Pre, Maj 22, 2026
Banner Top
Banner Top
A e shkakton Apnea e Gjumit vdekjen?

Sipas National Health Service (NHS), shërbimit publik shëndetësor në Mbretërinë e Bashkuar, apnea e gjumit është një çrregullim ku frymëmarrja ndalet dhe rifillon gjatë gjumit. Lloji më i zakonshëm i saj quhet apnea obstruktive e gjumit (OSA).

“Apnea e gjumit duhet të trajtohet, pasi mund të çojë në probleme më serioze”, paralajmëron NHS.

Pikërisht për rreziqet dhe ndikimin që kjo gjendje ka në shëndetin e përgjithshëm foli edhe pulmologu Besim Morina në një intervistë për emisionin “Familja Jonë”, ku shpjegoi pasojat që apnea e gjumit mund të shkaktojë në jetën e pacientëve.

Gjatë intervistës, ai ka sqaruar edhe një nga pyetjet më të shpeshta që lidhen me këtë çrregullim, nëse apnea e gjumit mund të shkaktojë vdekjen.

Sipas Morinës, rastet kur apnea e gjumit çon drejtpërdrejt në vdekje janë të rralla, mirëpo pasojat shëndetësore që ajo shkakton mund të jenë serioze dhe në shumë raste fatale.

“Po flasim për dëmtim të zemrës, probleme kardiologjike pa dyshim. Ne kujdesemi shumë për yndyrën, kujdesemi për kripën, kujdesemi të bëjmë kontrolle të zemrës, por nuk kujdesemi ta trajtojmë një problematikë shumë të madhe që i shkakton ato probleme”, shprehet Morina.

Pulmologu foli edhe për ndryshimin e madh në cilësinë e jetës që përjetojnë pacientët pasi fillojnë trajtimin e apnesë së gjumit, duke theksuar se shumë prej tyre nuk e kanë kuptuar më parë se çfarë do të thotë gjumë i mirë dhe pushim i plotë.

“Njerëzit që kanë filluar të trajtohen shpesh thonë ‘më ka ndryshuar jeta’. Ata nuk e kanë ditur sa të pushuar duhet të jenë pas gjumit. Ata kanë menduar se çdo herë kur zgjohet njeriu, zgjohet i lodhur. Nuk e dinë që kur zgjohen nga gjumi duhet të jenë të pushuar dhe të kthjellët”, shpjegon Morina.

Ai përmendi gjithashtu disa nga mënyrat se si apnea e gjumit ndikon në përditshmërinë e njerëzve, veçanërisht te personat që punojnë. Sipas tij, mungesa e trajtimit mund të shkaktojë probleme me koncentrimin, konfuzion, harresë dhe lodhje të vazhdueshme.

Morina theksoi se studime të ndryshme e lidhin apnenë e gjumit edhe me sëmundje neurodegjenerative, përfshirë Alzheimerin dhe demencën.

Shpjegimin e plotë të mjekut mund ta gjeni në videon më poshtë.

Ndërsa intervistën e plotë, ku Besim Morina flet më në detaje për apnenë e gjumit dhe pasojat e saj, mund ta ndiqni në videon e plotë më poshtë.

Youtube

Arkiva

Kategoritë