Sa më shumë që dilni dhe njiheni me dikë, aq më shumë i ndërthurni jetët tuaja bashkë. Në epokën dixhitale, ndarja e fjalëkalimeve në një marrëdhënie mund të duket shumë intime, por mesa duket, është “normalja e re”
Sipas një studimi nga “Kaspersky Lab”, 70% e njerëzve në një lidhje ndajnë fjalëkalimet, PIN-in apo edhe shenjat e gishtave për të hyrë në pajisjet e njëri-tjetrit.
Nëse janë kaq private, pse duket kaq normale t’ja japësh ato të dashurit/ës?
Alayna Pehrson, eksperte e vjedhjes së identitetit bashkëshortor thotë për Bustle se “është e zakonshme që partnerët të shkëmbejnë fjalëkalimet sepse besojnë se ky është një hap i rëndësishëm për të treguar besimin.
“Për më tepër, për ta është thjesht një nivel lehtësie. Ekziston një masë e transparencës e cila mund të ndihmojë në të vërtetë çiftin të ndërtojë besim dhe intimitet, dhe disa nga këto përkthehen gjithashtu në botën dixhitale.”
Megjithatë, vetëm se është e zakonshme dhe ndodh rëndom nuk do të thotë se është gjithmonë një ide e mirë!
“Ndarja e fjalëkalimeve dhe hyrjeve mund të jetë e mirë pasi krijon besim dhe komoditet, por gjithashtu mund të jetë jashtëzakonisht e rrezikshme”, thotë Pehrson.
“Sipas mendimit tim, disavantazhet janë më të mëdha se “të mirat” që sjell. Për shembull, një partner mund të duket i besueshëm në fillim (kur u jepni fjalëkalimet tuaja), por ata lehtë mund t’i përdorin ato fjalëkalime për të “kontrolluar” lidhjen dhe lëvizjet tuaja online dhe në rastet më të rënda, për të bërë vjedhje identiteti, blerje pa lejen tuaj etj.”
Ekziston gjithashtu një rrezik shumë real që partneri juaj mund të përdorë hyrjen e tij në llogaritë tuaja për t’u hakmarrë kundër jush në rast të një ndarjeje.
Sipas studimit nga Kaspersky Lab, 21 përqind e njerëzve pranuan se kishin spiunuar rrjetet sociale të një ish-partneri, duke qenë se kishin patur ende falëkalimet e tij, citon Anabel.
“Në të vërtetë gjithçka varet nga dinamika e çiftit. Disa njerëz ndajnë gjithçka dhe kënaqen duke jetuar në këtë mënyrë, dhe disa pëlqejnë të kenë atë pjesë të jetës së tyre, e cila është e ndarë nga partneri. E gjitha ka të bëjë me mënyrën se si bashkëvepron çifti dhe çfarë ata mendojnë se është e shëndetshme për ta.”
Psikologë të tjerë sugjerojnë se përfshirja kaq ekstreme në jetët e njëri-tjetrit mund të jetë e dëmshme. Partneri juaj mund të jetë shoku më i mirë, por ju keni nevojë të bisedoni me miqtë, me familjarë, dhe bisedat që konsumoni me ta, jo domosdoshmërisht duhet t’i dijë edhe partneri.
Thënë shkurt: Në përgjithësi, nuk sugjerohet.