Gjatë mbrëmjes së sontme në emisionin “Takim virtual me Shëndritin” ishte e ftuar internistja, endokrinologia dhe diabetologia, Merita Emini-Sadiku.
Përgjatë afro 40 minutave u diskutua për sëmundjet e gjëndrës tiroide, ku nuk munguan as pyetjet nga publiku.
Njëra ndër pyetjet e shtruara për mysafirën ishte ajo se a ndikojnë problemet me gjëndrën tiroide në shtatzani. Sipas Sadikut, problemet me gjëndrën tiroide kanë ndikim shumë të madh në shtatzani, pasi kjo gjëndër ka lidhje shumë të ngushtë me vezorët.
“Po, kanë shumë ndikim. Gjëndra tiroide ka shumë lidhje me vezorët dhe me funksionimin e hipofizës. Hormonet janë shumë shpesh cudibërës, prandaj problemi i shtatzanisë, aborteve dhe zhvillimit të bebes nuk është vetëm problem i gjinekologut”, thekson ajo për Familja Jonë.
Sadiku gjithashtu u shpreh se është e rekomandueshme që edhe gjatë shtatzanisë të merren hormone e tiroidesë, në qoftë se ka problem të tilla.
“Unë do i rekomandoja të gjithë pacientet, që kanë këtë problem dhe e kanë frikën se a duhet marrë hormone të tiroides, duke i thënë se munden ta bëjnë këtë gjë, edhe në hipotirozë, edhe në hipertirozë. Ndërsa në rastet kur planifikohet shtatzania, TSH-ja duhet të jetë nën nivelin 2.5 dhe të ndiqet gjithmonë funksioni i saj sepse, edhe po të mos jetë shtatzënë, arritja deri te kogulacioni i rregullt ka shumë të bëjë me funksionimin e mirë të tiroides”, përfundoi ajo.