Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Sejdiu: Vendimi i Qeverisë për mjekët e huaj do të ketë rezultat minimal

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, ka thënë se vendi ka arritur në krizë për ikjen e punëtorëve shëndetësorë.

Ka shtuar se rezultati i vendimit të Qeverisë për mjekët e huaj do të jetë minimal.

Sejdiu ka thënë se brenda vitit 2022, 174 punëtorë shëndetësorë kanë shkuar në Gjermani, ndërkaq gjatë tri vjetëve e gjysmë janë mbi 600 punonjës shëndetësorë që janë larguar, për shkak të mungesës së kushteve për ta ushtruar profesionin.

“Largimi nga sektori publik në atë privat gjithashtu është problematik. Nuk kemi pasur frymë të bashkëpunimit për të gjetur zgjidhje. Trendi mund të ngadalësohet, por asesi të ndërpritet. Kujdesi për planifikim të mirë të resurseve shëndetësore, duhet t’i paraprijë këtyre krizave që mund të ndodhin në të ardhmen. Kushtet e punës po i largojnë mjekët. Pandemia më nuk është justifikim. Përmirësimi i këtyre kushteve do të zvogëlonte trendin e ikjes”, ka thënë ai.

Sejdiu ka shtuar se tash e sa vjet nuk ka ekzistuar një koordinim mes strukturave të ministrisë dhe strukturave menaxheriale të institucioneve shëndetësore.

Ai ka thënë se çdoherë drejtorët e klinikave raportimin e kanë bërë sipërfaqësor.

Sipas tij, shumica prej tyre kanë dëshirë të mbeten në strukturat udhëheqëse, për këtë shkak ka shtuar se raportimi nuk ka qenë real.

Ka shtuar se mungojnë gjërat elementare për të ushtruar profesionin e mjekut në institucionet publike shëndetësore.

Ai ka thënë se pastruesit në QKUK kryejnë ekzaminime radiologjike, për shkak se sipas tij, drejtorët e klinikave nuk punësojnë personelin e duhur.

“Problemin e kemi se si i japim shërbimet. Mjeku i Kosovës çdo ditë i dërgon pacientët që t’i blejnë gjërat elementarë. Një udhëzim administrativ për licencimin e mjekëve të huaj që kryeministri u ka dhënë ta nënshkruajnë, është i jashtëligjshëm. Ligji për shëndetësi shkelet në tri pika nga ky udhëzim administrativ. Rezultati i vendimit të Qeverisë për mjekët e huaj do të jetë minimal”, ka thënë ai.

Sipas tij, me udhëzimin e ri, mjekët e huaj nuk verifikohen nga Oda.

Ai ka thënë se kryeministri Albin Kurti është vënë në lajthitje nga Ministria e Shëndetësisë.

Sejdiu ka deklaruar se është hapur derë për manipulime të mëdha.

Ka shtuar se kanë dërguar shkresa për shumë raste të keqpërdorimeve të mjekëve që vijnë nga jashtë e nuk kanë pastërti etike e profesionale, por sipas tij, nuk janë marrë parasysh asnjëherë./eo

Youtube

Arkiva

Kategoritë