacientja tashmë komunikon lirshëm, ndërsa parametrat vitalë dhe laboratorikë po kthehen gradualisht në vlera normale.
Autoritetet shëndetësore rikujtojnë se malaria nuk transmetohet nga personi në person përmes kontaktit të zakonshëm. Sëmundja përhapet zakonisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara.
Ndërkohë, rastet e malaries në Kosovë mbeten të rralla dhe të importuara. Sipas të dhënave të mbikëqyrjes epidemiologjike, gjatë periudhës 2022–2025 janë raportuar gjithsej tetë raste të malaries. Të gjithë pacientët kishin udhëtuar në vende të kontinentit afrikan ose kishin ardhur prej tyre.
Deri më tani, në Kosovë nuk është evidentuar asnjë rast i transmetimit lokal të malaries.













